Pesë gazetarë të arrestuar në dhjetë ditë në Azerbajxhan

Foto nga Aziz Karimov, e përdorur me leje

Arrestimet e nëntorit të gazetarëve të pavarur Ulvi Hasanli dhe Sevinc Vagifgizi dhe aktivistit për të drejtat e personave me aftësi ndryshe Mahammad Kekaklov shkaktuan një valë tronditjeje në gazetarinë dhe komunitetin e shoqërisë civile në Azerbajxhan. Disa gazetarë të tjerë të pavarur u morën në pyetje, si dëshmitarë, si pjesë e hetimit për krimin e dyshuar të kontrabandës nga një grup i organizuar – akuza me të cilat përballen Hasanli, Vagifgizi dhe Kekalov.

Më 1 dhjetor, një prej këtyre gazetareve, Nargiz Absalamova, u arrestua me të njëjtën akuzë dhe u paraburgos për tre muaj. Në një hetim të veçantë, autoritetet e Azerbajxhanit ndaluan dhe akuzuan themeluesin e Kanal 13, Aziz Orujov, me akuza për ndërtime të paligjshme, që Orujev e ka hedhur poshtë që atëherë. Kjo e çon numrin total të gazetarëve të arrestuar në pesë, në vetëm dhjetë ditë.

Aktiviteti vijon normalisht

Vala e re e arrestimeve i bie një kambanë për shumë vëzhgues të Azerbajxhanit, të cilët kanë qenë dëshmitarë të goditjeve të ngjashme më parë. “Situata kurrë nuk ndryshoi realisht,” shpjegon Anar Mammadli, kreu i një organizate të pavarur vëzhguese të zgjedhjeve nga Baku, në një intervistë me OC Media. “Dallimi këtë herë është se grupi i shënjestruar në mënyrë specifike është media e pavarur dhe gazetarët. Autoritetet po dërgojnë një mesazh të qartë: “Kini frikë nga sistemi”.

Midis 2013 dhe 2014, shumë aktivistë u përballën me arrestime dhe forma të tjera persekutimi – dhe megjithëse kishte gazetarë në mesin e të arrestuarve, goditja kishte në shënjestër kryesisht ekspertët e zëshëm të shoqërisë civile të vendit. Sipas Bahruz Samadov, autor nga Azerbajxhani dhe kandidat për doktoraturë në Universitetin Charles, i cili gjithashtu foli në podkastin e OC Media, këto arrestime sinjalizojnë “fundin e mediave të pavarura vendase”.

Që nga arrestimi, Hasanli, Vagifgizi dhe Kekalov janë çuar në paraburgim në pritje të hetimeve. Nëse shpallen fajtorë, ata përballen me deri në tetë vjet burg. Përveç këtyre arrestimeve, policia bastisi zyrat e Abzas Media, ku dyshohet se gjetën 40,000 euro, të cilat gazeta akuzon autoritetet se i kishin vendosur për të falsifikuar provat.

Abzas Media është e njohur për investigimet e saj, përfshirë marrëdhëniet e biznesit të familjes së presidentit Aliyev si dhe korrupsionin e dyshuar në përpjekjet e rindërtimit të ndërmarra në Nagorni-Karabakh që nga viti 2020. Autoritetet nuk arritën të sigurojnë asnjë provë mbi akuzat e ngritura për kontrabandë kundër katër gazetarëve të Abzas Media dhe asnjë provë në rastin e gazetarit të arrestuar të Kanal 13, Aziz Orujov, i cili akuzohet për ndërtim pa leje.

Mbetet për t'u parë nëse mesazhi i qeverisë për të patur “frikë nga sistemi” është i vërtetë. Në podkastin e OC Media, gazetari i pavarur Islam Shikhali tha: “Këto arrestime nuk do t'i ndalin gazetarët e pavarur […] Të gjithë gazetarët e arrestuar deri më tani, e dinin se kjo do t'u ndodhte. Qëllimi është të vazhdojmë punën.”

Hakmarrje

Disa ekspertë thonë se sulmet ndaj gazetarëve janë të lidhura drejtpërdrejt me kritikat e Shteteve të Bashkuara ndaj Azerbajxhanit për operacionin e tij ushtarak në Karabakh në shtator 2023. Samadov vuri në dukje reagimin “neurotik” të Baku-së zyrtare kundër çdo kritike perëndimore, jo vetëm ndaj atyre të Shteteve të Bashkuara.

