Kostoja e padukshme e punës në Tajlandë e markave të njohura të veshjeve

Migrant worker Ma Ma Khin

Ma Ma Khin (pseudonim), ish-punëtore emigrante në një fabrikë. Foto nga Prachatai

Ky artikull nga Wanna Tamthong u botua fillimisht nga Prachatai, një faqe e pavarur lajmesh në Tajlandë. Një version i redaktuar është ripublikuar nga Global Voices sipas një marrëveshjeje partneriteti për ndarjen e përmbajtjes.

Ma Ma Khin (një pseudonim) është një punëtore emigrante që u ngrit kundër punëdhënësit të saj për të kërkuar një pagë minimale të drejtë. Ajo punonte në një rrobaqepësi pranë kufirit të Tajlandës, ku ndodhen shumë fabrika, për shkak të një skeme investimi të promovuar nga qeveria në zonën kufitare.

Kompania për të cilën punonte dikur Ma Ma Khin është një fabrikë që prodhon veshje me pakicë për markat e huaja të famshme. Lufta e Ma Ma Khin dhe kolegëve të saj, punëtorë emigrantë, filloi gjatë pandemisë COVID-19. Ma Ma Khin tha se kur COVID-i goditi disa vite më parë, shumë fabrika morën më pak porosi. Për shkak se Ma Ma Khin dhe punëtorët e tjerë emigrantë paguheshin në bazë të punës, kur porositë u ulën, nuk mbetej pothuajse asgjë nga paga e saj mujore. Gjatë asaj kohe, Ma Ma Khin paguhej vetëm 2,000 THB për një muaj qepje (57$) – shumë më pak se minimumi i caktuar nga shteti prej 9,000–10,000 THB në muaj, në varësi të rajonit.

Punëdhënësi nuk ka dha pagën e kërkuar me ligj. Jeta e punëtorëve është më e keqe sesa duhet të jetë normalisht. Shkova te punëdhënësi dhe kërkova një rritje të vogël rroge sepse nuk ishte mjaftueshëm. Punëdhënësit nuk i interesonte. Kushdo që nuk donte të punonte mund të largohej. Por nëse e linim punën tonë atje, ku mund të gjenim një punë gjatë Covid-19? Të bëje kërkesa ishte si të përplasje kokën në mur. Ishte e kotë, sepse nuk morëm asgjë.

Ma Ma Khin tha se kushtet në rrobaqepësi ishin mjaft sfiduese. Ajo duhej të fillonte punën në orën 8:00 të mëngjesit, por ishte e pasigurt se kur do të mbaronte, pasi kjo bazohej në porositë e marra nga fabrika. Sa herë që kishte shumë porosi, punëtorët duhej të punonin edhe natën deri në të gdhirë. 

Kjo punë është qepja e rrobave me kontratë. Ju fitoni sipas sasaisë që bëni. Nëse po pyesni se sa marr, ka pasur ditë që nuk kam marrë fare. Nuk mbaj mend sa copa qep çdo ditë, por e di që kishte shumë pak kohë për të pushuar. Pasi kthehem nga puna, ndjehesha e rraskapitur deri në atë pikë sa nuk mund të haja. Unë punova atje për një vit dhe në kohë normale (para Covid-19); rroga më e lartë që merrja ishte 9,000 baht (257 dollarë amerikanë).

Punëtorët në këtë fabrikë kanë vetëm një ditë pushim në muaj – atëherë kur marrin pagën.

Nuk ishte e lehtë të kërkoje pushim mjekësor. Duhet të jesh i sëmurë në pikën e vdekjes që punëdhënësi të të lejojë të shkosh në spital. Kur po shërohesha, mora vetëm një paracetamol. Jeta e punëtorëve është e vështirë. Nuk jam vetëm unë. Edhe miqtë e mi përballen me të njëjtat probleme.

Pasi Ma Ma Khin dhe mbi njëqind punëtorë emigrantë u mblodhën për të kërkuar paga të drejta, punëdhënësi mbylli portat e fabrikës dhe i pengoi të shkonin në punë. Përpjekjet e Ma Ma Khin për të kërkuar një pagë të drejtë përfunduan me shkarkimin e saj. Punëdhënësi vendosi emrin e saj dhe personave që protestuan në një listë të zezë dhe pronarëve të fabrikave të tjera ju tha të mos i punësonin. Ma Ma Khin mbetet e papunë edhe sot e kësaj dite.

Sidoqoftë, Ma Ma Khin nuk ka rreshtur së luftuari. Ajo dhe punëtorët e tjerë emigrantë u ndihmuan nga grupet e të drejtave të njeriut në ngritjen e një padie kundër një kompanie në Mbretërinë e Bashkuar, e cila zotëron markat e veshjeve, produktet e të cilave prodhoheshin nga djersa dhe mundi i punëtorëve.

