Kompanitë private që përfitojnë nga vota juaj: Roli i industrisë së ndikimit në mbarë botën

Abstract Illustration with numbers and a vote sign.

Ilustrim i krijuar me Informacionin e Eksploruesit të Industrisë së Ndikimit nga Yiorgos Bagakis për Tactical Tech, i përdorur me leje.

Pavarësisht debatit nëse videot e rreme të krijuara nga AI dhe ChatGPT do të dëmtojnë besimin në zgjedhje ose nëse platformat e mediave sociale do të jenë në gjendje të monitorojnë dezinformatat që nxisin dhunën, teknologjitë dixhitale mbeten një temë kryesore për fushatat zgjedhore të 2024 në mbarë botën.

Mjetet dhe taktikat e fushatës dixhitale janë veçanërisht të vështira për t'u monitoruar, pasi partitë politike shpesh ja besojnë këtë kompanive, agjencive dhe konsulentëve privatë të errët. Në 2023, për shembull, Partia Komuniste e Nepalit (UML) punoi me një konsulent të pavarur për të zhvilluar strategjinë e fushatës, Frente de Todos në Argjentinë pagoi Digital Ads SAS për të zhvilluar përmbajtjen dhe partitë politike indoneziane kontraktuan agjenci “buzzer” për të shpërndarë mesazhin e tyre në rrjetet sociale. Në mbarë botën, ka mbi 500 konsulentë politikë, ofrues softuerësh, ndërmjetës të të dhënave dhe firma teknologjike, që përbëjnë industrinë e ndikimit. Kjo industri do të përfitojë nga zgjedhjet e vitit të ardhshëm, përfshirë në Indi, Indonezi, Gjeorgji, Meksikë, Afrikën e Jugut, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainë dhe SHBA.

Në prag të zgjedhjeve, partitë politike do të përdorin mesazhe për të ndikuar në opinionet dhe veprimet e votuesve. Aktorët politikë mbështeten shumë në platforma, të tilla si Biblioteka e reklamave të Google për Argjentinën, Brazilin, Kilin, Indinë dhe Afrikën e Jugut ose Biblioteka e reklamave politike e Facebook për mbi 200 vende. Megjithatë, kandidatët paguajnë gjithashtu konsulentë privatë dhe të fshehtë për të hartuar strategjinë e tyre të mediave sociale dhe fushatat më të gjera online dhe offline. Kompanitë në industrinë e ndikimit mbledhin të dhëna për vendndodhjet, opinionet dhe sjelljet tona, krijojnë profile votuesish që përfaqësojnë atë që ata besojnë se është interesi dhe prirja jonë politike dhe nga ky informacion, hartojnë fushata dhe përmbajtje për të na nxitur të votojmë për një parti të caktuar ose të na shkurajojnë. Këto firma jo vetëm që kontraktohen për të prodhuar fushata informative dhe të përgjegjshme, por ato mund të përdoren edhe për të përhapur dezinformata ose për të krijuar përçarje. Për shembull, firma famëkeqe Cambridge Analytica dhe bashkëpunëtori i ngushtë AggregrateIQ, u kontraktuan për të përhapur përmbajtje politikisht përçarëse dhe të dhunshme përmes rrjeteve sociale për të frikësuar votuesit në Nigeri.

Pavarësisht se luajnë një rol thelbësor në menaxhimin e pjesëmarrjes politike, këto firma shpesh janë në gjendje të punojnë jashtë syrit publik dhe të shpërfillin proceset e rëndësishme demokratike. Në vendet me sisteme të transparencës zgjedhore – si Argjentina dhe Britania e Madhe – brenda të cilave partitë politike duhet të deklarojnë shpenzimet e tyre financiare për fushatat zgjedhore, faturat shpesh tregojnë shumë pak informacion në lidhje me shërbimet aktuale që ofrojnë firmat dhe ndonjëherë informacioni fshihet qëllimisht. Në Bolivi, grupet e ndikimit nuk kanë nevojë të shqetësohen për mbledhjen e të dhënave kur mund të blejnë grupe të dhënash në CD të lira nga njerëz që ishin punësuar më parë për të prodhuar ato të dhëna për dikë tjetër. Edhe me ligjet për mbrojtjen e të dhënave, firmat e supozuara transparente mund të krijojnë “profile anonime” që shkëpusin përdoruesit nga të dhënat e tyre origjinale, por i përdorin këto të dhëna për të prodhuar profile për të identifikuar individët dhe grupet.

Nëpërmjet të kuptuarit të këtyre firmave dhe rolit të tyre në peizazhin kompleks e gjithnjë e më të paqëndrueshëm të politikës dixhitale, ne mund të fillojmë t'i kërkojmë llogari grupimeve politike dhe të bëjmë zgjedhje më të informuara në ditën e votimit.

Illustration 2024 elections: Indonesia, UK, India, South Africa, Mexico, United States. 500+ political consultants, software providers, data brokers and technology firms.

Ilustrim i krijuar me Informacionin e Eksploruesit të Industrisë së Ndikimit nga Yiorgos Bagakis për Tactical Tech, i përdorur me leje.

A duhet kompanitë private të mbajnë anë në politikë?

