Në Global Voices, e kuptojmë se të gjithë ne, kolektivisht, jemi interneti. Pjesëmarrja jonë individuale është ajo që e bën internetin një bisedë globale me thellësi dhe llojllojshmëri befasuese, por kjo është e mundur vetëm për shkak të strukturës së tij të hapur teknike dhe ligjore. Për fat të keq, ekzistojnë forca të fuqishme nga korporatat dhe nga qeveria që do të preferonin ta kufizonin të qenit e internetit i hapur dhe i qasshëm. Ata dëshirojnë ta përdorin censurën dhe mbikëqyrjen në emër të respektimit të të drejtave autoriale, duke i shfrytëzuar veglat e njëjta që përdoren për ta censuruar internetin në regjimet autoritare, siç janë Kina, Irani dhe Siria.
Duke i injoruar paralajmërimet e qytetarëve dhe të atyre që merren me teknologji, ligjdhënësit e SHBA-ve janë duke i marrë në konsideratë dy ligje, Ligjin për pengimin e piraterisë onlajn (SOPA) dhe Ligjin për vjedhje të pronësisë intelektuale dhe pengim të rreziqeve të vërteta në internet për inovacionin ekonomik (PIPA), të cilat janë një kërcënim i vërtetë dhe i rrezikshëm për të qenë interneti i hapur çdokund në botë. Si përgjigje, komuniteti i Global Voices ka vendosur t'u bashkangjitet ueb-faqeve siç janë Wikipedia, Reddit dhe BoingBoing, në “errësim” dhe do ta çkyçë ueb-faqen e Global Voices Advocacy për 12 orë, më 18 janar, dhe në ueb-faqet e tjera të Global Voices do ta paraqesë një baner që ofron më tepër informata për ligjet e propozuara.
Ne jemi një komunitet vullnetar ndërkombëtar që i është përkushtuar zgjerimit të mediumeve qytetare në mbarë botën. Në gjashtë vitet e fundit, kemi krijuar mbi 75,000 postime, në mbi 20 gjuhë, që çojnë deri te bloge dhe përmbajtje të tjera qytetare për lexuesit. Përmbajtja jonë është e lirë për t'u përdorur dhe për t'u përbashkuar. Ne mbështetemi në internetin e hapur për ta realizuar misionin tonë, dhe në mediumet sociale dhe ueb-faqet e mediumeve qytetare të cilat mundësojnë publikim dhe përbashkim të thjeshtë të përmbajtjeve. Platformat si WordPress, Wikipedia, Twitter, YouTube, Flickr, Reddit, Tumblr, dhe shumë komunitete të tjera për produksion mediatik onlajn, hostojnë përmbajtje në të cilat bazohet një pjesë e madhe e punës tonë.
Miratimi i SOPA-s dhe PIPA-s nga ana e Kongresit dhe Senatit të SHBA-ve do t'i detyrojë platfromat për mediume sociale dhe ueb-faqet e tjera, të cilat hostojnë përmbajtje të krijuara nga shfrytëzuesit, që t'i mbikëqyrin dhe t'i censurojnë shfrytëzuesit në mënyrë proaktive, me qëllim që t'i pengojnë në postimin e fjalëve ose fotografive që mund t'i shkelin të drejtat autoriale. Kjo do t'i rriste harxhimet për pjesëmarrje në këto ueb-faqe për të gjithë shfrytëzuesit anembanë botës, dhe mund t'i detyrojë shumë projekte të ndërpriten, veçanërisht ueb-faqet dhe bizneset e vogla.
Jemi të brengosur se ky ligj do t'u shkaktojë dëm të madh aktivistëve digjitalë që jetojnë në regjime represive, si dhe do ta kufizojë lirinë themelore të të shprehurit anembanë botës. Ligjet aktuale për mbrojtje të të drejtave autoriale, herë pas here janë keqpërdorur në SHBA, dhe mund të rezultojnë me de facto restriksione në të shprehurit. Në vendet me sisteme juridike më pak të pavaruara, keqpërdorimi i ligjit për të drejtat autoriale për ta shtypur aktivizmin, është i thjeshtë dhe i shpeshtë.
Kontribuesit e Global Voices në shumë vende ballafaqohen me një mbikëqyrje dhe censurim agresiv që është në rritje e sipër. Disa janë burg ose në ekzil për shkak të aktiviteteve të tyre onlajn. Miratimi i këtyre ligjeve do të dërgojë mesazh të qartë se qeveria e SHBA-ve beson se është e pranueshme që qytetarët të mbikëqyren dhe të censurohen për ta identifikuar ndonjë “aktivitet kundërvajtës” që shpeshherë barazohet me mospajtimin politik dhe fetar. Miratimi i SOPA-s dhe PIPA-s, qeverisë së SHBA-ve poashtu do t'i mundësojë një sasi joproporcionale të fuqisë për ta përcaktuar drejtimin e internetit. Rezultati do të jetë një botë më e rrezikshme për bloguesit dhe aktivistët, dhe më pak liri shprehjeje për të gjithë.
Edhe pse versioni aktual i SOPA-s këtë javë u vendos në pritje të pakufizuar, PIPA, versioni i Senatit i këtij ligji, akoma është i gjallë. Poashtu, mbeten edhe problemet dhe forcat që bëjnë shtytje për miratimin e ligjit. Prandaj, Global Voices i bashkangjitet errësimit në internet më 18 janar 2012.
Postimet e fundit në Global Voices Advocacy në lidhje me SOPA-n/PIPA-n:
- Trevor Tim, ”Si PIPA dhe SOPA i shkelin parimet e Shtëpisë së Bardhë për përkrahje të fjalës së lirë dhe inovacionit”
- Katica Rodrigez, “SOPA i dëmton SHBA-të në negociatat e saja për një internet të lirë dhe të hapur”
- Weiping Li, “Për shfrytëzuesit kinezë të internetit, SOPA është edhe një firewall tjetër”
- Yoo Eun Lee, “Akti për pengimin e piraterisë onlajn: Lufta vazhdon”
Resurse të tjera për t'i kuptuar efektet e SOPA-s/PIPA-s:
- Joi Ito dhe Ethan Zuckerman, “Pse duhet t'i ndalojmë SOPA-n dhe PIPA-n”
- “Lista e zezë e ligjeve të internetit“, Electronic Frontier Foundation, Fushata me e-maila e EFF-së kundër legjislacionit dhe Udhëzuesi i EFF për t'i takuar përfaqësuesit tuaj. EFF poashtu sqaron se si SOPA/PIPA do ta dëmtojnë krijimin e softuerit me kod të hapur.
- Dan Rowinsky, “Çka duhet të dini për SOPA-n në vitin 2012“, LexoShkruajUeb
- Wikipedia, “Akti për pengimin e piraterisë onlajn”
- Rebecca MacKinnon dhe Ivan Sigal, “Ligjet për piraterinë onlajn duhet ta ruajnë lirinë e ueb-it, CNN.”
Çka mund të bëni:
- Nëse jeni qytetar amerikan, Americancensorship.org mund t'ju ndihmojë të komunikoni në mënyrë të shpejtë me përfaqësuesit e tuaj të zgjedhur, ose mund t'ju ndihmojë t'i bashkangjiteni grevës. Mësoni më tepër për grevën në www.sopastrike.com.