Netizen Report: Si po ndikojnë protestat në Liban te të drejtat digjitale?

Demonstrues në Bejrut. Foto e shpërndarë në Twitter nga @michatobia

Raporti Advox i Netizen ofron një panoramë ndërkombëtare të sfidave, arritjeve dhe trendeve në rritje në teknologji dhe të drejtat e njeriut anembanë botës. Ai mbulon lajmet dhe ngjarjet nga 13-25 tetor 2019.

Demonstratat masive publike kanë përfshirë Bejrutin, Tripolin dhe qytete të tjera të mëdha libaneze që nga 18 tetori, pasi njerëzit dolën në rrugë për të protestuar kundër korrupsionit qeveritar, dështimeve të shërbimeve publike dhe taksat e larta. Një shkak i rëndësishëm i protestave qe një taksë e përditshme mbi përdorimin e programeve si WhatsApp dhe Facetime.

Taksa e WhatsApp-it është hequr, por protestat janë intensifikuar nga dita në ditë. Rrjetet sociale janë mbushur me fotografi dhe video prej dhjetra mijëra njerëzve nga fusha të ndryshme të jetës që demonstrojnë së bashku dhe bëjnë thirrje jo vetëm për reforma politike, por për zgjedhje të parakohëshme. 

Për të marrë më shumë informacion rreth protestve në Liban, po ndjekim:

Ka patur gjithashtu përplasje të dhunshme, të shkaktuara kryesisht nga forcat ushtarake dhe policia që kërkojnë të bllokojnë protestuesit. Sipas aktivistëve vendas, ato kanë çuar në deri në 300 arrestime. Fotografitë e skenave të arrestimit të shpërndara në Twitter treguan se protestuesve të ndaluar, të cilët u rreshtuan krah për krah në rrugë, u janë marrë celularët.

Këto përpjekje përkojnë me fushatat digjitale që shkurajojnë njerëzit nga marrja pjesë në protesta, të shpërndara nëpërmjet WhatsApp-it dhe shërbimeve të tjera të rrjeteve sociale.

Gazetarët vendas dhe mediat e pavarura kanë mbuluar aktivisht demonstratat, ndërsa media e mbështetur nga qeveria ka mbetur kryesisht në heshtje. Më 22 tetor, kreu i Agjencisë Kombëtare të Lajmeve u shkarkua me pak shpjegime. Gazetari i Daily Star, Benjamin Redd pyeste në Twitter: “A u shkarkua shefja e NNA-së, Laure Slejman?”

Krerët e lartë të shtetit mbajtën fjalime në 21 tetor, duke pranuar ankesat e protestuesve dhe duke u zotuar se do të përmirësojnë shërbimet publike dhe politikat e ndryshme, por reagimi mbizotërues nga demonstratat ka qenë se kjo nuk është e mjaftueshme. Siç e tha vetë drejtori ekzekutiv i SMEX-it dhe autori i Global Voices, Mohamad Najem:

Protestuesit sot: Ne nuk duam t'ia dimë për sugjerimet e reja të reformave të Haririt, përpara afatit përfundimtar. Poshtë gjithë ky sistem politik. Ne duam një qeveri të përkohshme e cila do të organizojë zgjedhje të reja në vitin e ardhshëm. Këto janë kërkesat tona politike

Në Kashmir rrjeti telefonik është rikthyer, por jo interneti 

Më 14 tetor, pas një ndërprerje 72-ditore komunikimi, autoritetet Iidiane në Kashmir risollën SMS-të dhe shërbimet telefonike për abonimet me kontratë. Por shërbimet e internetit dhe shërbimi me parapagim mbeten ende të pezulluara.

