Një shtetas taxhik arrestohet në Rusi si spiun i Ukrainës

Sharifjon Tillazoda, spiuni i dyshuar taxhik në Rusi. Foto nga faqja e tij personale në Facebook.

Shtetasi taxhik Sharifjon Tillazoda u arrestua në Moskë më 11 tetor, me akuzën e spiunazhit për Ukrainën. Gjykata e Qarkut Lefortovo në Moskë e vendosi Tillazodën në një qendër paraburgimi për dy muaj, pasi mori një kërkesë nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB).

Ky është rasti i parë i arrestimit të një shtetasi taxhik në Rusi me akuza të tilla. Nëse shpallet fajtor, Tillazoda do të përballet me 20 vjet burg. Ky ishte një lajm surprizues, duke pasur parasysh se Taxhikistani ka lidhje të ngushta politike, ekonomike dhe sociale me Rusinë dhe qindra shtetas dhe vendas etnikë taxhikë janë bashkuar me ushtrinë ruse dhe grupin Wagner për të luftuar në Ukrainë. Nëse akuzat vërtetohen, kjo paraqet një fazë të re në pjesëmarrjen e shtetasve dhe etnikëve taxhikë në luftën në Ukrainë.

Bazë ushtarake, shtetësi të dyfishtë dhe punëtorë emigrantë

Taxhikistani është një nga pesë shtetet e Azisë Qendrore, në kufi me Afganistanin në jug dhe Kinën në lindje. Ka një popullsi prej 10.1 milion banorësh. Ndryshe nga fqinjët e tij ku njerëzit flasin gjuhë turkike, Taxhikistani është një komb që flet persisht, gjë që shpjegon pjesërisht marrëdhëniet e tij të mira me Iranin në vitet e fundit. Vendi fitoi pavarësinë në vitin 1991 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Midis 1992 dhe 1997, vendi u përball me një luftë brutale civile që la më shumë se 100,000 viktima. Që nga viti 1992, Taxhikistani është qeverisur nga i njëjti president Emamoli Rahmon. Gjatë sundimit të tij, Rahmon ka konsoliduar pushtetin dhe ka vendosur një regjim autoritar. Në 2023, Freedom House i dha vendit një vlerësim për demokracinë në shkallën 1 nga 7, duke reflektuar kontekstin politik represiv të vendit.

Këtu është një video në YouTube për luftën civile taxhike:

Taxhikistani ka bazën më të madhe ushtarake të Rusisë jashtë vendit, të 201-tënPër më tepër, Taxhikistani është anëtar i Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive të bllokut ushtarak të udhëhequr nga Moska. Rusia është partnerja më i madhe tregtare e Taxhikistanit dhe një investitore e fuqishme.

Rusia është gjithashtu destinacioni kryesor për qindra mijëra punëtorë emigrantë që largohen nga Taxhikistani në kërkim të punësimit. Në vitin 2022, numri i tyre u raportua në 987,000. Dërgesat e parave nga punëtorët migrantë përbëjnë 34.5 për qind të PBB-së së vendit. Lehtësuese e këtij fluksi migracioni është marrëveshja ndërqeveritare midis Rusisë dhe Taxhikistanit që lejon shtetësinë e dyfishtë. Në vitin 2022 u thye një rekord kur 173,634 shtetas taxhikë morën pasaportën ruse.

Rekrutim me të gjitha mjetet

Me fillimin e luftës në Ukrainë, pasaportat ruse u kthyen në një barrë të kushtueshme ushtarake. Dëshmia e parë e pjesëmarrjes së rusëve taxhikë të natyralizuar në luftë u shfaq në mars 2022, kur trupat e ushtarëve të vdekur taxhikë nisën të mbërrinin në Taxhikistan. Të gjithë ata kishin marrë pasaporta ruse.

Autoritetet ruse kanë përdorur të gjitha mjetet e mundshme për të rekrutuar punëtorë emigrantë. Mbrojtësit e të drejtave të punëtorëve emigrantë taxhikë kanë raportuar raste të shumta kur ata me pasaporta ruse thirren në qendrat e regjistrimit nën kërcënimin se do t'u hiqet shtetësia nëse nuk paraqiten. Atyre pa pasaportë ruse u premtohet një rrugë e përshpejtuar për të marrë një të tillë në këmbim të shërbimit në ushtrinë ruse. Më 20 shtator, Duma ruse miratoi një projektligj që premton shtetësinë në këmbim të një viti shërbimi ushtarak.

Këtu është një video në YouTube për pjesëmarrjen e shtetasve taxhikë në luftën në Ukrainë.

Megjithatë, rekrutimi i shtetasve taxhikë nuk ka shkuar pa probleme. Më 11 tetor, dy shtetas taxhikë të rekrutuar në ushtrinë ruse hapën zjarr në poligonin e stërvitjes, duke vrarë 11 dhe duke plagosur 15 ushtarë të mobilizuar në rajonin e Belgorodit. Thuhet se një nga oficerët përgjegjës kishte bërë komente për islamin, që ushtarët myslimanë taxhikë i konsideruan fyese.

