Gjeorgji, partia në pushtet sulmon zyrtarët perëndimorë kur po synon BE-në

Demonstrata pro BE-së në kryeqytetin Tbilisi më 20 qershor. Pamja e ekranit është marrë nga video e Radio Liberty

Një grindje e kohëve të fundit midis Gjeorgjisë dhe aleatëve të saj perëndimorë është përshkruar si një “luftë e paprecedentë” pasi Partia Ëndrra Gjeorgjiane në pushtet vazhdon të ngrejë akuza kundër diplomatëve të SHBA dhe BE. Nga pretendimet për ndërhyrje në gjyqësorin e Gjeorgjisë e deri te luajtja e një “roli negativ” në planet e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, tensionet janë ndezur që nga tetori 2020. Përleshjet e fundit kanë arritur në Bruksel dhe Uashington dhe palët i janë përgjigjur veçmas kritikave dhe akuzave.

Si nisi

Tensionet u ndezën për herë të parë në tetor 2020 kur Gjeorgjia u zhyt në një krizë politike, pas zgjedhjeve të kontestuara parlamentare në të cilat partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane siguroi fitoren. Që atëherë, vendi ka dëshmuar një rënie të lirive të shtypit dhe sulme të shumta ndaj shoqërisë civile, duke përfshirë rrahjen e gazetarëve dhe rënien e përgjithshme të demokracisë në vend. Për shtatë muaj, midis tetorit 2020 dhe prillit 2021, partitë opozitare bojkotuan rezultatet e zgjedhjeve. Më pas, më 19 prill 2021, me përpjekjet ndërmjetësuese nga SHBA dhe BE, palët konkurruese arritën një marrëveshje të nënshkruar nga Ëndrra Gjeorgjiane në pushtet dhe shumica e partive opozitare. Marrëveshja përfshinte disa reforma gjyqësore dhe zgjedhore dhe një premtim nga Ëndrra Gjeorgjiane për të mbajtur zgjedhje të reja parlamentare në tetor 2021. Megjithatë, më 28 korrik 2021, partia në pushtet njoftoi vendimin e saj për t'u tërhequr nga marrëveshja.

“Kudo që ta shikoni panorama është e keqe: mbajtja e dobët e zgjedhjeve, politizimi i gjyqësorit, mënyra se si autoritetet nuk arritën të parandalonin dhunën kundër gazetarëve dhe organizatorëve të Paradës së Krenarisë në Tbilisi, zbulimet rreth mbikëqyrjes së diplomatëve të BE-së, shkroi Tom de Waal, një anëtar i Carnegie Europe dhe një vëzhgues për një kohë të gjatë i Evropës Lindore dhe Kaukazit.

Si po shkon

Në një konferencë më 20 korrik, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price tha: “Dezinformimi dhe sulmet personale ndaj ambasadores Degnan ose ekipit të saj nuk janë në përputhje me mënyrën se si partnerët komunikojnë me njëri-tjetrin dhe ne do të vazhdojmë të fokusohemi në mbështetjen e qëllimeve tona të përbashkëta”. Në mënyrë të ngjashme, zëdhënësi i Josep Borrell, përfaqësuesit të lartë të BE-së për punët e jashtme, tha:

Gjeorgjia: Përmbushja e reformave dhe axhenda e BE-së është detyrë për politikanët vendas. Fajësimi i të tjerëve për ambiciet e veta të paplotësuara vetëm konfirmon nevojën të kemi më shumë kohë të kuptojmë se si funksionon BE dhe se reformat janë një detyrë shtëpie. BE-ja mbështet plotësisht Carl Hartzell që bëri punë të shkëlqyer për marrëdhëniet Gjeorgji-BE!

Në maj 2022, Dimitri Khundadze, një ish-anëtar i partisë në pushtet, “përkrahu një sugjerim nga një mbështetës i Ëndrrës Gjeorgjiane” që implikonte SHBA-në në “problemet e fundit të ish-kryeministrit Bidzina Ivanishvili, themeluesi i partisë qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane, në kryerjen e transaksioneve financiare jashtë vendit, një regjistrim i zbuluar i bisedës së Ivanishvilit me oligarkun rus Vladimir Yevtushenkov dhe zhvillime të tjera ‘për ta detyruar Ivanishvilin të kthehet sërish në politikë’ si dhe për të ‘përfshirë vendin në luftë'”, raportoi OC Media.

Ivanishvili është një figurë kyçe në politikën gjeorgjiane. Ai e bëri pasurinë e tij në epokën para Putinit në Rusi dhe themeloi partinë Ëndrra Gjeorgjiane në vitin 2012. Edhe pse, Ivanishvili shpalli publikisht vendimin e tij për t'u larguar nga politika në vitin 2021, disa besojnë se ai ende po merr vendimet në prapaskenë.

Në qershor 2022, pas vendimit të nxituar të Gjeorgjisë për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, aplikimi u shty me pretekstin se vendi duhet të përmbushë një listë kriteresh përpara se të konsiderohet si kandidat. Në të njëjtin muaj, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë “mbi shkeljet e lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve në Gjeorgji”. Dokumenti u bëri thirrje zyrtarëve gjeorgjianë të vendosin sanksione personale ndaj Ivanishvilit “për rolin e tij në përkeqësimin e procesit politik në Gjeorgji”.

Duke nxituar në mbrojtje të Ivanishvilit dhe duke kritikuar formulimin e rezolutës, Irakli Kobakhidze, kryetari i partisë qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane, tha: “Është thellësisht shqetësuese që edhe një institucion kaq i lartë i BE-së ka rënë viktimë e një prej sëmundjeve kryesore të botës bashkëkohore, të ashtuquajturat lajme të rreme”, në një konferencë shtypi më 9 qershor.

