‘Mos u kthe, se do të zhdukesh’: nëna Ujgure i lutet vajzës së saj jashtë vendit

Foto nga një intervistë televizive austriake me Mehbube Abla e postuar në YouTube.

Foto nga një intervistë televizive austriake me Mehbube Abla e postuar në YouTube.

Identiteti i/e autorit/es të kësaj historie është mbajtur anonim për arsye sigurie.

Global Voices intervistoi Mehbube Abla, një Ujgure 38-vjeçare nga Ghulja, një qytet në perëndim të Xinjiang. Në 2004, ajo u largua nga Kina për të studiuar jashtë dhe nuk është kthyer më. Të gjithë anëtarët e familjes së saj që qëndruan në Xinjiang janë burgosur.

Janë 11 milion ujgurë, një komb mysliman turk, që jetojnë në provincën perëndimore Xinjiang në Kinë. Portretizuar gjerësisht si “separatistë të mëmëdheut ” ose thjesht “terroristë” në mediat kryesore kineze, ky grup ka qenë në shënjestër më sistematikisht që kur Xi Jinping u bë president i Kinës në 2012.

Sipas Human Rights Watch, ujgurët janë privuar nga të drejtat themelore të njeriut, duke përfshirë lirinë e fesë, lëvizjen dhe gjithashtu përdorimin e gjuhës së tyre amtare. Dhe sipas dëshmive dhe burimeve të ndryshme, mbi 1 milion ujgurë si dhe pakica të tjera myslimane janë në kampe internimi. Disa të burgosur të kampit dërgohen gjithashtu në sistemin e gjerë të burgjeve të Xinjiang.

Duke pasur parasysh fshehtësinë përreth këtyre kampeve të internimit, të cilat Kina i përshkruan si “qendra të formimit profesional“, numri i saktë i personave të ndaluar aktualisht është vështirë të përcaktohet, por qindra besohet se kanë vdekur gjatë internimit. Informacione më të hollësishme janë në dispozicion në bazën e të dhënave të viktimave të Xinjiang.

Abla është aktive në mediat sociale, ku mbron të drejtat e njeriut të Ujgurëve. Kjo intervistë u zhvillua përmes telefonit në gjuhën Ujgure dhe u redaktua për shkurtësi dhe stil.

Global Voices (GV): Kur u larguat nga Kina?

Mehbube Abla (MA): Në vitin 2004, unë u largova nga Xinjiang për të studiuar në Gjermani dhe një vit më vonë u transferova në Austri, ku jetoj që nga ajo kohë. Në atë kohë, para se të hipja në aeroplan, pashë rreth meje dhe i thashë vetes se ishte hera e fundit që po shihja atdheun tim. E dija që nuk do të kthehesha më kurrë. Sapo u vendosa në Evropë, fillova të bashkohem në takime dhe protesta për kauzën Ujgure. Dy motrat e mia më të vogla gjithashtu jetojnë jashtë vendit.

Prindërit e Mehbube Abla-s. Foto e përdorur me leje

Prindërit e Mehbube Abla-s. Foto e përdorur me leje

GV: A ju kërkuan prindërit që t’i jepni fund aktivizmit tuaj për shkak të ngacmimeve të policisë në shtëpi?

MA: Janë prindërit dhe vëllai im më i vogël në shtëpi që kanë paguar vërtet një çmim për mua duke përdorur lirinë time për të dënuar Kinën. Që kur u bëra një aktiviste, anëtarët e forcës policore kineze kanë shkuar në shtëpinë e prindërve dhe kanë marrë babanë dhe vëllain tim duke i marrë në pyetje disa herë. Por familja ime nuk më akuzoi kurrë se u shkaktova telashe. E vetmja gjë që nëna ime vazhdonte të thoshte ishte “Mos u kthe kurrë! Nëse e bën këtë, do të zhdukesh me siguri! ”. Kështu që gjatë gjithë këtyre viteve nuk jam kthyer më.

Por nuk ishte problem për ne që të flisnim në telefon, deri në prill 2017. Kjo deri kur vëllai im, Adiljan Ablajan, i cili ishte në fillim të tridhjetat, u dërgua në një të ashtuquajtur kamp ri-edukimi. Në shtator 2017, nëna ime Peyzohre Omerjan, u mor. Dhe në tetor të të njëjtit vit, ata morën babanë tim Ablajan Hebibulla.

GV: Çfarë ka ndodhur me familjen tuaj që kur u morën në vitin 2017?

