Krerët e shtetit në Amerikën e Jugut reagojnë ndaj luftës Izrael-Gaza

Ky artikull u mor nga Connectas, partner mediatik i Global Voices.

Asnjë vend tjetër në botë nuk ka aq shumë njerëz me origjinë palestineze sa Kili. Vlerësohet se në këtë vend të Amerikës së Jugut, ka më shumë se 500,000 pasardhës të atyre që mbërritën në fillim të shekullit të 20-të, kur toka e tyre ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Filluan biznese, krijuan klube sociale dhe sportive (si p.sh. Palestino, e themeluar në vitin 1920, që ka qenë dy herë kampione e divizionit të parë të futbollit) dhe jo pak i janë përkushtuar politikës.

Nëpër Ande, në Argjentinë, hebrenjtë filluan të mbërrinin në fund të shekullit të 20-të në një fluks që u intensifikua pas Holokaustit. Sot ata formojnë një nga komunitetet më të mëdha në botë jashtë Izraelit. Ata gjithashtu kanë themeluar klube sociale dhe ka hebrenj në botën politike, të biznesit dhe kulturore. Edhe një kandidate presidenciale e krahut të majtë, Myriam Bregman, është me origjinë hebreje. Në atë vend, një nga marshimet më të mëdha në mbështetje të Izraelit u zhvillua këtë muaj, organizuar nga Shoqata e Ndërsjellë Izrael-Argjentinë (AMIA),  e njëjta organizatë e komunitetit hebre që u bombardua në 1994).

Gjithashtu, Argjentina është ndoshta vendi i Amerikës Latine me numrin më të lartë të qytetarëve viktima të sulmit të Hamasit. Kur shkruhej ky artikull, tetë argjentinas kishin humbur jetën dhe 15 rezultojnë të zhdukur (ka pasur gjithashtu raporte për vdekje, zhdukje dhe rrëmbime nga Kili, Kolumbia, Meksika dhe Brazili). Kjo shpjegon pjesërisht pse, pas përshkallëzimit të fundit të dhunës që filloi me sulmin terrorist të 7 tetorit, presidenti Alberto Fernandez ishte një nga të parët që dënoi grupin islamik dhe shprehu solidaritetin e tij me Izraelin.

Shpreh dënimin tim më të fortë për sulmin brutal terrorist të kryer nga Hamasi nga Rripi i Gazës kundër Shtetit të Izraelit. Uroj që populli i Izraelit të marrë solidaritetin e plotë të presidentit dhe popullit argjentinas.

Por jo të gjithë liderët e Amerikës Latine reaguan në këtë mënyrë. Dallimet ishin veçanërisht më të dukshme mes liderëve të majtë, për shkak të afërsisë që ky segment ka pasur historikisht me çështjen palestineze.

Për shembull, në Kili, ish-kandidati presidencial komunist Daniel Jadue shkroi në X: “Populli i Palestinës ka të drejtë të rezistojë. Komuniteti ndërkombëtar ka vite që hesht përballë gjenocidit dhe shfarosjes së grave dhe fëmijëve. Me siguri përgjigja e Sionizmit do të jetë e ashpër. Zgjidhja e konfliktit është t'i jepet fund pushtimit! #Palestina e lirë.”

Vetë e majta e kritikoi postimin e tij në Twitter dhe të tjerëve si ai për shmangien e termit “terrorist” për veprimet e Hamasit kundër civilëve izraelitë.

Sionistët dhe forcat e djathta të botës janë të njëjta. Ata ëndërrojnë që përgjigja për krimet e tyre të urrejtjes do të jetë gjithmonë dorëheqja, por nuk ka njerëz që mund t'i rezistojnë padrejtësisë përgjithmonë. Ata që janë të gatshëm të dëgjojnë, do dëgjojnë. Zgjidhja e vetme është palestina e lirë dhe fundi i pushtimit.

Isaac Caro, me doktoraturë në Studimet Amerikane, pohon se në përgjithësi vendet e rajonit “kanë dënuar veprimet e kryera nga Hamasi e ndërsa kanë theksuar se Izraeli ka të drejtë të mbrohet, ata kanë refuzuar reprezaljet kur ato shkojnë përtej ligjit humanitar ose përtej ligjit ndërkombëtar.”

Megjithatë, ka përjashtime të rëndësishme: “Në rastin e Venezuelës, qeveria e saj e mbrojti në mënyrë eksplicite sulmin dhe Nikaragua dhe Kuba e kanë shmangur dënimin e tij. Vlen të theksohet se këto tre vende nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Izraelin”. Një rast tjetër i veçantë është Kolumbia, presidenti i së cilës, pasi fillimisht nuk dënoi mizoritë e Hamasit, “po kërcënon të ndërpresë marrëdhëniet me Izraelin sepse Izraeli ndërpreu furnizimet e sigurisë”, shpjegon Caro.

Deklarata e bërë nga presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro ishte më e komentuara për çudi. Presidenti tha në televizionin publik se “Jezusi ishte një fëmijë palestinez, një palestinez i ri, i kryqëzuar dhe i dënuar padrejtësisht nga Perandoria Spanjolle dhe nga oligarkitë që dominonin zonën”.

Nicolás Maduro duke akuzuar perandorinë spanjolle për kryqëzimin e Jezusit është padyshim gjëja më e mirë që do të shohim sot.

