Ish-presidenti i Kazakistanit publikon një libër kujtimesh të diskutueshëm

Libri i ri i ish-presidentit të Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, shitet në një librari. Pamje nga një video në kanalin YouTube të KTK Digital. Përdorimi i drejtë.

Libri me kujtimet e reja të ish-presidentit të Kazakistanit Nursultan Nazarbayev, “Menin omirim. Bodandyktan – bostandykka” (Jeta ime: Nga varësia në liri) më 1 dhjetor, doli në libraritë e Kazakistanit. Në ndryshim nga dhjetëra vepra të tij të mëparshme jopopullore, libri i fundit ka qenë një hit i madh; në një librari në Almaty, qyteti më i madh në vend, u shit menjëherë. Botimi ka 7,500 kopje, në gjuhën kazake dhe rusisht.

Kujtimet e reja janë në pothuajse 700 faqe dhe libri përbëhet nga 22 kapituj, që mbulojnë jetën personale dhe karrierën politike të Nazarbayev dhe historinë moderne të Kazakistanit nga fillimi i viteve 1990 deri në ditët e sotme. Sundimi i Nazarbayev filloi në vitin 1989, kur vendi ishte ende pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe zgjati për 29 vjet, pasi fitoi pavarësinë në vitin 1991. Në 2019, ai u dha dorëheqjen, duke ia dorëzuar pushtetin pasuesit të tij të zgjedhur dhe presidentit aktual Kassym-Jomat Tokayev.

Përveç përshkrimit të detajuar se si Nazarbayev u ngrit nga një punëtor i zakonshëm i fabrikës në një president dhe e udhëhoqi vendin, libri përmban histori të takimeve të tij me liderë botërorë si Mikhail Gorbachev, Angela Merkel, Recep Tayip Erdogan dhe Vladimir Putin. Megjithatë, këto detaje nuk janë ato që krijuan zhurmë, polemika dhe kërkesë të paparë për kujtimet e Nazarbayev. Detajet e sinqerta të jetës së tij personale të shpalosura në libër janë në qendër të vëmendjes.

Nazarbayev konfirmoi thashethemet që vlonin prej kohësh dhe pranoi se kishte një lidhje jashtëmartesore me Asel Isabayeva. Ai ndau detaje se e pa për herë të parë gjatë një udhëtimi në jug, në Taldykorgan, e gjeti më vonë, pasi lexoi lajmet se si ajo fitoi një konkurs kombëtar bukurie dhe më pas erdhi martesa “në përputhje me traditat e myslimanëve”. Poligamia është e jashtëligjshme në Kazakistan dhe Nazarbayev nuk është divorcuar kurrë zyrtarisht nga gruaja e tij Sara Nazarbayeva. Megjithatë, çifti duket se de-fakto është ndarë. Sara ka rimarrë emrin e vajzërisë, Konakai.

Nazarbayev zbuloi se njohja me Isabayevën e ndihmoi atë të “shpëtonte nga vetmia mendore që zgjaste prej vitesh”. Ai tregoi se Isabayeva lindi dy djem. Nazarbayev ka tre vajza me gruan e tij Sara dhe thuhet se ka dy vajza të tjera me një grua tjetër të quajtur Gulnara Rakisheva. Si Isabayeva ashtu edhe Rakisheva janë tokal, një term kazak që përcakton gratë që kombinojnë rolet e të dashurës, gruas dhe bartëses së fëmijëve, pa status zyrtar.

Këtu është një video në YouTube për gruan e Nazarbayev dhe tokalët si dhe fëmijët e tij që ka me to:

 

Një ngjarje tjetër e diskutueshme e trajtuar në libër është Qandy Qantar (Janari i përgjakshëm), protestat më të mëdha dhe më vdekjeprurëse në historinë e vendit që u zhvilluan në janar 2022 dhe rezultuan në vdekjen e të paktën 238 personave. Një shpjegim i pranuar përgjithësisht për protestat është lufta për pushtet midis Nazarbayev dhe Tokayev, të cilën i pari e humbi. Nazarbayev ka mbajtur një profil të ulët që atëherë dhe nuk ka bërë asnjë koment mbi protestat, për të cilat Tokayev fajësoi banditët dhe terroristët e huaj.

Sipas Nazarbayev, një opozitë radikale qëndronte pas protestave të dhunshme. Ish-biznesmeni dhe aktivisti politik kazak në mërgim Mukhtar Ablyazov dyshohet se ka ngritur një kamp në Kiev për t'i koordinuar ata.

Që kur humbi në luftën për pushtet në janar 2022, Nazarbayev ka marrë disa goditje të politikave të tij. Kryeqyteti u riemërua përsëri Astana, pasi mbajti për një periudhë të shkurtër emrin Nur-Sulltan. Ligji kushtetues që i dha Nazarbajevit titullin “Elbasy” (Udhëheqës i Kombit) u anulua. Dita e Presidentit të Parë, e festuar më 1 dhjetor, u anulua.

Në këto rrethana, kujtimet janë përpjekja e Nazarbayev për të shpëtuar imazhin dhe trashëgiminë e tij duke kontrolluar rrjedhjen e detajeve komprometuese të jetës së tij personale dhe duke ndarë versionin e momenteve historike të Kazakistanit.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.