Projekti “Rruga e Snajperëve”: Dëshmi e rezistencës së të mbijetuarve të rrethimit të Sarajevës

Xhemil Hoxhiq. Foto nëpërmjet Balkan Diskurs nga arkivi privat, e përdorur me leje.

Ky artikull nga Nedžada Avdić u botua fillimisht në Balkan Diskurs, një projekt i Qendrës Kërkimore të Post-Konfliktit (PCRC). Një version i redaktuar ripublikohet nga Global Voices, sipas një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes.

“Rruga e Snajperëve” ishte emri jozyrtar i një zone në Sarajevën qendrore, e cila, gjatë Luftës së Bosnjës, ishte e mbushur me vendqëndrime snajperësh serbë dhe u bë famëkeqe, si një vend i rrezikshëm për civilët.

Xhemil Hoxhiq ishte fëmijë kur vëllai i tij Amel u vra tragjikisht nga një snajper gjatë rrethimit të Sarajevës. I shtyrë nga dëshira për të gjetur foto të vëllait të tij, ai krijoi platformën Sniper Alley (Rruga e Snajperëve) në 2019, me synimin për të mbledhur fotografi, veçanërisht ato të fëmijëve gjatë rrethimit të Sarajevës, i cili zgjati nga prilli 1992 deri në shkurt 1996. Megjithatë, projekti është më shumë se një koleksion i thjeshtë fotografish; është një dëshmi e rezistencës së të mbijetuarve.

Projekti nisi rastësisht, pa shumë planifikim paraprak, i rrënjosur në kërkimin thellësisht personal të Hoxhiqit për fotografitë e vëllait, familjes së tij ose vetes. Në vitet e pasluftës, ndërsa kërkonte në internet për të gjetur foto të së kaluarës, një trazirë e brendshme filloi brenda tij. I bindur nga një mik i besuar, Hoxhiq vendosi ta shkruante historinë e tij në letër dhe të niste projektin.

“Nuk e dija se e kisha këtë te vetja – atë dashuri, atë zemërim, atë dëshirë. Është e gjitha një përzierje që e bën Sniper Alley,” reflekton Hoxhiq.

Xhemil Hoxhiq me të vëllanë Amel. Foto nëpërmjet Balkan Diskurs nga arkivi privat, e përdorur me leje.

Ai prej kohësh i mbante të shtypura mendimet se historia e tij individuale ishte e parëndësishme, një ndjenjë që ende e ndjek kur prezanton projektin, duke mos folur në vetën e parë njëjës. I rritur si fëmijë i prekur nga lufta, askush nuk e pyeti për këtë përvojë apo për vëllanë e tij. Kjo ekzistencë pa fjalë, nxiti një dëshirë për të thyer heshtjen dhe për t'i dhënë një zë historisë së tij.

“Unë besoj se, nëpërmjet inertësisë, kam krijuar një platformë për veten dhe të tjerët për t'u dhënë zë atyre që nuk e kanë”, tregon ai, duke nënvizuar natyrën kolektive të projektit.

Në të vërtetë, projekti nuk ka të bëjë vetëm me udhëtimin personal të Hoxhiqit. Përtej dashurisë për vëllanë e vrarë, vizioni i tij përfshin të gjithë fëmijët e rrethimit të Sarajevës – si ata, jeta e të cilëve u shkurtua tragjikisht dhe ata që i mbijetuan rrethimit në të gjithë brutalitetin e tij. Me kalimin e kohës, motivet personale si dhe të përbashkëta pas projektit u shumuan. Mundësi të shumta të reja u shfaqën dhe ndërsa projekti u degëzua në drejtime të shumta, u bë sfiduese për të artikuluar një përkufizim të ngurtë. Hoxhiq e përshkruan atë si “një arkiv, një bazë të dhënash fotografish, përvojash dhe dëshmish nga të gjithë ne që jetuam tmerret e luftës, rrethimit dhe gjenocidit”.

Hoxhiq vëren se publiku i gjerë duhet të kuptojë plotësisht rëndësinë e vërtetë të projektit Sniper Alley. Në përpjekje për të ilustruar ndikimin e thellë, ai bazohet në një analogji të thjeshtë që nënvizon vlerën e një fotografie të vetme, për të mos përmendur qindra apo mijëra të përpiluara në këtë arkiv unik. Në analogjinë e tij, Hoxhiq e krahason koleksionin e fotografive me studimin e kërpudhave nga të njëjtat rajone të shkatërruara nga lufta. Ashtu si një përpjekje e tillë do të kishte një rëndësi të madhe për Bosnjën dhe Hercegovinën si komb, duke ofruar njohuri dhe dobi për brezat e ardhshëm, fotografitë nga lufta kanë një vlerë unike. Ato shërbejnë si një dritare në realitetet e ashpra të përjetuara gjatë konfliktit, duke ofruar një dëshmi vizuale për jetët e prekura nga rrethimi.

“Është e rëndësishme për të gjallët dhe akoma më e rëndësishme për ata që nuk jetojnë më, për të cilët mund të flasin vetëm të gjallët,” shpjegoi Hoxhiq. Së fundmi ai mori për herë të parë foto nga koleksioni privat i një të moshuare, që ishte ideja fillestare e projektit.