Krahas punëtorëve emigrantë, autoritetet ruse dhe grupi Wagner kanë rekrutuar shtetas taxhikë nga burgjet ruse me një premtim për pagesa të majme dhe amnisti. Në vitin 2020, numri i tyre ishte në 10,000. Nuk është e qartë se sa prej tyre shkuan në luftë, por ka disa tregues. Në gusht 2023, Ministri i Brendshëm i Taxhikistanit deklaroi se 100 shtetas taxhikë, të mbajtur në burgjet ruse shkuan në Ukrainë. Në qershor 2023, BBC publikoi investigimin e saj për 93 luftëtarë të Wagner nga Azia Qendrore, të cilët vdiqën në Ukrainë. 40 prej tyre ishin nga Taxhikistani.

Dëshmitë e fundit të rekrutimit të punëtorëve emigrantë dhe të burgosurve taxhikë sugjerojnë se autoritetet ruse kanë kaluar në metoda më të dhunshme. Organet e zbatimit të ligjit kryejnë bastisje në vendet e frekuentuara nga punëtorët emigrantë taxhikë me qëllim dërgimin e tyre në qendrat e regjistrimit, ku detyrohen të nënshkruajnë një kontratë ushtarake. Ata pa pasaporta ruse detyrohen të bëjnë të njëjtën gjë nën kërcënimin e dëbimit.

Spiuni i parë taxhik i Ukrainës apo viktimë e rrethanave?

Nuk dihet shumë për rastin e Tillazodës. Mësohet se ai është 32 vjeç. Në vitin 2018, u diplomua në Institutin Shtetëror të Arteve të Taxhikistanit për aktrim. Para se të mbërrinte në Rusi, Tillazoda jetonte në Turqi, ku nuk arriti të nisë karrierën si aktor.

Në shtator 2023, në një intervistë me Radio Ozodi, Tillazoda tregoi se ai nënshkroi një kontratë ushtarake me ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë dhe iu nënshtrua trajnimit në rajonin e Moskës. Ai pranoi se e bëri këtë nga dëshpërimi, pasi dështoi të gjente një punë në Rusi dhe kishte mbetur pa para.

Sipas miqve të tij, Tillazoda nuk donte të shkonte të luftonte në Ukrainë. Në fakt, ai arriti të largohej nga poligoni stërvitor një ditë para 20 shtatorit, kur ishte planifikuar të dërgohej në vijën e parë. Ata thanë se ai mund të ishte arrestuar dhe akuzuar për spiunazh për refuzimin për të shkuar në luftë. Gjithashtu, fotot dhe videot e poligonit stërvitor të shpërndara në rrjetet e tij sociale mund ta kenë futur atë në telashe me FSB-në.

Përpara akuzave për spiunazh, më 20 shtator, Tillazoda u ndalua në një territor të mbyllur ushtarak në rajonin e Moskës, në të cilin thuhet se ka pranuar se ka hyrë pa autorizim. Më 22 shtator, Gjykata e qytetit Odintsovo të rajonit të Moskës e shpalli atë fajtor për shkelje të rregullave të qëndrimit në Rusi dhe autorizoi dëbimin. Në kohën kur FSB ngriti akuza për spiunazh kundër tij, Tillazoda ishte në një strukturë speciale në pritje të dëbimit. FSB nuk ka zbuluar asnjë detaj në lidhje me aktivitetet e spiunazhit.

Kanali rus në Telegram Mash raportoi se nga hetimi rezultoi se Tillazoda ka punuar drejtpërdrejt me forcat e armatosura të Ukrainës dhe ka mbledhur informacione për to, duke përfshirë vendndodhjet e sistemeve të mbrojtjes ajrore në rajonin e Moskës.

Sipas një tjetër rrëfimi të ngjarjeve, i ndarë nga të njohurit e tij, më 15 shtator, Tillazoda njoftoi në rrjetet sociale se do t'i bashkohej forcave të armatosura të Ukrainës pasi të përfundonte stërvitjen në Rusi. Ai postim u fshi të nesërmen, por shërbimet e sigurisë së Taxhikistanit e panë atë dhe ua dërguan detajet kolegëve të tyre në Rusi, gjë që solli akuzat për spiunazh. Është e paqartë pse ai ndau një informacion kaq të ndjeshëm në mediat sociale.

Nëse akuzat vërtetohen, vendimi i Tillazodës për t'u bashkuar me forcat e armatosura të Ukrainës nuk do të jetë një surprizë tronditëse. Tashmë ka raste të ushtarëve kazakëkirgizë dhe turkmenë që luftojnë për Ukrainën kundër ushtrisë ruse. Më e rëndësishmja, kjo mund të jetë një shenjë e një konkurrence të re midis Moskës dhe Kievit për besnikërinë e punëtorëve emigrantë të Azisë Qendrore. Ashtu si mund të ndihmojnë përpjekjet luftarake ruse, teksa janë në Rusi, ato mund të rezultojnë efektive për operacionet e mbledhjes së informacioneve për Ukrainën.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.