MA: Nëna dhe vëllai im u mbajtën në të njëjtin kamp në fillim, afër shtëpisë sonë. Unë nuk di asgjë për vendin ku mbahej babai im. Në qershor 2018, nëna dhe vëllai im u dënuan me 20 vjet burg, por në tetor 2018 mësova se ata të dy u morën përsëri në kamp sepse vendimi u vlerësua i gabuar. Në nëntor 2019, mora informacionin se nëna ime ishte dënuar përsëri, këtë herë me 19 vjet burg, ndërsa vëllai im mori një dënim me pesë vjet. Vëllai im ishte i martuar dhe kishte një vajzë një vjeçare kur u arrestua në vitin 2017. Kam dëgjuar se gruaja e tij ishte dërguar gjithashtu në një kamp dhe nuk kam ide se çfarë ndodhi me vajzën e tyre. Në të njëjtën kohë unë gjithashtu mësova se babai im ishte dënuar me tetë vjet burg. Nga sa dëgjova, nëna ime po mbahet në një burg për gra në Ghulja, në perëndim të Xinjiang. Nuk e di se ku mbahen babai dhe vëllai im. Por ka pasur lajme rreth të burgosurve ujgurë nga Ghulja që janë zhvendosur në pjesë të tjera të Kinës.

Mehbube Abla duke mbajtur një foto të prindërve të saj. Foto e përdorur me leje.

Mehbube Abla duke mbajtur një foto të prindërve të saj. Foto e përdorur me leje.

GV: A keni qenë në gjendje të zbuloni ndonjë arsye zyrtare për arrestimin e familjes suaj?

MA Jo. Kam pyetur në ambasadën kineze në Austri dhe m'u dha përgjigja shumë e përgjithshme se familja ime “është mirë, dhe ata që shkelën ligjin janë në burg”, dhe kaq. Por familja ime janë qytetarë që i binden ligjit. Nëna ime punon rrobaqepëse, ajo qepë rroba. Babai im është një biznesmen që dikur drejtonte dyqanin e tij duke shitur mallra të importuara. Dhe vëllai im ka studiuar për analiza biomjekësore, por gjithmonë ishte shumë i interesuar për makinat dhe përfundoi duke filluar biznesin e tij të makinave.

Unë besoj se duke dënuar familjen time, autoritetet kineze duan të bëjnë presion mbi mua dhe motrat e mia, dhe të na shkatërrojnë mendërisht. Por nuk do t’i lejoj! Jam edhe më e përkushtuar tani!

GV: Kohët e fundit keni marrë disa lajme për nënën tuaj, a mund të na flisni për këtë?

MA Në shtator, tezja ime thirri papritur motrën time në Norvegji, duke thënë se ajo kishte vizituar nënën time në burg dhe se nëna ime na dërgon përshëndetjet e saj. Sipas tezes sime, nëna ime është mirë dhe i lejohen vizitat dy herë në muaj.

Besoj se autoritetet e detyruan tezen time të na thërriste, si një mënyrë për të më qetësuar, me shpresën se do të hiqja dorë nga aktivizmi im. Çdo kontakt me të afërmit jashtë është i rrezikshëm për Ujgurët këto ditë, kështu që nuk ka asnjë mundësi që tezja ime të thërrasë me iniciativën e saj. Kur u përgjigj në telefon, ajo i tha motrës time: “Mos më pyet asgjë, vetëm dëgjo çfarë kam për të të thënë.”

Derisa të flas vetë me nënën time nuk besoj në asgjë që më thuhet për të. Kjo thirrje nga tezja ime erdhi menjëherë pas një periudhe kur unë kisha qenë shumë aktive në rrjetet sociale. Autoritetet kineze duan të tregojnë se: “Shikoni, ujgurët në të vërtetë mund të kontaktojnë me të afërmit e tyre jashtë vendit.” Besoj se aktivizmi im po ju bënë presion.

Në burgjet kineze, të afërmit duhet të paguajnë 300-400 renminbi kineze (45 deri 61 dollarë amerikanë) çdo muaj, për t'i siguruar një të burgosuri ushqim dhe rroba. Unë e di që tezja ime po paguan këtë shumë për nënën time, por për babain dhe vëllain tim? Është vetëm familja e ngushtë, si vëllezërit e motrat, prindërit dhe fëmijët, që lejohen të vizitojnë një të burgosur. Pra, kush është duke u kujdesur për vëllain tim? Edhe prindërit e tij janë në burg, dhe vëllezërit e motrat e tij tani janë jashtë vendit.

GV: Si e përballoni një situatë kaq stresuese?

MA Sigurisht, kur mora lajmin se çfarë ndodhi me familjen time u shkatërrova. Kam qarë për muaj të tërë. Do të isha më pak e trishtuar nëse ata do të  kishin vdekur. Mendimi për atë që po durojnë në burgun kinez është kaq i dhimbshëm, një barrë aq e rëndë. Por nuk mund të rri vetëm në shtëpi dhe të qaj. Duhet të jem e fortë. Kam dy fëmijë për të rritur. Ëndrroj duke u kujdesur për prindërit e mi. Sa më aktive të jem dhe sa më shumë gjëra të bëj, aq më pozitive ndihem. Kjo është diçka që kam mësuar nga nëna ime e dashur. Do të vazhdoj të luftoj për familjen time.

Read more stories on the persecution of minorities in China’s Xinjiang region  

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.