E pyetur për vështirësitë e punëtorëve në fabrikën e veshjeve, Ma Ma Khin tha se “jeta e një personi që qep rroba është shumë e dhimbshme. Në fakt, rrobat që veshin të huajt janë të njëjtat veshje që janë (bërë) me djersën dhe lotët e punëtorëve që  vuajnë për to.”

Një punëtore emigrante skanon një copë letër që tregon urdhrin e saj të punës, pagesën dhe tarifat e zbritura. Foto nga Prachatai

Sigurimet shoqërore apo tarifat e policisë?

Ma Ma Khin shpjegoi gjithashtu se ka korrupsion për punën e detyruar në fabrika. Në fletëpagesat që ka marrë, ka një klauzolë që tregon se çdo punëtoreje i është zbritur 3 për qind nga paga. Dokumenti thotë se zbritja është për “sigurimet shoqërore”, por në realitet, punëdhënësit nuk i regjistronin punëtorët në sistemin e sigurimeve shoqërore.

Ma Ma Khin tha se shumica e punëtorëve emigrantë në fabrikë beson se paratë e mbajtura çdo muaj në emër të “sigurimeve shoqërore” janë në fakt një “tarifë policie” e marrë nga punëdhënësi për të paguar policinë. Kjo bazohet në informacionet e dhëna nga drejtuesit e kompanisë.

Thirawat Muphayak, Zëvendës Mbikëqyrësi i Hetimeve në Stacionin e Policisë Provinciale Mae Sot, i tha Prachathai se “tarifa e policisë” është një term i përdorur midis punëtorëve emigrantë dhe punëdhënësve të tyre për t'iu referuar një forme ryshfeti të quajtur “tarifa e mbrojtjes”.

Të gjithë ata që janë punëtorë emigrantë njohin vetëm policinë. Çfarëdo që të veshë një oficer ushtarak, ata i quajnë polici. Çfarëdo që vesh një zyrtar i qeverisë, e quajnë polic, sepse njohin vetëm policinë, por nuk njohin personelin ushtarak dhe qeveritar. Fjala “tarifë policie” është një pagesë mbrojtjeje, kostoja e kujdesit për gjërat, si pretendonte i akuzuari (menaxheri i fabrikës).

Ai tha se drejtuesi ka rrëfyer gjatë hetimit se janë mbajtur shuma nga paga e punonjësve për të paguar ushtarakët, policët dhe zyrtarë të administratës. Megjithatë, ai shtoi se ky pretendim ishte i rremë dhe u përdor për t'i frikësuar punonjësit që të mos largohen.

Është një lloj pretendimi që u thonë punonjësve për t'i trembur dhe t'i ndalojnë të dalin nga ambientet. Kur punojnë, duhet të qëndrojnë në fabrikë dhe të vazhdojnë të bëjnë punë jashtë orarit. Ky është një pretendim i rremë. Kur punëtorët u pyetën nëse kanë parë zyrtarë policorë të vijnë për të kërkuar para, asnjë nga ta nuk e konfirmoi dhe askush nuk tha se e kishte parë atë që pretendonin drejtuesit.

Thirawat tha se një hetim i përbashkët midis ushtrisë, policisë dhe administratës nuk gjeti asnjë zyrtar të përfshirë në zhvatjen e përmendur nga punëtorët. Ai pretendon se menaxherët u thanë punëtorëve këtë si një arsye për tu dhënë më pak rrogë.

Ai shtoi se një menaxher i rrobaqepësisë uli rrogat, duke pretenduar se ishte një “tarifë policie” dhe krijoi një “llogari të fshehtë”. Në bashkëpunim me persona të tjereë, menaxheri merrte kartën e bankës të secilit punëtor dhe tërhiqte paratë që ata zbritën nga paga e punëtorëve përpara ditës së rrogës.

Kërkim llogarie nga investitorët transnacionalë

Suchart Trakoonhutip nga Fondacioni MAP ka një propozim se si t'i bëjnë pronarët e markave të përgjegjshëm:

A ka mundësi që qeveria të krijojë një fond dhe të kërkojë kontribute direkte nga investitorët e huaj? Kushdo që dëshiron të investojë në Tajlandë duhet së pari të kontribuojë në këtë fond dhe nëse investitori shkel të drejtat e [punës] dhe shpëton, qeveria do të përdorë paratë nga ky fond për të kompensuar punëtorët në përputhje me të drejtat e tyre. Ne e kemi propozuar këtë shumë kohë më parë, por nuk ka pasur asnjë shenjë qartësie se çfarë duhet bërë me këta investitorë.

Suchart përmendi punën e Clean Clothes Campaign, një organizatë ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të punës. Nëpërmjet fushatës “Paguani punëtorët tuaj”, markave u kërkohet të kontribuojnë në një fond. Nëse një markë shkel të drejtat e punëtorëve, fondi do të përdoret për tu dhënë ndihmë financiare punëtorëve të prekur.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.