Nën hijen e ligjit: Gërryerja e fshehtë e ambientit mediatik në Korenë e Jugut

President Yoon Suk Yeol and first lady Kim Keon Hee stand in front of the official Korean airplane

Presidenti Yoon Suk Yeol dhe Zonja e Parë Kim Keon Hee përshëndesin përpara se të niseshin për në Mbretërinë e Bashkuar më 18 shtator 2022. Baza ajrore e Seulit, Seongnam-si, Gyeonggi-do. Foto nga JEON HAN nga faqja KOCIS Flickr. (CC BY-NC-SA 2.0 DEED).

Ju mund të keni dëgjuar metaforën e bretkosës që vlon. Përralla sugjeron që një bretkosë në një tenxhere me ujë që nxehet ngadalë nuk do të perceptojë rrezikun e menjëhershëm dhe në fund do të zjehet e gjallë. Edhe pse kjo është hedhur poshtë si një mit sesa fakt shkencor, metafora mbetet e fuqishme.

Koreja e Jugut njihet si një vend i zhvilluar ekonomikisht, politikisht dhe me teknologjinë e avancuar. Indekset ndërkombëtare zakonisht e pasqyrojnë këtë, duke treguar renditje të qëndrueshme dhe pa luhatje të konsiderueshme. Megjithatë, ky artikull synon të nxjerrë në pah regresionin e fundit të vendit në media dhe fushën e lirisë së fjalës, një rrymë e fshehtë shqetësuese që nuk raportohet plotësisht në analizat globale.

Qeveria aktuale konservatore, e cila erdhi në pushtet në maj 2022, është përballur me akuza për përdorimin e taktikave që krijojnë një efekt rrëqethës mbi lirinë e fjalës. Kryesorja ndër to është hakmarrja ndaj gazetarëve dhe mediave që kritikojnë presidentin Yoon Suk Yeol, Zonjën e Parë Kim Keon Hee dhe ministrat, me pretekstin e përhapjes së lajmeve të rreme. Raportet përfshijnë raste të ndalimit të gazetarëve nga konferencat për shtyp, nisjen e hetimeve për shpifje dhe ndërhyrje në zgjedhje bazuar në mbulimin e tyre, sipas Yoon dhe Kim. Disa situata madje janë përshkallëzuar në bastisje të shtëpive dhe zyrave të gazetarëve.

Prokurorët bastisin Newstapa, JTBC për intervistat me akuza të rreme

Kjo qasje hakmarrëse u parashikua në janar 2022, kur një bisedë telefonike gjatë fushatës presidenciale u publikua dhe ku Kim kërcënonte se do të burgoste të gjithë gazetarët që kundërshtonin bashkëshortin e saj, kur ai të zgjidhej në postin e kreut të shtetit.

Për më tepër, presidenti Yoon ka nxjerrë një numër të paprecedentë dekretesh përmbarimore, duke ja kaluar paraardhësve të tij. Në kuadrin legjislativ të Koresë së Jugut, ndërkohë që kushtetuta është ligji suprem dhe aktet e miratuara nga Asambleja Kombëtare mishërojnë vlerat kushtetuese, legjislacioni administrativ, si dekretet presidenciale, janë instrumente ekzekutive të krijuara për të vënë në funksion këto akte. Dekrete të tilla, të cilat nuk duhet të bien ndesh me ligjet më të larta, kanë juridiksion mbi të gjitha çështjet administrative. Përdorimi i këtyre dekreteve nga Yoon e ka lejuar shpesh të emërojë aleatë në poste me ndikim, duke anashkaluar kërkesën për miratimin e asamblesë. Dekreti më i fundit, i miratuar në tetor 2023, kufizon mitingjet dhe tubimet pranë zyrave presidenciale.

