Familja e presidentit të Azerbajxhanit zgjedh bujqësinë si një sipërmarrje fitimprurëse

Foto nga Abzas Media

Ky artikull u publikua për herë të parë në Abzas Media. Një version i redaktuar ribotohet këtu sipas një marrëveshjeje partneriteti për përmbajtjen.

Në vitin 1993, pas pushtimit të Jabrayil gjatë Luftës së Parë të Nagorni-Karabakhut, Sattar Veysalov la shtëpinë e tij dhe u transferua në Baku, ku u përpoq të rikrijonte kopshtin që kishte në Jabrayil. Pas fitores së Azerbajxhanit në luftën e dytë, Veysalov, tani 86 vjeç, dëshiron të kthehet në shtëpinë e tij të mëparshme dhe të riketë kopshtin që la 27 vjet më parë, pavarësisht nga koha apo burimet që mund t'i duhen për ta bërë këtë. Ka të tjerë si Veysalov që dëshirojnë të kthehen në shtëpi dhe të punojnë në tokën që dikur ishte streheza e tyre. Kjo, megjithatë, varet nga fakti nëse interesat e shtetit do të pengojnë njerëzit e zhvendosur brenda vendit, si Veysalov.

Ndërsa Veysalov dhe të tjerët nuk kanë parë ende një plan për rishpërndarjen e tokës, disa kompani kanë qenë të zëna duke u marrë me bujqësi në territoret që Azerbajxhani rifitoi pas luftës së dytë të Karabakut.

Duke folur në Ditën e Rinisë më 2 shkurt 2023, presidenti Ilham Aliyev përmendi punën bujqësore të kryer deri më tani në territoret e rifituara:

Tashmë në zonat e çliruara po realizohen projekte të ndryshme bujqësore. Mund të them se këtë vit është planifikuar të mbillen 40-50 mijë hektarë. Do të garantojë sigurinë tonë ushqimore. Shumica e njerëzve që punojnë atje janë të rinj. Prandaj të rinjtë sigurisht që do të luajnë një rol udhëheqës në këto çështje dhe ata duhet të tregojnë nsimën e tyre.

Toka e premtuar

Zona e Nagorni-Karabakut ka qenë nën kontrollin e popullsisë etnike armene si një shtet i vetëshpallur që nga lufta e zhvilluar në fillim të viteve 1990, e cila përfundoi me një armëpushim dhe fitore ushtarake armene në 1994. Pas luftës së parë, u krijua një Republikë e re, e panjohur ndërkombëtarisht, de fakto e Nagorni-Karabakut. Shtatë rajone ngjitur u pushtuan nga forcat armene. Si rezultat i asaj lufte, “më shumë se një milion njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre: azerët u larguan nga Armenia, Nagorni-Karabaku dhe territoret ngjitur, ndërsa armenët lanë shtëpitë në Azerbajxhan”, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Pas luftës së dytë të Karabakut, në vitin 2020, Azerbajxhani rifitoi kontrollin mbi shumicën e shtatë rajoneve të pushtuara më parë. Azerbajxhani gjithashtu pushtoi një të tretën e vetë Karabakut gjatë luftës.

Më 19 shtator 2023, Azerbajxhani nisi një ofensivë ushtarake në rajonin e kontestuar Nagorni-Karabakh, me qëllim që “të rivendoste rendin kushtetues” dhe “të detyronte shpërbërjen e qeverisë” në kryeqytetin Khankendi (Stepanakert në armenisht). Si rezultat i operacionit 24-orësh të cilësuar nga Ushtria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit si një “operacion lokal anti-terror”, qeveria e Stepanakert/Khankendi u dorëzua, duke pranuar marrëveshjen e armëpushimit të hartuar nga Azerbajxhani dhe Rusia më 20 shtator. Azerbajxhani përshëndeti ofensivën, duke e quajtur atë një veprim të suksesshëm për të rivendosur sovranitetin e vendit e duke siguruar armenët e Karabakut që të drejtat e tyre do të ruheshin. Më 28 shtator, qeveria e Nagorni-Karabakut njoftoi se do të shpërbëhej deri në vitin 2024.

Pas Luftës së Parë të Karabakut, shteti u zotua të rishpërndante falas pronën dhe tokën e fermave kolektive shtetërore për fshatarët. Kjo u pasqyrua në ligjin “Për Reformën e Tokës” të miratuar në vitin 1996, veçanërisht në nenin 24 të ligjit që përshkruan transferimin e tokave për njerëzit e zhvendosur brenda vendit, reformën e tokës dhe rimëkëmbejn e ekonomisë, sapo Azerbajxhani të rifitonte territoret.