Në një seri postimesh në X (dikur Twitter), kreu i USAID-it, Samantha Power shkroi:

Dy muaj më parë, operacioni ushtarak i Azerbajxhanit në Nagorni-Karabakh detyroi më shumë se 100 mijë njerëz të linin shtëpitë e tyre dhe të shpërnguleshin në Armeninë fqinje. SHBA vazhdon të qëndrojë me armenët etnikë nga NK.

Bakuja zyrtare ju përgjigj. Në një postim të gjatë, ndihmësi i presidentit Hikmet Hajiyev shkroi: “Gjatë pushtimit 30-vjeçar të tokës së Azerbajxhanit nga Armenia, kur miliona azerë ishin shënjestër e spastrimit etnik famëkeq dhe të përgjakshëm, Shtetet e Bashkuara qëndruan me [] shtetin agresor të Armenisë. Në ditët e sotme, e njëjta politikë vazhdon në të njëjtën formë dhe manifestim.”

Ndërsa Power u zotua për mbështetje të mëtejshme financiare për njerëzit e zhvendosur, Hajiyev vazhdoi me kritikat e tij, duke akuzuar Power për heshtje gjatë kohës së saj si përfaqësuese e përhershme e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi “gjendjen e vështirë të refugjatëve të Azerbajxhanit dhe PZHBV-ve [personat e zhvendosur brenda vendit], e jo më të dënojë pushtimin e Armenisë.” Fjalët e tij të fundit ishin se USAID nuk kishte vend në Azerbajxhan.

Më 15 nëntor, gjatë seancës dëgjimore të Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve “E ardhmja e Nagorni-Karabakut”, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O'Brien zbuloi se SHBA “kërkoi hetues të pavarur” për të “zbuluar atë që ndodhi” para dhe pas ndërhyrjes ushtarake të 19 shtatorit. Ai shtoi se vendi i tij anuloi gjithashtu takimet dhe angazhimet dypalëshe të nivelit të lartë me Azerbajxhanin dhe vijoi t'i bënte thirrje Bakusë zyrtare që të “lehtësojë vajtjen e armenëve të Nagorni-Karabakut, që duan të kthehen në shtëpitë e tyre ose të vizitojnë vendet kulturore në rajon.”

Deklarata e O'Brien nuk u prit mirë dhe Azerbajxhani njoftoi se po tërhiqte ministrin e jashtëm nga takimi i udhëhequr nga SHBA me Armeninë, i cili ishte planifikuar për më 20 nëntor.

Mahammad Kekalov u zhduk më 20 nëntor, ndërsa Ulvi Hasanli u arrestua më 21 nëntor dhe Sevinc Vagifgizi më 22 nëntor. Një javë më vonë, autoritetet arrestuan Aziz Orujev dhe Nargiz Absalamova.

Gjuetia njëvjeçare e shtrigave

Këto nuk janë arrestimet e vetme që kanë ndodhur këtë vit. Në korrik, Azerbajxhani arrestoi ekonomistin e njohur dhe aktivistin Gubad Ibadoghlu:

Gubad Ibadoglu, akademik, ekonomist dhe politikan azer u arrestua dje (23 korrik) në Baku. Gruaja e tij është rrahur nga policia.

Akuza false për qarkullim të parave të falsifikuara nga një grup i organizuar janë ngritur ndaj Ibadoghlu.

Disa aktivistë dhe politikë u përballën gjithashtu me paraburgim administrativ. Shpesh, ndalime të tilla bëheshin pasi aktivistët shprehnin kritika për politikat apo institucionet shtetërore. Sipas platformës së pavarur të lajmeve në internet Mikroskop Media, gjatë verës – midis qershorit dhe gushtit – të paktën shtatë persona u dënuan me paraburgim administrativ, gjashtë u dënuan me paraburgim dhe tre gazetarë u përballën me ngacmime dhe ndërprerje të punës. Policia përdori gjithashtu forcë dhe dhunë joproporcionale ndaj banorëve të Soyudlu kur ata protestuan kundër dëmeve mjedisore të shkaktuara si rezultat i minierave të arit në fshat.

Sipas një liste të publikuar së fundmi nga një grup i pavarur vendor që dokumenton arrestimet e motivuara politikisht, ndalimet e fundit e kanë rritur numrin e të burgosurve politikë në Azerbajxhan në 254.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.