Racizmi në jetën e përditshme të Rusisë: “Edhe pse je Buryat, prapë je një nga ne”

Foto nga faqja e internetit e Baikal People Journal: Një ilustrim që paraqet stereotipe rreth Buryatëve. Përdoret me leje.

Ky artikull u botua në Baikal People Journal më 14 shtator 2023. Një version i përkthyer dhe i redaktuar është ribotuar në Global Voices me leje.

Buryatët, një grup etnik me prejardhje mongole, e kanë origjinën në Siberinë juglindore. Ata përfaqësojnë një nga dy popullsitë mbizotëruese indigjene në Siberi, së bashku me Yakutët. Sot, shumica e Buryatëve banojnë në atdheun e tyre, Republikën e Buryatias. Kjo provincë federale e Rusisë shtrihet përgjatë vijës bregdetare jugore dhe përfshin pjesërisht liqenin Baikal. Rajoni, së bashku me shumë zona të tjera të varfra e të largëta të Rusisë, u shënjestruan në mënyrë disproporcionale për mobilizimin ushtarak në luftën ruse kundër Ukrainës.

Që nga fillimi i konfliktit në Donbas, një meme është shfaqur për “boevoy Buryat” (“Buryat të gatshëm për betejë”) të përgatitur për të sakrifikuar veten për Putinin. Kjo meme u bë popullore pas fillimit të pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës. Kjo ka ekspozuar një rrymë shqetësuese të racizmit, në një vend që betohet se do të ‘luftojë kundër nazistëve’. Konflikti gjithashtu ka nxjerrë në pah në mënyrë disproporcionale aziatikët si fytyrën e luftës, edhe pse ata përfaqësojnë një pakicë absolute për sa i përket përqindjes së pjesëmarrjes aktive në konflikt. Së bashku me një vullnetar anonim nga një fondacion bamirësie dhe Purbe Dambiev, një aktiviste nga Qendra Buryat në Mongoli, sjellim disa fraza diskriminuese kundër komunitetit Buryat. 

“Mendova se mund të ruash vetëm bagëti” ose “Ua, mund ta bësh këtë?”

Këto shprehje nënçmuese bazohen në stereotipe për inteligjencën ose kualifikimet e ulëta të aziatikëve në Rusi. Ndërsa mund të duket se komente të tilla nuk janë më aq të përhapura, përvojat e jetës reale dëshmojnë të kundërtën.

Një vullnetare kujtoi një incident kur ajo dhe shoqja e saj morën pjesë në një aktivitet në Moskë. “Kur u prezantova dhe përmenda se punoj si avokate, një burrë u befasua dhe tha: “A mund ta bësh këtë?” Sipas tij, të gjithë aziatikët që jetojnë në qytete ose punojnë si pastruese ose si korrierë. Më pas ai shtoi: “Mendova se mund të ruani vetëm bagëti”.

Kishte një shembull tjetër kur një grua Buryate shkoi në një restorant me kolegët e saj për drekë. “Sapo hyra në tualet, një grua filloi të më pyeste: “Ku janë letrat për të fshirë duart?” Sipas saj, meqenëse jam aziatike, duhet të jem vetëm pastruese në atë restorant,” tregoi vullnetarja.

“Burjatët janë supersticiozë”

Në çdo komb ekziston një sistem normash dhe vlerash të pranuara gjerësisht, duke përfshirë mitet dhe bestytnitë. Këto të fundit pasqyrojnë historinë shumëshekullore të popujve, por nuk është e saktë të flitet për Buryatët si një ndërgjegje kolektive e unifikuar. Aktivisti Purbe Dambiev shpjegon: “Ka një numër të madh Buryatësh: disa qindra mijëra në Buryatia, mijëra buryatë mongolë dhe kinezë. Ata janë të gjithë shumë të ndryshëm dhe zakonet e tyre ndryshojnë. Mes nesh, ka njerëz që i ndjekin traditat dhe ka nga ata për të cilët ato nuk janë aq të rëndësishme.”

Buryatët gati për luftë”

Buryatët janë njerëz të rregullt, të cilët, në jetën e tyre të përditshme, nuk janë thelbësisht të ndryshëm nga kombësitë e tjera. Përshkrimi i një kombi të tërë si grindavec dhe agresiv është një ekzagjerim dhe gënjeshtër e qartë. Për më tepër, sipas Dambiev, shprehja: “Buryatët janë gati për luftë” është thellësisht fyese sepse i karakterizon njerëzit sikur të ishin një lloj race e veçantë qensh.

