“Thirri me emrat e tyre”: Historitë e të burgosurve politikë rusë që janë kundër luftës

Foto nga faqja Black February. Përdorim i drejtë.

Black February (Shkurti i zi) është një faqe interneti kushtuar të burgosurve politikë në Rusi, krimet e të cilëve janë qëndrimet kundër luftës që Rusia filloi më 24 shkurt 2022, kundër Ukrainës. Në mars 2022, parlamenti rus miratoi ndryshime në Kodin Penal, duke lejuar dënime me burg për qëndrimet kundër luftës. Dy ndryshimet janë nenet 207.3 dhe 280: Ato nënkuptojnë dënimin për “përhapjen publike me vetëdije të informacionit të rremë mbi veprimet e Forcave të Armatosura të Federatës Ruse”. Të akuzuarit për këtë të fundit rrezikojnë deri në 10 vite burg.

Personat pas projektit Shkurti i Zi janë artistë dhe aktivistë kundër luftës; Sipas gazetës Proekt, një prej tyre është edhe Sasha Starost.

Ka histori individuale të atyre që guxuan të protestojnë kundër veprimeve të presidentit Putin, miqve të tij dhe një vendi që, nën magjinë e propagandës dërrmuese dhe dëshirës për të “mos u përfshirë”, mbyllin sytë, veshët dhe gojën. Është një vend ku televizioni ka fituar mbi frigoriferin – një metaforë e përdorur shpesh në Rusi për të treguar sesi shpëlarja e trurit nga propaganda televizive i bën njerëzit të anashkalojnë gjithçka, përfshirë gjendjen ekonomike – dhe ende po fiton mbi frigoriferin, ku trupat e ushtarëve të mobilizuar së fundmi ruhen.

Përveç historive të njohura të politikanëve të fundit të opozitës që bëjnë burgun “për të gjithë ne”, ka edhe histori të represioneve të rastësishme. Ka vërtet figura të famshme, si Ilya Yashin, i cili e ka shprehur qëndrimin kundër luftës në kanalet e tij të njohura YouTube dhe Telegram. Ai u arrestua për protestat më parë, por nuk pranoi të largohej nga Rusia, megjithëse e dinte se cili do të ishte fati i tij. Ai tani është në burg duke pritur që gjykata të vendosë për dënimin e tij me 10 vjet burg për “përhapjen e informacionit të rremë për ushtrinë ruse”. Një rast tjetër i njohur është ai i deputetit të Moskës Alexey Gorinov. Ai është dënuar me shtatë vjet për “përhapjen e informacionit të rremë”. Shkurti i Zi raporton se, në mars 2022, gjatë një takimi të deputetëve lokalë në rajonin e Moskës, Gorinov tha disa fjalë të ashpra për “operacionin special” dhe propozoi nderimin e kujtimin e atyre ukrainasve që u vranë në luftë, me një minutë heshtje. Ai u bë i akuzuari i parë në “rregullat kundër luftës” i cili u dënua me burg.

Ka edhe raste të tjera të njerëzve të thjeshtë. Artisti i Shën Peterburgut Sasha Skolichenko u arrestua teksa ndryshonte etiketat e çmimeve të supermarketeve me slogane kundër luftës. Ish-prifti i kishës ortodokse ruse Ioann Kurmoyarov, i cili tha se ata që luftonin do të përfundonin në ferr. Mësuesja Irina Gen nga Penza, qëndrimi i së cilës kundër luftës u spiunua nga nxënësit e saj. Një arkeolog nga Omsk, Yevgeny Kruglov, i cili ripostoi videot e Buchas në VKontakte. Një gjimnazist Yevgeny Fokon nga Novosibirsk, gjithashtu për një ripostim, por këtë herë në Telegram. Lista vazhdon.

Irina Bystrova është një artiste dhe mësuese e artit për fëmijët nga Petrozavodsk. Ajo u akuzua fillimisht për “përhapjen e informacionit të rremë për ushtrinë ruse” pasi postoi në faqen e saj VKontakte një foto të Putinit duke thënë se ai do të digjet në ferr (për pushtimin e Ukrainës). Por, më vonë, prokurorët ngritën një tjetër rast kundër saj, në bazë të postimit të saj që thoshte “ktheji armët!” dhe e klasifikoi atë si thirrje për terrorizëm, e cila kishte mundësinë e deri në 10 vjet burg. Në një intervistë për MediaZona, Irina tha se është e vetmja që kujdeset për nënën e saj 83-vjeçare dhe nuk e di se çfarë do të ndodhte me të sapo Irina të largohej. Gjykata në Petrozavodsk e dërgoi atë në ekzaminim të detyrueshëm psikiatrik spitalor në qershor 2022.  Ajo tani po përballet me deri në shtatë vjet burg ose trajtim të detyrueshëm psikiatrik.

Dikush mund t'i ndihmojë këta të burgosur (dhe të tjerë) duke u shkruar atyre një letër, duke firmosur një peticion ose duke mbështetur organizatat e të drejtave të njeriut që ende punojnë në Rusi: për shembull, OVD-info, ose vetë faqen e internetit të Shkurtit të Zi.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.