Presidentët Andrés López Obrador i Meksikës dhe Gabriel Boric i Kilit patën reagime shumë më të moderuara. I pari bëri thirrje për rivendosjen e paqes dhe dënoi “përdorimin e forcës kundër civilëve”, ndërsa Boriç dënoi krimet e Hamasit kundër civilëve dhe bombardimet e Izraelit në Rripin e Gazës. Ai gjithashtu pohoi se Izraeli dhe Palestina kanë “të drejtën të ekzistojnë”. Analistët e kanë cilësuar qëndrimin e Boriçit si një shenjë pozitive të “kujdesit”, duke pasur parasysh se udhëheqësi kilian ka qenë një mbështetës i zjarrtë i kauzës palestineze që nga koha kur ishte student.

Boriç, në një aspekt të rëndësishëm të qëndrimit të tij, iu deshën tre ditë për të bërë një deklaratë publike për konfliktin. Kjo, sipas analistëve, nënvizon vështirësinë me të cilën përballen qeveritë e Amerikës Latine në pasjen e një qëndrimi për një konflikt kaq kompleks si ky, me një grup terrorist në njërën anë dhe një qeveri izraelite që, e udhëhequr nga e djathta ultranacionaliste, prej vitesh forcon kontrollin e saj mbi popullatën palestineze dhe tani ka një përgjigje disproporcionale që ka prekur mijëra civilë.

Pas sulmit në Spitalin e Gazës ku  ne vranë të paktën 500 njerëz (për të cilin Izraeli dhe Hamasi fajësojnë njëri-tjetrin), Boriç shkroi: “I bëjmë thirrje shtetit të Izraelit të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar. Ashtu siç dënojmë veprimin terrorist të Hamasit, ne dënojmë gjithashtu përdorimin pa kriter të forcës që prek popullatën civile.”

Solidariteti ynë është dhe do të jetë gjithmonë me viktimat e dhunës, pa dallim. Ne jemi të pikëlluar për njerëzimin. Ne dënojmë pa asnjë nuancë sulmet brutale, vrasjet dhe rrëmbimet e Hamasit. Asgjë nuk mund të justifikojë ose të relativizojë refuzimin e tyre më energjik. Ne i dënojmë (…)

Për Sandra Borda, nga Departamenti i Shkencave Politike të Universidad de los Andes, Kolumbi, deklaratat e Petro dhe Boriç pasqyrojnë dy ekstreme se si t'i qasemi konfliktit. “Boriç e ka bërë absolutisht të qartë se ai dënon agresionet kundër popullatës civile si nga ana e Hamasit, ashtu edhe nga ana e shtetit izraelit dhe më pas ka kërkuar që të respektohet e drejta ndërkombëtare humanitare (…) Rastet e tjera janë udhëhequr shumë më tepër nga ideologjia e presidentëve. Mendoj se presidenti Petro futet në këtë kategori”.

Sipas Bordës, Petro “ka qenë shumë elokuent në kritikat dhe censurimin e sjelljes së shtetit izraelit ndaj popullsisë së territoreve të pushtuara, por nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme për shkeljet e të drejtave të popullatës civile nga Hamas dhe ekzekutimet e jashtëligjshme të civilëve.”

Borda ndau në rrjetet sociale një letër, në të cilën politikanët kolumbianë kritikuan heshtjen e Petro për të dënuar sulmet e grupit fondamentalist. Petro iu përgjigj studiuesit se do ta firmoste letrën, nëse flitej për rezolutat e OKB-së që ndalojnë pushtimin e Palestinës.

E di çfarë Sandra? Unë do ta firmosja letrën tuaj menjëherë nëse do të thoshit, pa e fshehur pas një numri rezolutash të OKB-së, që thonë të njëjtën gjë, se pushtimi i Palestinës është i ndaluar, aparteidi midis popullit palestinez dhe izraelit dhe të drejtat e popullit palestinez janë të mbrojtur (…)

Për Borda, liderët duhet të fokusohen në mbrojtjen e civilëve. “Është shumë më e leverdishme të marrësh një pozicion si ai i presidentit Boriç, i mbrojtjes së parimeve themelore dhe jo në pozicione si ai i presidentit Petro, që bazohen në bindje ideologjike.

Por, ashtu siç u kritikuan liderët e majtë se nuk ishin mjaftueshëm të qartë në dënimin e Hamasit, a po ngrihet çështja se ata janë të ngadaltë apo nuk dënojnë sulmet izraelite ndaj civilëve?

Në një editorial në La Tercera, gazetari kilian Daniel Matamala argumenton se ne nuk mund të anashkalojmë një precedent të rëndësishëm. Ata që janë në pushtet sot kanë tendenca ekstreme: nga njëra anë fondamentalizmi terrorist i Hamasit dhe nga ana tjetër ideologjia e ekstremit të djathtë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Kjo është arsyeja pse Matamala thekson se kjo nuk është një ndeshje futbolli ku mund të bëhet tifo për një ekip, sepse “ata që masakruan izraelitët e pambrojtur dhe ata që masakrojnë palestinezët po aq të pafajshëm janë në thelb të njëjtë. Ata janë vrasës. Dhe kur pa menduar marrim anë, luajmë në duart e tyre. Ata vazhdojnë të mbizotërojnë.”

Fjalët e muzikantit argjentinas Daniel Baremboim, një qytetar i Izraelit dhe Palestinës, ishin të ngjashme. Barenboim, i cili themeloi një orkestër me artistë të të dyja kombësive, shkroi në El País ku theksoi se mizoria e kryer nga Hamasi duhet të njihet, por edhe të ketë empati për dhimbjen e palestinezëve. Ai detajon gjithashtu se në orkestrën e tij ndonjëherë ka diskutime të ashpra, por ato përfundojnë “me kuptimin themelor se ne jemi të gjithë qenie njerëzore të barabarta, se meritojmë paqen, lirinë dhe lumturinë. Kjo mund të tingëllojë naive, por nuk është: sepse është ky kuptim që duket se ka humbur plotësisht në konfliktin e të dyja palëve sot.”

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.