Ky artikull u botua fillimisht nga Africa Feeds dhe një version është ribotuar në Global Voices si pjesë e një marrëveshjeje partneriteti për ndarjen e përmbajtjes.
Mashtruesit kanë përdorur inteligjencën artificiale (AI) për të imituar kryetarin e Komisionit të Bashkimit Afrikan, Moussa Faki Mahamat. Komisioni i Bashkimit Afrikan (KBA) funksionon si degë ekzekutive dhe administrative, duke shërbyer si sekretariat i Bashkimit Afrikan (BA) dhe mund të krahasohet me Komisionin Evropian.
Faki ishte viktimë e krimit kibernetik, pasi autorët përdorën mjetet e inteligjencës artificiale për të imituar identitetin e tij dhe u përpoqën të kontaktonin udhëheqës të tjerë, nën pretendime të rreme.
Si kryetar i KBA, Faki në mënyrë rutinore u dërgon komunikime formale udhëheqësve globalë kur organizon takime, një proces i njohur si një “note verbale“. Kjo mënyrë diplomatike është një procedurë standarde për caktimin e takimeve midis udhëheqjes së Bashkimit Afrikan dhe përfaqësuesve të vendeve të tjera ose organizatave ndërkombëtare.
Në një postim në X (ish-Twitter), zëdhënësja e kryetares së KBA, Ebba Kalondo, bëri të ditur se mashtruesit imituan me sukses zërin e Fakiut, duke bërë thirrje me video në kryeqytetet evropiane, me preteksin për organizimin e takimeve. Ajo deklaroi:
Pranksters made deepfake videocalls pretending to be Chairperson @AUC_MoussaFaki to severa European capitals. The @_AfricanUnion reiterates its strict adherence to diplomatic protocol and exclusive usage of Note Verbale for high-level engagement requests. Our statement as below: pic.twitter.com/zKkzTNMgYD
— Ebba Kalondo (@EbbaKalondo) October 13, 2023
Mashtruesit bënin video-telefonata të rreme në disa kryeqytete evropiane, duke u shtirur si kryetari @AUC_MoussaFaki. @_AfricanUnion përsërit respektimin e rreptë të protokollit diplomatik dhe përdorimin ekskluziv të Note Verbale për kërkesat e angazhimit të nivelit të lartë. Deklarata jonë si më poshtë:
Sipas një deklarate nga KBA, kriminelët kibernetikë përdorën adresa të rreme emaili, duke u prezantuar si zëvendës shefi i stafit të organizatës për të planifikuar telefonatat midis liderëve të vendeve të huaja dhe Fakiut. Ata gjithashtu zhvilluan takime online me liderë të ndryshëm evropianë, duke përdorur modifikimet e videos për të imituar Fakiun.
Deklarata e KBA shpreh keqardhjen për këto incidente, duke theksuar se komisioni përdor ekskluzivisht kanale diplomatike zyrtare për komunikim me qeveritë e huaja, zakonisht përmes ambasadave të tyre në Addis Ababa, ku ndodhet selia e BA.
“Komisioni i Bashkimit Afrikan përsërit respektimin e rreptë të protokollit diplomatik dhe përdorimin ekskluziv të note verbale për kërkesat e angazhimit të nivelit të lartë,” tha Kalondo në një postim në X.
Deklarata e BA ju referohej këtyre emaileve mashtruese si “phishing”, duke treguar qëllimin e autorëve për të vjedhur potencialisht identitete dixhitale për akses të paautorizuar në informacione të privilegjuara.
Deepfakes, teknologjia e shfrytëzuar nga kriminelët kibernetikë, po popullarizohet në Afrikë dhe nganjëherë përdoren nga disa subjekte për të shpërndarë dezinformata dhe propagandë. Këto teknika përfshijnë përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale për të krijuar video ose audio bindëse të dikujt që thotë ose bën gjëra që nuk i ka bërë në të vërtetë.
Në janar të këtij viti, videot filluan të qarkullojnë në mediat sociale në Burkina Faso, duke treguar një grup njerëzish që i bënte thirrje qytetarëve të mbështesin juntën ushtarake. Këto video mashtruese u krijuan duke përdorur Synthesia, një softuer i inteligjencës artificiale i krijuar për gjenerimin e videove. Video të ngjashme qarkulluan në Mali vitin e kaluar. Gjithashtu, në një rast famëkeq në Gabon në vitin 2018, një video e dyshuar e falsifikuar pothuajse rrëzoi qeverinë, siç raportohet nga revista Africa Defense Forum (ADF).
Sipas kërkimit të IFC dhe Google, ekonomia elektronike e Afrikës është gati të japë një kontribut të rëndësishëm prej 180 miliardë dollarësh në ekonominë e përgjithshme deri në vitin 2025. Megjithatë, dixhitalizimi i shpejtë sjell me vete edhe kërcënime të mundshme. Vlerësohet se vetëm krimi kibernetik mund t'i kushtojë Afrikës deri në 4 miliardë dollarë në vit, siç raportohet në faqen e internetit “Investment Monitor”.
Ndërsa KBA shprehu keqardhjen për incidentin e krimit kibernetik që kishte në shënjestër Moussa Faki Mahamat dhe theksoi angazhimin e saj për t'iu përmbajtur në mënyrë rigoroze protokollit diplomatik, organizata nuk ofroi asnjë detaj në lidhje me hetimin dhe arrestimin e autorëve, as ndonjë masë që KBA planifikon të zbatojë për të parandaluar sulmet e ardhshme.