Shkelje të rënda të standardeve të punës nga bizneset japoneze me të ashtuquajturit praktikantë teknikë

City Business People Crowd

Njerëz që shkojnë në punë në mëngjes në Tokjo, Japoni. Foto përmes licencës Rawpixel (CC0 1.0)

Punëtorët emigrantë nga Vietnami, Kina dhe vende të tjera aziatike, të cilët janë të punësuar në Japoni përmes një skeme të qeverisë të quajtur Programi i Trajnimit Teknik të Praktikantëve (TITP) dhe punojnë si praktikantë teknikë, shpesh përballen me probleme. Inspektimet nga Zyrat e Standardeve të Punës zbuluan se 7,247 nga 9,829 kantiere (mbi 70 për qind) me praktikantë teknikë, shkelën standardet e punës ose të sigurisë dhe shëndetit në punë, që ishte niveli më i lartë që nga viti 2003. Shkeljet përfshinin udhëzime të dobëta të sigurisë ose mospagesë e punës jashtë orarit.

Disa shembuj të shkeljeve përfshijnë një kompani që ka praktikantë teknikë që operojnë vinça ose makineri të rënda pa licencë. Në një rast tjetër, një kompani bëri që praktikantët teknikë të punonin jashtë orarit normal të punës, që arrinte mesatarisht 100 orë në muaj. Ndërsa qeveria japoneze kërkon të pranojë më shumë praktikantë teknikë, organizatat e shoqërisë civile po bëjnë thirrje për një zgjidhje të shpejtë të këtij problemi.

TITP u krijua në 1993Qëllimi është të promovojë zhvillimin e aftësive profesionale të praktikantëve teknikë dhe ata t'i transferojnë këto aftësi dhe teknologji në vendet e tyre të origjinës. Megjithatë, në realitet, TITP praktikisht shërben për të rekrutuar punëtorë emigrantë për të plotësuar mungesat e fuqisë punëtore për shkak të faktorëve të tillë si popullsia në plakje e vendit. Në të njëjtën kohë, vendet “dërguese” si Indonezia e shohin këtë skemë si një mundësi për të ofruar më shumë punësim për popullsinë më të re që ka.

Aktualisht, mbi 340,000 persona janë të regjistruar në TITP. Praktikantët teknikë janë kryesisht nga vendet aziatike si Vietnami, Indonezia, Filipinet dhe Kina. Sipas skemës, ata do të jenë në gjendje të qëndrojnë në Japoni dhe të punojnë deri në pesë vjet. Praktikantët teknikë rekrutohen nga “Organizatat Mbikëqyrëse” dhe lidhen me punëdhënësit. Organizatat mbikëqyrëse janë gjithashtu përgjegjëse për ofrimin e mbështetjes për jetën e tyre të përditshme dhe monitorimin e mjediseve të tyre të punës. Në vitin 2020, më shumë praktikantë teknikë punonin në industrinë e ndërtimit (22,5 për qind), pasuar nga përpunimi i ushqimit (19 për qind) dhe industria e makinerive dhe metaleve (14,2 për qind).

Megjithëse kanë kaluar mbi 30 vjet që nga nisja, disa kanë vënë në dukje se skema i bën praktikantët teknikë të cenueshëm ndaj shkeljeve të ndryshme të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të punës.

Kjo rrjedh nga hartimi i programeve të TITP me rregulla që ndalojnë praktikantët teknikë të ndërrojnë punëdhënës dhe mbikëqyrje të dobët nga organizatat. Në fakt, kjo solli disa raste të rënda keqtrajtimi, duke përfshirë abuzimin fizik ose psikologjik, konfiskimin e pasaportave dhe mosdhënien e pagave nga punëdhënësit, duke e bërë të vështirë ikjen nga vende të tilla pune.

Në kuadër të TITP janë raportuar edhe raste të trafikimit të qenieve njerëzore. Për ta përkeqësuar situatën, praktikantët teknikë shpesh detyrohen të paguajnë tarifa të kripura rekrutimi nga ndërmjetësit e tyre dhe shpesh janë në borxh në kohën kur lëvizin në Japoni. Një raport sugjeron se mbi gjysma e praktikantëve teknikë kanë marrë hua mesatarisht 3600 dollarë për të paguar organet ndërmjetësuese gjatë procesit të rekrutimit. Në situata të tilla, atyre nuk u mbetet gjë tjetër veçse të durojnë trajtimin e padrejtë nga punëdhënësit e tyre, nga frika e pushimit nga puna ose dëbimit.

Në vitin 2021, një praktikant filipinas u pushua padrejtësisht nga puna dhe ju bë presion për t'u kthyer në shtëpi pasi u plagos rëndë në punë. Në këtë rast, u konstatua gjithashtu se kompania nuk i kishte respektuar standardet e punës apo nuk kishte ofruar përfitimet e nevojshme për të gjatë kohës që ai mungonte në punë. Me mbështetjen e një sindikate, ai mundi të merrte kompensim nga kompania.