Për të vazhduar projektin dhe për të arkivuar e dokumentuar përmbajtjen e tij, Hoxhiq mbështetet në ekspertizën e një grupi, përfshirë historianë, gazetarë, fotografë dhe aktivistë. Kontributet e tyre janë thelbësore, pasi ata së bashku e transformojnë Projektin Sniper Alley në një platformë të gjerë me vlerë historike. Në këtë mënyrë, Hoxhiq synon të lehtësojë punën e studiuesve dhe gazetarëve të ardhshëm, duke njohur potencialin e projektit si një burim të paçmuar për ata që kërkojnë të eksplorojnë ose hedhin dritë mbi mizoritë, ngjarjet ose jetën e përditshme të së kaluarës gjatë rrethimit të Sarajevës.

Xhemil në 1993. Foto nga Thomas James Hurst, nëpërmjet Balkan Diskurs nga arkivi privat, përdorur me leje.

Çdo imazh ka historinë, peshën dhe kuptimin e vet që mund të mos jetë i qartë tani, por do të zbulohet me kalimin e kohës. Pavarësisht nëse është një arkitekt ose dikush që kërkon një fotografi të vetme të një të afërmi të humbur ose të një rruge të njohur, këto imazhe mund të kenë kuptim të thellë, duke nënvizuar rëndësinë e këtij projekti.

Deri më sot, Hoxhiq ka arritur të ngarkojë 113 galeri në faqen e internetit të projektit. Rrjeti i tij tani shtrihet me 170 fotografë të tjerë, shumë prej të cilëve kanë rënë dakord të kontribuojnë me imazhet e tyre, duke premtuar një përmbajtje të rëndësishme në arkivin gjithnjë e në zgjerim të projektit. Hoxhiq qëndron optimist, në pritje të prurjeve të tyre. Përgjigja nga këta fotografë ka qenë e jashtëzakonshme, duke treguar vitalitetin e qëndrueshëm të imazheve të tyre edhe pas kalimit të shumë viteve. Në përgjithësi, reagimet e fotografëve janë karakterizuar nga mirënjohja, dashamirësia dhe entuziazmi. Projekti Sniper Alley qëndron si një nderim i thellë për punën e tyre, si një platformë për ta për të ndarë përvojat në mënyra që mund të mos kenë qenë si opsion gjatë luftës.

Sa i takon pasurimit të koleksionit të fotografive të projektit, Hoxhiq e pranon se ka ende shumë punë përpara. Sipas tij, në listën e kontakteve ka 350 fotografë dhe nuk ka shkuar as në gjysmë të rrugës. Vetëm kjo shifër ofron një paraqitje të shkurtër në rezervuarin potencialisht të madh të imazheve për t'u zbuluar ende, duke nënvizuar rritjen e vazhdueshme dhe rëndësinë e projektit Sniper Alley.

Është e jashtëzakonshme se si projekti lidh viktimat, të mbijetuarit dhe fotografët. Hoxhiq, duke shpjeguar këtë dinamikë, thotë se zërat e viktimave shpesh harrohen e kujtimet e tyre humbasin me vdekjen e tyre. Shumë mbetën pa një fotografi, një dëshmi vizuale të ekzistencës së tyre, apo edhe një kujtim të paraluftës. Rrethimi dhe lufta i fshinë këto lidhje me të kaluarën, pasi familje të panumërta humbën fotografi të çmuara nga zjarret ose plaçkitjet. Janë fotografët e pranishëm gjatë atyre ditëve që arritën të kapnin të vetmet foto të këtyre fëmijëve. Tragjikisht, këto fotografi shpesh tregojnë fëmijë që ishin viktima të dhunës së pamëshirshme të luftës.

Kështu, e vetmja dëshmi fizike e ekzistencës së tyre qëndron në ato copa letre. Çdo fotografi ka historinë e saj nga një fotograf shpesh i anashkaluar. Hoxhiq thekson se këto foto nuk janë shfaqur nga asgjë dhe rrethanat e kapjes së tyre meritojnë njohje. Nëpërmjet Projektit Sniper Alley, Hoxhiq jo vetëm që kërkon të nderojë kujtimin e viktimave, por edhe të falënderojë fotografët e guximshëm që rrezikuan jetën e tyre për të kapur këto momente të paçmueshme të historisë.

“Për mua, fotoreporterët janë me të vërtetë heronj dhe shpresoj që të paktën t'i kem kthyer respektin,” thotë Hoxhiq.

Megjithatë, Hodžić pranon se ai është i kufizuar në kohë dhe burimet financiare. Në mungesë të donatorëve institucionalë, projekti mbështetet nga përkushtimi i Hoxhiqit dhe donacionet e fundit nga disa individë përmes një fushate në PayPal që nisi. Urgjenca për përmbushjen e misionit të tij theksohet më tej nga vdekja fatkeqe e katër fotografëve me të cilët bashkëpunonte, duke e shtyrë atë të kuptojë nevojën për të përparuar më shpejt me projektin.

Vizioni i Hoxhiqit për të ardhmen është plot plane dhe ide. Megjithatë, koha është gjithmonë një pengesë. Edhe pas katër vitesh përkushtim të palodhur, ai vazhdon të jetë i frustruar nga fakti se megjithëse ka mundësi të panumërta për projektin, nuk ka kohë të mjaftueshme për t'i realizuar ato. Njerëzit që dëshmuan për luftën po ikin.

“Të pathënat vdesin me ta, dëshmitë e tyre, provat, përvojat dhe në shumë raste, fotografitë e tyre,” thekson ai.

Pavarësisht këtyre sfidave, Hoxhiq shpreson. Për të, projekti është një mision i përjetshëm e një kërkim i palodhur për të ruajtur historinë dhe për të bërë që zërat të dëgjohen.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.