Srinagar, qyteti kryesor në Xhamu dhe Kashmir, u izolua plotësisht më 5 gusht 2019 kur qeveria e Indisë tërhoqi Artikullin 370 të kushtetutës indiane që i jepte status të posaçëm autonom shtetit të diskutueshëm të Jammu dhe Kashmirit. Aksesi i celularëve, linjës tokësore dhe rrjeteve të internetit u pezullua, ndërsa u bllokuan rrugët. Ndonëse disa nga këto masa janë hequr tashmë, rajoni vazhdon të kontrollohet nga autoritetet indiane.

Pse aktivistët arabisht-folës (dhe përdoruesit e rregullt) censurohen në Twitter?

Qindra përdorues të Twitter , shumica e të cilëve shkruajnë kryesisht në arabisht dhe ndodhen në Egjipt, ose u janë censuruar komentet në Twitter ose u janë pezulluar llogaritë. Twitter ka kërkuar falje për pezullimet e gabuara, por nuk e shpjegoi se çfarë e shtyu të ndërmarrë një veprim të tillë. Ekspertët që po merren me këtë çështje kanë vënë re se më të censurat kanë qenë fjalët ofenduese, të cilat gjithsesi nuk janë të ndaluara në Twitter.

Ajo që në fillim dukej si një seri gabimesh tani duket si diçka më e madhe dhe aktivistët në internet po mbajnë shënim, duke vënë në dukje pezullimet e llogarisë me hashtag-ët #Do Të Flasim dhe … هنتكلم#

Zyrtarët iranianë përpiqen të ndalojnë Google Play Store

Më 9 tetor, ofruesit e shërbimit të telekomunikacioneve iraniane u urdhëruan të bllokojnë Google Play, dyqanin zyrtar të aplikacioneve të Google, “sa më parë të jetë e mundur”. Urdhëri thuhet të jetë lëshuar nga zëvendësprokurori i përgjithshëm i ngarkuar me hapsirën në internet, Javad Javidnia.

Po të zbatohet me sukses, kjo do t'i shtyjë iranianët drejt përdorimit të shërbimeve vendore që janë shumë më të ekspozuara ndaj mbikqyrjes së qeverisë, censurës dhe keqpërdorimit të të dhënave personale në krahasim me shumë shërbime globale në internet. Edhe Amin Amirsharifi, CEO i Cafe Pazar, (dyqani më i madh vendas i aplikacioneve në Iran dhe një konkurrent kryesor i Google Play), postoi në Twitter se ai nuk e mbështeste masën.

Zuckerberg nuk ia del ta paraqesë Facebook-un si një fener të fjalës së lirë

Në një fjalim të mbajtur më 18 tetor në universitetin e Georgetown, CEO i Facebook Mark Zuckerberg lavdëroi amandamentin e parë të SHBA-ve dhe e portretizoi Facebook-un si një platformë që kishte ndihmuar internetin për mirë, duke përqafuar vlerat e shprehjes së lirë.

Ky fjalim i la shumë skeptikë ekspertët e të drejtave dhe politikave civile. “Ndërsa mburret për efektet ndriçuese të përhapjes së njohurisë dhe informacionit, ai shpërfill atributet toksike të kompanisë së tij”, shkroi profesorja e Universitetit të Virxhinias Siva Vaidjanathan.

Në një opinion në Washington Post, presidenti i Fondit Ligjor të Mbrojtjes së NAACP-it, Sherilin Ifill i kërkoi CEO-s së Facebook-ut  të mos përmendë emrat e udhëheqësve të të drejtave civile të SHBA, si Martin Luther King Xhunior, arritjet e të cilëve u përpoqën të lidheshin me vlerat e shprehjes së lirë të kompanisë.

Ajo që Zuckerberg nuk mundi dot të vinte në dukje ishte fakti që King ishte subjekt i sulmeve të dhunshme (dhe në fund vrasjes) që ishin rezultat i të njëjtit lloj fushatash dezinformuese të nxitura nga urrejtja, që infektojnë internetin dhe tani këto fushata synojnë një brez të ri të drejtuesve të të drejtave civile.