Ideologjia politike e një firme ka qenë e rëndësishme për themelet e industrisë së ndikimit, të drejtuar nga të dhënat. Mbulimi mediatik i ndikimit të drejtuar nga të dhënat filloi fuqishëm pas suksesit të taktikave të drejtuara nga të dhënat në fushatat e stilit bazë të Barack Obamës për president të SHBA në 2008 dhe 2012. Shumë nga individët e përfshirë vazhduan të themelojnë firma konsulence, duke përfshirë 270 Strategies, Messina Group dhe Blue State Digital, që të gjitha bashkohen me politikën “progresive”. Në përgjigje të këtyre firmave progresive, Thomas Peters, një bloger konservator, shkroi: “E vetmja mënyrë për të mposhtur demokratët është të mësoni nga përparimet e tyre teknologjike dhe më pas t'i tejkaloni ato.” Me këtë etikë në mendje, ai nisi uCampaign në korrik 2013 – një firmë e lidhur me partinë republikane që zhvillon aplikacione të fushatës. Në një rast të ngjashëm, Harris Media, një kompani komunikimi dhe marketingu, u themelua nga Vincent Harris, një strateg politik konservator i përshkruar si “njeriu që shpiku internetin republikan“.

Të gjitha këto firma kanë eksportuar punën, burimet dhe politikën e tyre në mbarë botën, shpesh duke marrë njohuri që përfitojnë nga axhendat e tyre pa ndikuar në vendet ku jetojnë konsulenti dhe stafi i firmës. Për shembull, firmat private kanë testuar taktika nëpër vende të ndryshme afrikane përpara se të kthehen në Francë ose SHBA. Politika, në disa raste, përputhet me “anët” që ata zgjedhin në vendin e tyre: Harris Media ka punuar me Partinë e Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar (UKIP), Alternative für Deutschland (AfD) në Gjermani dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Nga ana tjetër, Jeremy Bird, i cili themeloi 270 Strategies, punoi me V15, një grup që kundërshtonte Netanyahun. Në disa raste, kompanitë punojnë në grupe të ndryshme politike, varësisht se me kë kanë kontakte dhe kush do të paguajë për shërbimet e tyre. Për shembull, Grupi Messina ka punuar me Enrique Peña Nieto, ish-presidentin e Meksikës, Kyriakos Mitsotakis, kryeministrin e Greqisë dhe Mariano Rajo, ish-kryeministrin e Spanjës. Vlerat me bazë në SHBA të këtyre firmave – pra, politika që ata mbështesin dhe atë që ata e shohin si legjitime si dhe atë që ata e shohin si të favorshme – janë të ngulitura në vizionin e tyre teksa ndikojnë në politikë në mbarë botën.

Këto firma mund të fitojnë shumë para. Sipas Komisionit Federal të Zgjedhjeve të SHBA, i cili është një nga vendet e pakta për të krijuar një përmbledhje të parave të shpenzuara për këto firma, Harris Media fitoi mbi 1.12 milionë dollarë në tre vitet e fundit nga grupet politike amerikane. Crosby Textor (tani CT Group) ka qenë i përfshirë në fushata në Australi, Itali, Malajzi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Sri Lanka dhe Jemen. Sipas Komisionit Zgjedhor në Mbretërinë e Bashkuar, që nga viti 2010, Crosby Textor ka fituar mbi 8 milionë paundë nga puna me Partinë Konservatore dhe gjithashtu ka bërë disa donacione prej mijëra paundësh për partinë.

Ndërsa këto firma përfitojnë nga ndikimi në politikë në mbarë botën, ato mbeten të errëta dhe të pazgjedhura dhe shumë prej këtyre firmave menaxhojnë dhe ndikojnë në drejtimin e fushatave politike – dhe, për rrjedhojë, mjedisin politik – në disa vende. Kompanitë mbledhin të dhëna për individët në një vend, duke analizuar informacionin për të ndërtuar profile që ata mund t'i përdorin në avantazhin e punës së tyre në nivel ndërkombëtar. Informacioni që ata kanë për qytetarët krijon rreziqe, duke përfshirë shkeljen e fshehtësisë së të dhënave, keqpërdorimet e tyre dhe ndryshimin e drejtimit të qeverisjes politike – veçanërisht ato që vijnë gjatë ose pas konfliktit përçarës. Struktura e tyre e biznesit – dhe shpesh vlerat – janë të përqendruara në fitim: përmbajtje që u sjell atyre të ardhura nga reklamat ose u bën thirrje partive politike me fonde, në vend të parimeve të praktikave politike. Kompanitë nuk kanë nevojë të shqetësohen nëse votuesit janë të informuar mirë, nëse ka një diskutim të drejtë midis grupeve ose nëse grupet e nënpërfaqësuara po dëgjohen.

Rritja e këtyre firmave dhe taktikat e fushatës dixhitale që ato mbështesin dhe angazhohen, është e lidhur pazgjidhshmërisht me rritjen e polarizimit politik. Kjo e bën të rëndësishme të kuptohet dhe të vihet në dyshim roli i këtyre firmave në politikë. Nëpërmjet ngritjes së shqetësimit, kërkimit të informacionit nga këto firma dhe transparencës, ne mund të mësojmë se si të rregullojmë ose menaxhojmë në mënyrë efektive mjediset tona politike. Roli i industrisë së ndikimit është thelbësor dhe identifikimi i axhendës së tyre politike dhe fitimprurëse është jetik për të kuptuar madhësinë e fuqisë së tyre për të ndikuar në rezultatet politike – dhe tensionet – në mbarë botën.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.