Mbrojtje problematike

Akti i Japonisë për trajnimin e duhur teknik të praktikantëve dhe mbrojtjen e praktikantëve teknikë parashikon mbrojtjen e tyre në rast të shkeljeve në punë ose të të drejtave të njeriut dhe përcakton që bizneset që konstatohet se kanë shkelur standardet e punës do të pezullohen nga programi ose do t'u hiqen licencat, duke i penguar që të pranojnë praktikantë teknikë të ardhshëm. Sipas këtij ligji, praktikantëve teknikë duhet t'u ofrohen rrugë për të raportuar sjelljete pahijshme të mundshme të punëdhënësve të tyre te subjekti operativ i programit, Organizata për Trajnimin e Praktikantëve Teknik (OTIT).

Qeveria japoneze ka nënshkruar memorandume mirëkuptimi me vendet “dërguese” nga janë praktikantët teknikë, një prej të cilave ishte me qeverinë vietnameze në 2017. Të dyja qeveritë u zotuan të bashkëpunojnë për të eliminuar ndërmjetësit keqdashës nga skema dhe të hetojnë çdo shkelje të ligjeve nga Organizatat Mbikëqyrëse, ndërmarrjet dhe ndërmjetësit. Për më tepër, Ministria e Punës, Invalidëve dhe Çështjeve Sociale të Vietnamit i kërkesoi autoritetit japonez të siguronte që punëtoret vietnameze të mos detyrohen të kthehen në vendin e tyre në rast shtatzënie. Ka pasur raste të shumta kur praktikanteve teknike u kërkohet të mos mbeten shtatzënë gjatë skemës, nën kërcënimin e kthimit në atdhe ose pushimit nga puna.

Ekspertët e OKB-së dhe qeveria e SHBA kanë ngritur shqetësime për dënimet e papërshtatshme për shkelësit. Në vitin 2022, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, gjatë shqyrtimit të raportit, vuri në dukje se ata që përdorin TITP për trafikimin e qenieve njerëzore nuk janë sanksionuar siç duhet, duke shtuar se shumë raste marrin vetëm dënime me kusht ose gjoba të vogla. Në mënyrë të ngjashme, Raporti i Trafikimit të Personave nga qeveria e SHBA, duke cituar organizatat e shoqërisë civile, vuri në dukje hezitimin e autoriteteve japoneze për të hetuar në mënyrë aktive rastet e mundshme të trafikimit që kanl lidhje me TITP.

Sipas ligjit, si ndërmarrjet ashtu edhe organizatat mbikëqyrëse do të sanksionohen me masa administrative nëse shkelin legjislacionin përkatës të punës. OTIT nxjerr rregullisht një listë të ndërmarrjeve që kanë marrë masa disiplinore ose heqje licencash. Pavarësisht përhapjes së shkeljeve të standardeve të punës, vetëm rreth 120 kompani humbën lejet e tyre për të pranuar praktikantë teknikë në vitin 2022. Në të njëjtin vit, një kompani u raportua se u paralajmërua  për të marrë masa për zgjidhjen e situatës. OTIT thekson se ministritë kompetente vendosin llojet e gjobave në bazë të çdo rasti individual.

Qeveria ka bërë përpjekje për të zgjidhur këtë çështje duke ofruar mbështetje teknike për praktikantët për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e tyre të punës duke vënë në dispozicion dokumente në shumë gjuhë, për rregullat për të ndryshuar vendet e tyre të punës dhe linja shumëgjuhëshe telefonike.

Në nëntor 2022, një panel ekspertësh u krijua nga Ministria e Drejtësisë dhe tani po shqyrton reformimin e sistemit aktual. Raporti i majit 2023, zbuloi se qeveria po kërkon të shfuqizojë TITP-në aktuale dhe ta zëvendësojë atë me një sistem të ri. Raporti thekson gjithashtu rëndësinë e lehtësimit të kufizimeve për ndryshimin e punëdhënësve si dhe forcimin e rregulloreve mbi Organizatat Mbikëqyrëse që nuk arrijnë të mbrojnë praktikantët teknikë nga shkeljet e drejtave të njeriut në vendet e tyre të punës.

Megjithatë, organizatat e shoqërisë civile mbeten të shqetësuara se ky plan reformimi mund të jetë i paefektshëm nëse nuk siguron lirinë për të ndryshuar punësimin, nuk ndalon tarifat e shumta të rekrutimit dhe punën e detyruar pasuese dhe nëse nuk lejon mundësi për dhënien e zgjidhjeve në të ardhmen. Raporti përfundimtar nga paneli pritet të dalë së shpejti.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.