Megjithatë, partia në pushtet shpalli planin e saj të veprimit që do të adresonte kushtet e BE-së më 1 korrik dhe u bëri thirrje partive opozitare të bashkëpunojnë, raportoi Agenda.ge. Plani i veprimit përfshinte ngritjen e grupeve monitoruese dhe punuese që do të mbikëqyrnin zbatimin e të 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian. Mes polarizimit të vazhdueshëm politik të brendshëm, një sërë partish opozitare shprehën shqetësimet e tyre për transparencën dhe efektivitetin e këtyre grupeve të punës. Në vend të kësaj më 25 korrik, disa parti opozitare ngritën grupe paralele pune në partneritet me organizatat e shoqërisë civile, sipas raportimit të Civil.ge.

Midis 20 dhe 21 korrikut, gjatë një vizite të delegacionit të Parlamentit Evropian në kryeqytetin Tbilisi, udhëheqjes së vendit iu kujtuan edhe një herë ndryshimet që duhet të zbatojnë. Afati i fundit për plotësimin e listës me 12 kërkesa u zgjat deri në vitin 2023. Por në një intervistë të 21 korrikut me TV pro-qeveritar Imedi, kryetari i partisë Ëndrra Gjeorgjiane Irakli Kobakhidze tregoi edhe një herë pozicionin armiqësor të qeverisë ndaj partnerëve të saj perëndimorë. “Gjeorgjia duhet parë si një shtet sovran nga të gjithë dhe veçanërisht nga diplomatët,” tha Kobakhidze duke akuzuar siç thuhet kreun e delegacionit në largim të BE-së, ambasadorin Carl Hartzell se po bën të kundërtën. Kobakhidze akuzoi gjithashtu ambasadorin Hartzell se luan një rol negativ “në marrëdhëniet midis BE dhe Gjeorgjisë”.

Përveç ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së, të cilët janë akuzuar nga përfaqësuesit e partisë në pushtet, në fillim të këtij muaji, kryeministri Irakli Garibashvili sulmoi ish kryeministrin suedez Carl Bildt, duke e akuzuar atë dhe gruan e tij për “kanalizimin e milionave jashtë vendit nën ombrellën e administratës Kombëtare e Bashkuar e Lëvizjes”. Bildt u përgjigj me një postim në Twitter:

Ky njeri – po flas për kryeministrin e Gjeorgjisë- nuk mund të riparohet. Duke akuzuar në një fjalim në parlament gruan time se ka vjedhur miliona nga Gjeorgjia, tregon se ai ka dalë jashtë binarëve. Ai është një tragjedi për atë që është një vend shumë i mirë.

Anëtarja gjermane e parlamentit Viola von Cramon, e cila ishte në mesin e delegatëve të BE-së që vizituan Gjeorgjinë këtë muaj, gjithashtu është përballur me kritika nga zyrtarët në disa raste. Kryetari i partisë Ëndrra Gjeorgjiane Irakli Kobakhidze e quajti von Cramon “një mbrojtëse të kriminelëve” në maj 2022. Politikania gjermane iu përgjigj akuzave përmes një postimi në Twitter:

Kush mund t'i marrë seriozisht këta njerëz? Është shumë e trishtueshme ta shikosh këtë.

Në një intervistë me Politico këtë muaj, von Cramon tha gjithashtu se nuk është mënyra e duhur të sulmoni personalisht aleatët tuaj kryesorë që mbrojnë çdo ditë aspiratat evropiane të Gjeorgjisë në Bruksel dhe gjetkë. Kritika të tilla të ashpra e bënë von Cramon të pyeste nëse qeveria gjeorgjiane donte vërtet të bëhej pjesë e BE-së.

Tensionet vazhduan të përshkallëzohen në maj 2022, kur zëvendëskryeministrja gjeorgjiane dhe ministre e Kulturës Tea Tsulukiani akuzoi von Cramon për ndërhyrje në politikën e brendshme të Gjeorgjisë. Në një postim në Twitter, Viola von Cramon u përgjigj ashpër. Në një nga postimet në Twitter, politikania gjermane tha se niveli i “dezinformimit [në Gjeorgji] po arrinte nivelin e Kremlinit”.

Gjithashtu, në korrik, kryeministri Irakli Garibashvili i shkroi një letër Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, në të cilën ai kritikoi rezolutën e miratuar muajin e kaluar dhe se ajo kishte për qëllim “diskreditimin e sistemit aktual të qeverisjes në Gjeorgji”.

Ndërkohë, presidentja e Gjeorgjisë Salome Zurabishvili qortoi kritikat e zyrtarëve të partisë në pushtet kundër aleatëve perëndimorë, përfshirë diplomatët, duke i cilësuar ata si “të paimagjinueshëm”. Zurabishvili postoi në Twitter mbështetjen e saj për rrugën e Gjeorgjisë në BE gjatë vizitës së Delegacionit të BE-së:

Një vizitë shumë e rëndësishme e një delegacioni të Parlamentit Evropian, i cili vjen në Gjeorgji për të treguar mbështetjen për një proces vendimtar që do të çojë në kandidaturën tonë në BE. Nëse duam atë që populli gjeorgjian mbështet në masë të madhe, ne të gjithë duhet të punojmë në çdo format që mundemi.

Në qershor, mijëra gjeorgjianë dolën në rrugë për të shprehur mbështetjen e tyre për pranimin e vendit në BE.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.