“Për një person Buryat, ju jeni mjaft …” (i bukur, i gjatë, muskuloz, etj.)

Komente të tilla janë raste të zakonshme të racizmit, me të cilat Buryatët përballen shpesh kur lëvizin në rajonet perëndimore të Rusisë për arsim ose punësim. Ata që bëjnë komente të tilla supozojnë, për shembull, se individët e një kombësie ose grupi etnik të caktuar, zakonisht nuk konsiderohen tërheqës dhe në këtë rast të veçantë, bukuria është diçka e papritur dhe e pazakontë.

Një vullnetar tregon: “Përmasat dhe gjatësia e njerëzve varen nga shumë faktorë dhe mund të ndryshojnë edhe brenda një grupi të vetëm etnik. Sidoqoftë, shprehje të tilla janë të përhapura edhe në mesin e vetë Buryatëve.

Ndonjëherë, ata që i thonë pretendojnë se kishin për qëllim të bënin një kompliment. Megjithatë, këto deklarata nuk duhet të ngatërrohen si komplimenta.

“Para se t'i bashkoheshin Rusisë, Buryatët nuk kishin as një gjuhë të shkruar”

Kjo deklaratë është faktikisht e pasaktë. Buryatët kishin metodat e tyre të transmetimit të njohurive dhe trashëgimisë kulturore, përpara kontaktit me Perandorinë Ruse. Buryatët kishin një shkrim vertikal mongolik. Pra, një deklaratë e tillë është mungesë respekti ndaj kulturës dhe historisë së Buryatëve.

“Edhe pse je Buryat, prapë je një nga ne”

Kjo është një deklaratë shumë popullore dhe plotësisht raciste, që i kategorizon njerëzit në grupe të veçanta. Për më tepër, shprehje të tilla tani janë jashtëzakonisht të përhapura dhe madje gjejnë pasqyrim në kulturën popullore. Për shembull, në vargjet e të ashtuquajturve poetë Z, që propagandojnë pushtimin rus të Ukrainës.

“Ni hao”

Në rajonet perëndimore të Rusisë, njerëzit mund ta përdorin këtë përshëndetje kineze ndaj çdo aziatiku, duke e konsideruar atë një shaka. Megjithatë, është një shprehje stereotipike dhe fyese që nënkupton se të gjithë aziatikët janë të njëjtë, që ndajnë të njëjtën kulturë dhe gjuhë.

“A keni blerë një pasaportë? A është edhe Buryatia pjesë e Rusisë?”

Nuk është krim të kesh njohuri të kufizuara të gjeografisë. Megjithatë, ndërsa emigrantëve në Rusi u kërkohet ligjërisht të njohin gjuhën dhe kulturën, jo të gjithë rusët janë të vetëdijshëm se cilat rajone janë pjesë e Rusisë. Fraza simbolizon gjithashtu një ndarje midis “njerëzve të vërtetë” me dokumentet e duhura dhe të tjerëve me ato të gabuara.

“Forma e syve”

Ekzistojnë disa stereotipe fyese dhe diskriminuese të lidhura me formën e syve. Këto tipare fizike çojnë në karakterizime nënçmuese: Buryatët shpesh portretizohen në mënyrë të padrejtë si më pak inteligjentë, më dinakë ose me motive të fshehura.

“Besimi se forma e syve të dikujt mund të zbulojë disi karakterin, sjelljen ose inteligjencën e tyre është absurde. Perceptime të tilla të thjeshtuara të pamjes hedhin poshtë historinë e pasur dhe diversitetin kulturor,” thotë një vullnetare.

Ajo shton se kompleksi i formës së syve nuk ka dalë kot. Disa aziatikë përpiqen ta trajtojnë atë duke iu nënshtruar një operacioni të quajtur “palosje evropiane e syve”. “Këto operacione janë mjaft të njohura, jo vetëm në republikat kombëtare të Rusisë, por edhe në Kazakistan,” shpjegon më tej ajo.

Nga njëra anë, stereotipet janë një aspekt mjaft i zakonshëm i marrëdhënieve ndërkulturore. Njerëzit me sens humori mund të identifikojnë tipare që lidhen me grupe të veçanta. Megjithatë, ky proces ka një anë negative: stereotipet lënduese mund të ngushtojnë kufijtë, të krijojnë barriera aktuale midis njerëzve dhe të nxisin ndarjen dhe armiqësinë. Stereotipet rreth Buryatëve janë një shembull i saktë i këtyre proceseve negative shoqërore.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.