Megjithatë, ende nuk ka informacion të disponueshëm publikisht për reformën e  tokës ose për programin shtetëror, edhe pse investigimet nga Abzas Media tregojnë se puna për disa nga tokat tashmë ka filluar.

Në përpjekje për të gjetur përgjigje për këto dhe pyetje të tjera, Abzas Media kontaktoi me Natig Hasanov, nënkryetarin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë për Zhvillimin e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm. Megjithëse Hasanov i tha Abzas Media se agjencia mori rreth 180 aplikime për të filluar punën bujqësore në territoret e rifituara gjatë luftës së dytë të Karabakut, ai nuk sqaroi se cilat projekte ishin miratuar, kush ishin zbatuesit e tyre dhe nevojat për investime të projekteve.

Pa përgjigje ka mbetur edhe pyetja e Abzas Media drejtuar Agjencisë së Zhvillimit të Zonave Ekonomike, e cila jep mbështetjen e shtetit për krijimin e agroparqeve.

Në mënyrë të ngjashme, Ministria e Bujqësisë, e cila jep me qira tokë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore në Karabakh, nuk dha informacion për kompanitë të cilave u ishte dhënë toka në Karabak me qira dhe me çfarë kushtesh.

Investigimet e mëtejshme në kompanitë të cilave u është dhënë leje për krijimin e fermave, e çuan Abzas Media te vajzat e presidentit Ilham Aliyev – Arzu dhe Leyla. Sipas të dhënave në dispozicion, Agro Dairy, që merret me mbjellje dhe korrje në Karabakh, menaxhohet nga grupi Pasha Holding. Hetimet e mëparshme në familjen në pushtet të Azerbajxhanit tregojnë se “aksionerët e vërtetë” të Pasha Holding janë: vajzat e presidentit Aliyev, Leyla dhe Arzu; dhe Arif Pashayev, babai i zonjës së parë Mehriban Aliyeva.”

Përveç kompanive të lidhura me familjen në pushtet, Abzas Media hasi në firma që i përkisnin familjes së kryetarit të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Ali Naghiyev dhe Baylar Ayyubov, kreut të shërbimit të sigurisë të presidentit Ilham Aliyev.

Nuk është rastësi që në këto investime janë shfaqur edhe Agro Dairy dhe kompani të tjera të lidhura me shtetin. Në fund të fundit, vetë presidenti Ilham Aliyev tha se ai personalisht “këshilloi personat nga administrata eAgro Dairy dhe agroparku Azersun për të krijuar ferma të ngjashme në tokat e çliruara në Karabakh”, gjatë një vizite vitin e kaluar, në një territor tjetër të rifituar gjatë luftës së dytë.

Sipas përllogaritjeve, pothuajse gjysma e tokës së punueshme në territoret e çliruara u shpërnda midis kompanive të ndryshme që kishin lidhje me qeverinë. Sipas shifrave të shpallura nga Ministria e Bujqësisë në tetor 2021, sipërfaqja totale e tokës së punueshme në zonat e çliruara është rreth 127 mijë hektarë. Më shumë se 2000 hektarë prej saj janë pemë, vreshta dhe kultura shumëvjeçare.

Ende nuk ka informacion të disponueshëm publikisht nëse ndonjë nga këto dhe projekte të tjera është miratuar apo jo. Edhe kompanitë që kanë transportuar makineritë bujqësore në territoret e rifituara pas luftës nuk kanë dëshirë të flasinme mediat. Vugar Bakhtiyarli, drejtor i Agro Fresh fillimisht pranoi të jepte një intervistë për “Abzas Media”, por më pas ndryshoi mendje.

Vahid Maharramov, një ekspert për bujqësinë dhe kryetar i Shoqatës Publike për Mbështetjen e Reformave Agrare, beson se duke vepruar në favor të sipërmarrësve të mëdhenj dhe monopolistë në shpërndarjen e tokës së punueshme, qeveria po hedh themelet për problemet që do të jenë të vështira për tu zgjidhur në të ardhmen:

Toka e punueshme dhe e cilësisë së lartë aktualisht po merret nga Pasha Holding dhe Azersun. Dhe jam i sigurt që së shpejti këto kompani do të marrin plotësisht tokat pjellore që janë pranë burimeve ujore dhe që ka gjasa të shfrytëzohen në një mënyrë më të mirë. Kështu kur fshatarët, vendasit që kanë jetuar atje para pushtimit do të shohin se tokat pjellore janë sekuestruar dhe do t'u duhet të ofrohen vetëm, le të themi, toka të papunueshme pasi të kthehen atje, cili do të jetë rezultati? Aty do të ketë probleme.

Ndërkohë, ish-banorët, si 86-vjeçari Sattar Veysalov, vazhdojnë të presin për leje për të vizituar tokën ku dikur ishte shtëpia e tyre.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.