Gjeorgjia nis udhëtimin drejt anëtarësimit në BE

Foto nga Arzu Geybullayeva

Pak më shumë se një muaj më parë, Komisioni Evropian rekomandoi që BE-ja t'i japë Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat. Më 14 dhjetor, gjatë mbledhjes së Këshillit të BE-së, Gjeorgjisë përfundimisht iu dha ky status. Këshilli njoftoi gjithashtu se BE do të hapte negociatat e pranimit me anëtarët e tjerë të Partneritetit Lindor, Ukrainën dhe Moldavinë, duke i vendosur një hap përpara Gjeorgjisë për hyrjen në Union.

Mijëra gjeorgjianë dolën në rrugë për të festuar vendimin:

Gjeorgjia festoi pasi BE-ja i dha statusin e vendit kandidat – duke hapur rrugën për tju bashkuar bllokut 27-shtetësh.

Kryeministri gjeorgjian Irakli Gharibashvili  përgëzoi njerëzit për marrjen e statusit të vendit kandidatit në BE. Edhe presidentja Salome Zurabishvili përshëndeti vendimin e 14 dhjetorit si “një moment historik për Gjeorgjinë dhe familjen tonë evropiane!”

Gjeorgjia aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) më 3 mars 2022. Kjo erdhi pas vendimit të Ukrainës për të aplikuar për anëtarësim në BE më 28 shkurt 2022, në mes të pushtimit rus. 

Masa përfaqësonte një kthesë për Partinë Ëndrra Gjeorgjiane në pushtet, e cila deri vonë këmbëngulte se nuk do të përshpejtonte afatin fillestar të aplikimit për anëtarësim në vitin 2024.

Ndryshimi erdhi kryesisht nga presioni në rritje nga opozita vendase, si dhe mijëra protestues që dolën në rrugë si pjesë e “Marshimit për Evropën“, organizuar nga grupi aktivist liberal i Gjeorgjisë, lëvizja Shame dhe grupe të tjera pro-demokracisë në një përpjekje për të “demonstruar përkushtimin e popullit gjeorgjian ndaj Europës dhe vlerave perëndimore”.

Në qershor 2022, statusi i kandidatit të Gjeorgjisë u refuzua, duke i dhënë një listë me 12 kushte që vendi duhej të përmbushte përpara se aplikimi të rishqyrtohej.

Vendimi i 14 dhjetorit vjen mes një përçarjeje në rritje midis qeverisë dhe aleatëve perëndimorë, si dhe grupeve lokale të shoqërisë civile që këmbëngulin se qeveria ka dështuar të përmbushë 12 fushat ose kushtet prioritare.

Ndër to ishin ulja e polarizimit politik, reformimi i gjyqësorit, sigurimi i institucioneve shtetërore funksionale, forcimi i masave kundër korrupsionit, përfshirë deoligarkizimin, etj. 

Në një konferencë shtypi më 8 nëntor, Përfaqësuesi i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell tha se Gjeorgjia ka përmbushur vetëm tre nga dymbëdhjetë “prioritetet” për statusin e kandidatit deri më tani: barazia gjinore- lufta kundër dhunës ndaj grave, gjykimet për të drejtat e njeriut në diskutimet gjyqësore dhe emërimi i një Mbrojtësi publik përmes një procesi transparent. 

Kryeministri i Gjeorgjisë Gharibashvili dhe anëtarët kryesorë të partisë qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane këmbëngulin se shteti ka përmbushur kërkesat e nevojshme.

Ekspertët thonë se vendimi është edhe i mirë edhe i keq. Mirë, pasi pasqyron mbështetjen dërrmuese midis gjeorgjianëve për anëtarësimin e vendit, por i keq, pasi mund të “ndihmojë partinë qeverisëse jo shumë entuziaste për BE në zgjedhjet parlamentare të 2024″, shkroi në analizën e tij Emil Avdaliani, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Evropian në Tbilisi. 

Në një intervistë me Euronews, Natia Seskuria, drejtore e Institutit Rajonal të Studimeve të Sigurisë në Tbilisi, tha se vendimi kishte “shumë simbolikë”, edhe nëse mund të duhen vite që Gjeorgjia të bëhet anëtare e plotë. Referenca për simbolikën bëhet në lidhje me ndikimin e Rusisë në vend, si dhe në rajon. Seskuria tha për Euronews se vendimi i BE-së për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë dhe për t'i ofruar Gjeorgjisë statusin e kandidatit ishte “një mesazh shumë i rëndësishëm për Rusinë”.

Një zyrtar i BE-së, i cili foli për Reuters në kushte anonimati, pas vendimit të 14 dhjetorit, konfirmoi se mesazhet kishin për qëllim Rusinë. “Lëvizja e radhës e BE-së ka të bëjë me gjetjen e ekuilibrit” dhe mos ta lërë vendin të jetë nën ndikimin e Moskës, shpjegoi zyrtari.

Rusia nuk e priti mirë vendimin. Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, tha se masa ishte “e politizuar” dhe synonte “të kundërshtonte më tej Rusinë dhe t'i vendoste këto vende kundër Rusisë”.

Të tjerë si Kornely Kakachia, drejtor i Institutit Gjeorgjian të Politikës, nuk anashkalojnë mundësinë që bisedimet e anëtarësimit të Gjeorgjisë mund të ngjajnë me bisedimet me Turqinë. Kësaj të fundit ju dha statusi i vendit kandidat në vitin 1999, por që atëherë ka bërë pak përparim drejt anëtarësimit. “Unë mendoj se ekziston ai rrezik, veçanërisht nëse Gjeorgjia vazhdon të rrëshqasë në demokraci dhe nuk ka ndryshime në aspektin e politikës apo orientimit të politikës së jashtme,” i tha Kakachia Reuters.

Qeveria e Ëndrrës Gjeorgjiane ka marrë një kthesë të kundërt për liritë dhe të drejtat e njeriut që nga tetori 2020, kur vendi mbajti një votim të kontestuar parlamentar dhe hyri në një krizë të vazhdueshme politike. Që atëherë, vendi ka dëshmuar shpërndarje të dhunshme të protestavesulmet ndaj mediave të pavarura; dhe një përçarje në rritje ndërmjet shoqërisë dhe udhëheqjes shtetërore.

Në shtator 2023, partia në pushtet u përpoq të fajësonte presidenten e vendit, por nuk ia doli.

Të drejtat, liritë dhe demokracia është përkeqësuar. Ëndrra Gjeorgjiane është përballur me kritika për qëndrimin e saj anti-LGBTQ+ dhe me afrimin me Rusinë që kur kjo e fundit pushtoi Ukrainën.

Për popullin e Gjeorgjisë, megjithatë, vendimi i 14 dhjetorit është një ëndërr që një ditë mund të bëhet realitet. Një qytetar që festonte në Tbilisi i tha Reuters: “Kjo është ëndrra ime, të shoh Gjeorgjinë si pjesë të familjes evropiane”.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.