Ekspertët analizojnë ndikimin që do të ketë anëtarësimi i Bashkimit Afrikan në G20

Disa anëtarë të G20 të pranishëm në samitin në Nju Delhi, Indi. Foto nga  nga Flickr (CC BY-ND 4.0 DEED)

Nën presidencën e Indisë, G20 njoftoi më 9 shtator vendimin për të mirëpritur Bashkimin Afrikan (BA) si anëtarin e tij më të ri të përhershëm. 

Shefja e zyrës së DW në Delhi, Amrita Cheema, thotë se India ndërmori këtë nismë për të rritur përfaqësimin. Të gjitha vendet e G20-ës e mbështesin unanimisht vendimin, pasi theksuan rëndësinë e pasqyrimit në këtë strukturë të ekonomive në zhvillim. Përfshirja e BA e transformon G20 në “G20 plus një” dhe anëtarësimi mbështetet nga 55 vende.

Kreu i BA, Azali Assoumani shprehu kënaqësinë për miratimin e pranimit në G20.

Assoumani theksoi se përfshirja e BA do të forconte zërin e shumicës globale brenda G20, duke i ofruar kontinentit afrikan një mundësi për të çuar përpara axhendat e tij në skenën botërore. Duke pranuar sfidat e brendshme të Afrikës, ai theksoi rëndësinë e multilateralizmit dhe bashkëpunimit me vendet e tjera të G20-ës për tu përballur me këto çështje.

G20, ose Grupi i të 20-ëve, është një forum ndërqeveritar që përfaqëson ekonomitë më të pasura në botë. Fillimisht grupi përbëhej nga 19 vende sovrane dhe Bashkimi Evropian (BE). Afrika e Jugut ishte i vetmi vend afrikan anëtar i këtij grupi deri vonë. 

Bashkimi Afrikan me 55 anëtarë, krenohet me një PBB prej 3 trilionë dollarësh dhe një popullsi prej rreth 1.4 miliardë.

Në këtë artikull në AP News, Ebba Kalondo, zëdhënësja e kreut të Komisionit të Bashkimit Afrikan, theksoi se BA ka kërkuar pa u lodhur anëtarësimin e plotë prej më shumë se shtatë vjetësh. Në qershor të këtij viti, kryeministri i Indisë Narendra Modi u shkroi udhëheqësve të G20 dhe sugjeroi mundësinë e anëtarësimit të Bashkimin Afrikan gjatë samitit të shtatorit.

Në përgjigje të këtij lajmi të rëndësishëm, Ayoade Olatunbosun-Alakija në një intervistë me DD India (transmetuesi publik i Indisë), shprehu gëzimin dhe tha se shpreson për përfshirjen e Afrikës në gjeopolitikën globale, duke theksuar rëndësinë e thyerjes së heshtjes dhe dëgjimit të zërave afrikanë. “Ka ndryshime sizmike që ndodhin në gjeopolitikën globale,” tha ajo.

Ndërsa ky vendim i G20-ës festohet nga shumë afrikanë si një mundësi për kontinentin, ekspertët kanë opinione të ndryshme për ndikimin aktual. Disa parashikojnë rritje ekonomike dhe bashkëpunim, ndërsa të tjerë janë skeptikë, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e BA dhe aftësinë e G20 për tu përballur me sfidat unike të Afrikës.

Zëri i Amerikës raporton se disa ekspertë besojnë se të qenit pjesë e G20-ës do t'i ofrojë Afrikës mundësi për rritje ekonomike, investime dhe bashkëpunim me ekonomitë e tjera të mëdha. Megjithatë, të tjerët janë skeptikë, duke e parë BA si simbolike dhe jothelbësore. Ata argumentojnë se G20-ës i mungon aftësia për t'iu përgjigjur në mënyrë efektive sfidave që pengojnë përparimin demokratik të Afrikës, siç janë grushtet e shtetit dhe zgjedhjet e parregullta dhe besojnë se anëtarësimi i BA nxitet nga rivaliteti gjeopolitik.

Në një intervistë me CGTN Africa, Sizo Nkala nga Qendra për Studimet e Kinës në Afrikë në Universitetin e Johanesburgut ndau mendimin e tij se si struktura e BA mund të ndikojë në efektivitetin e saj brenda G20. Sipas Sizo, sfida kryesore me anëtarësimin e Afrikës në G20 qëndron në natyrën ndërqeveritare të BA, në kontrast me organet mbikombëtare si Bashkimi Evropian. Interesat e ndryshme të shteteve anëtare afrikane, duke filluar nga kombet e mëdha si Nigeria tek ato më të voglat si Eswatini (Svazilandi), e bëjnë të vështirë arritjen e konsensusit për çështjet e G20. Ai përmendi raste si konflikti Rusi-Ukrainë, ndryshimet klimatike dhe konfliktet rajonale, ku vendet afrikane përballen me vështirësi për të patur qëndrime të unifikuara. Ai shton:

Do të jetë interesante të shihet se si ata e përdorin anëtarësimin e tyre në G20 dhe të arrijnë në një qëndrim të përbashkët. Ndoshta Bashkimi Afrikan mund të krijojë një mekanizëm për t'u konsultuar me shtetet anëtare përpara samitit të G20-ës, për të qenë efektiv.

Një artikull nga Amani Africa thekson se mungesa e përfaqësimit afrikan në G20 ka rezultuar në vendime joefikase, të ngadalta dhe të njëanshme ndaj vendeve kreditore, duke penguar zhvillimin ekonomik të Afrikës. Ky artikull thekson gjithashtu se anëtarësimi i BA në G20 do t'i sigurojë Afrikës një platformë për të trajtuar shqetësime të tilla si flukset e paligjshme financiare dhe ndryshimet klimatike, duke kompensuar gjithashtu rolin e zvogëluar të Kombeve të Bashkuara në hartimin e strategjive ekonomike. Theksohet gjithashtu se përfshirja e Afrikës në G20 si anëtare përmes BA do ta ndryshonte statusin e saj nga një marrës pasiv në një kontribues aktiv në vendimmarrjen globale ekonomike dhe financiare, gjë që konfirmon disa nga pikat që Ayoade Olatunbosun-Alakija diskutoi në intervistën në DD India

Teksa BA merr rolin si anëtari më i ri i G20, tani G20 plus një, koha do të tregojë shkallën në të cilën kjo përfshirje do të përkthehet në ndryshime thelbësore për kontinentin në skenën globale.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.