Më 21 tetor, një koalicion prej më shumë se 40 organizatash të të drejtave civile me bazë në SHBA nënshkruan një letër të përbashkët duke përmendur “shpërfilljen e pamatur të të drejtave civile”. Ata i kërkuan Facebook të hiqte reklamat diskriminuese, fjalimet e supremacistëve të bardhë dhe shtypjen e votuesve në platformën e saj.

Gazetari nigerian mund të përballet me akuza për regjistrimin e bisedimeve në burg

Gazetari nigerian Fisajo Soyombo së shpejti mund të përballet me akuza penale për punën e tij të fshehtë, duke hetuar sistemin e burgjeve të Nigerisë. Në nëntor 2018, Soyombo qëllimisht nuk pagoi një gjobë makine në mënyrë që të arrestohej dhe të vëzhgonte drejtpërsëdrejti sistemin e burgjeve. Gazetari fitues i një çmimi kaloi pesë ditë në paraburgim dhe tetë ditë pas qelive në burgun e Ikojit, në Lagos, ku ai vëzhgoi, dokumentoi dhe më pas raportoi mbi incidente të shumëfishta mitmarrjeje, abuzimi të të burgosurve nga rojet dhe forma të tjera korrupsioni.

Sojombo ka “qëndruar i fshehur” pasi u largua nga rezidenca e tij më 21 tetor. Po të gjendet dhe arrestohet, ai do të akuzohet në bazë të Seksionit 29 të Aktit të Shërbimit të Korrektimit të Nigerisë (nënseksioni 1) për zotërimin dhe përdorimin e “pajisjeve të komunikimit” brenda burgut për të regjistruar “biseda nëpërmjet një telefoni celular apo pajisjeve të tjera” pa autorizim. Po të dënohet, ai rrezikon një gjobë që nuk i kalon 2 milion naira (rreth 5,500 dollarë), dy vjet burg apo të dyja.

A do të mundet dot të mbrojë qeveria tranzitore e Sudanit lirinë e shprehjes?

Qeveria tranzitore e Sudanit, në gusht 2019, pas rrëzimit të Omar al-Bashir, po tregon disa shenja për të mbrojtur lirinë e shprehjes në vend. Në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në fund të shtatorit 2019, kryeministri sudanez Abdullah Hmadok nënshkroi Zotimin Botëror për të Mbrojtur Lirinë e Medias dhe deklaroi se kurrë më në Sudanin e ri nuk do të shtypet apo burgoset një gazetar.

Më parë atë muaj, Këshilli i Sovranitetit i Sudanit, i cili ka për qëllim të drejtojë për tre vite Sudanin drejt pushtetit civil, lëshoi një dekret duke vendosur Autoritetin Rregullator të Postës dhe të Telekomunikacioneve nën autoritetin e Këshillit dhe larg Ministrisë së Mbrojtjes. Por rregullat dhe politikat në të cilat rregullatori funksion janë ende të pandryshuara dhe autoriteti ka qenë një lojtar kyç në vendosjen dhe zbatimin e politikave të censurës së regjimit të mëparshëm me filtrimin dhe sistemin e bllokimit.

“Ligjet e zvarritura vënë kufizime të paqarta në këto të drejta bazë dhe lejojnë autoritetet të bllokojnë dhe filtrojnë përmbajtjen pa një urdhër gjyqësor,” shkruan Mohamed Suliman në një analizë për Global Voices.

Kërkim i ri

Autoritarizmi digjital në Egjipt: Arrestime për Shprehjen Digjitale 2011-2019- Fondi i Hapur i Teknologjisë

India përdor procesin ligjor të jotransparent për të shtypur gazetarinë e Kashmirit, koment në Twitter- Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve

A jemi ne më të mirë në gjykimin e së drejtës nga e gabuara? Automatizimi në përmbajtje -Namita, GenderIT.org

Abonohuni tek Netizen Report

 

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.