Emërimet e diskutueshme në qeveri përfshijnë Lee Dong-gwan si kreun e ri të mbikëqyrësit shtetëror të transmetimeve, Komisionit të Komunikimeve të Koresë (KCC) dhe Park Min si kreun e ri të transmetuesit kombëtar të financuar nga qeveria, Sistemi i Transmetimeve Koreane (KBS). Të dy të emëruarit janë zotuar të zhdukin “paragjykimet ideologjike”. Njëkohësisht, administrata ka intensifikuar retorikën e saj kundër “lajmeve të rreme”, një lëvizje që është bërë më e theksuar para zgjedhjeve të ardhshme legjislative në prill 2024.

Udhëheqësi i Partisë së Pushtetit Popullor, anëtar i së cilës është presidenti Yoon, ka dënuar disa media liberale, duke pretenduar se raportimi i tyre i njëanshëm minon demokracinë e vendit dhe barazohet me tradhtinë e lartë që garanton dënimin me vdekje. Për të qenë arbitre e së vërtetës, qeveria ka kërkuar të menaxhojë narrativën publike, veçanërisht në lidhje me trajtimin e fatkeqësive, si natyrore ashtu edhe të shkaktuara nga njeriu. Incidentet e dukshme përfshijnë shtypjen tragjike të turmës në Itaewon, Seul, gjatë festimeve të Halloween-it të vitit 2022, që rezultoi në të paktën 159 të vdekur dhe 196 të plagosur dhe reagimet e pamjaftueshme ndaj përmbytjeve të korrikut 2023 në Osong dhe Yecheon, të cilat shkaktuan viktima të konsiderueshme, përfshirë dhe një marinar. Familjet e viktimave vijojnë të kërkojnë reagim nga autoritetet, por nuk ja kanë arritur qëllimit.

Narrativa e qeverisë shtrihet në perspektiva historike. Qëndrimi i administratës Yoon pasqyron një ndryshim të rëndësishëm nga përkujtimet tradicionale. Nënçmimi i Hong Beom-do, një heroi anti-kolonial që luftoi kundër pushtimit japonez në vitet 1920, së bashku me glorifikimin e Syngman Rhee, presidenti i parë i vendit i njohur për politikat e tij të rrepta antikomuniste, tregon një zhvendosje drejt një narrative që përputhet më ngushtë me interesat amerikane dhe japoneze. Ky rishkrim i historisë jo vetëm që margjinalizon trashëgiminë e rezistencës kundër pushtimit japonez, por gjithashtu duket se riformulon në mënyrë strategjike të kaluarën e vendit për të lehtësuar aleancat gjeopolitike bashkëkohore.

Administrata Yoon, së bashku me Partinë e Pushtetit të Popullit, janë kritikuar për nxitjen e mizogjinisë dhe gjuhës së urrejtjes, duke integruar një retorikë të tillë në fushatat e tyre zgjedhore, angazhimin në mediat sociale dhe politikëbërje. Rritja e fundit e ndjenjave anti-feministe ka çuar në humbje të vendeve të punës për gratë dhe madje edhe sulme fizike. Ndërkohë, presidenti Yoon ka krijuar polemika me propozimet e tij për të mbyllur Ministrinë e Barazisë Gjinore dhe Familjes dhe për të ulur mbrojtjen në punë, veçanërisht për punëtorët emigrantë. Për më tepër, presidenti dhe gruaja e tij thuhet se janë lidhur me blogerë në YouTube të ekstremit të djathtë, duke u dhënë ftesa për inaugurimin presidencial, dërguar dhurata dhe madje duke i emëruar ata në role qeveritare.

Duke reflektuar mbi bretkosën proverbiale – dhe një fjalë të urtë të ngjashme koreane që sugjeron që dikush mund të mos vëre re se po bie shi deri sa të zhytet – secili prej këtyre ndryshimeve politike mund të mos duket si një kërcënim i menjëhershëm dhe asnjë nuk është haptazi i paligjshëm ose autoritar. Megjithatë, efektet e tyre kumulative ngrenë shqetësime për stabilitetin demokratik të vendit. Me zgjedhjet kombëtare në horizont, forcimi i kontrollit nga qeveria ndaj mospajtimit publik dhe mbikëqyrjes së medias, do të jetë një test kritik i përkushtimit të vendit ndaj parimeve demokratike dhe lirive civile.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.