Hong Kongu përpiqet të rilidhet me botën pas relaksimit të kufizimeve të COVID-19 për udhëtimet

Aeroporti i Hong Kongut. Autor: SH6188 nga Wikimedia. Foto e publikuar sipas Creative Commons Attribution-Share Alike 4.0

Në një përpjekje për t'u rilidhur me pjesën tjetër të botës, Hong Kongu po lehtëson kufizimet e pandemisë pë udhëtimet.

Nga data 26 shtator 2022, udhëtarëve që vijnë nuk u kërkohet më t'i nënshtrohen karantinës së detyrueshme në hotele. Në vend të kësaj, ata i nënshtrohen mbikëqyrjes mjekësore treditore dhe marrin një kod shëndetësor me ngjyrë të verdhë që i ndalon ata të vizitojnë vendet publike, duke përfshirë restorantet, baret, palestrat dhe bibliotekat.

Për më tepër, udhëtarët në hyrje duhet të kryejnë teste të shpejta ditore për COVID-19 për shtatë ditë dhe teste PCR në aeroport në ditën e mbërritjes dhe në institutet e posaçme dy, katër dhe gjashtë ditë pasi mbërrijnë.

Një ndryshim i strategjisë mes një krize ekonomike

Relaksimi shihet si një ndryshim nga përafrimi i qytetit me strategjinë e Kinës kontinentale, për zero-COVID. Më parë, qeveria e Hong Kongut kishte prioritet rihapjen e kufirit me Kinën kontinentale. Shumë politikanë pro-qeveritarë lavdëruan udhëzimet e presidentit kinez Xi Jinping për përpjekjet e Hong Kongut kundër shpërthimeve të Omicron në shkurt 2022 dhe kritikuan sugjerimet për të relaksuar kufizimet e kontrollit të pandemisë. Avokati e aktivisti Kevin Yam citoi ligjvënësin pro-Pekinit Junius Ho dhe komentoi:

Përdoruesit e rrjetit bënë një kolazh të zyrtarëve dhe politikanëve të Hong Kong-ut, të cilët folën kundër të jetuarit me COVID (dhe tani duken si budallenj me kufizimet në Hong Kong që relaksohet sot). I preferuari im është ligjvënësi Junius Ho që thotë se thirrjet për të jetuar me COVID-in bien ndesh me Ligjin e Sigurisë Kombëtare

Edward Leung, një ligjvënës pro-qeveritar i Aleancës Demokratike për Përmirësimin dhe Progresin e Hong Kongut, pohoi gjithashtu se të jetosh me COVID është si të bësh miqësi me vdekjen. Lo Chung-Mau, Sekretari aktual i Shëndetësisë, tha se të jetosh me COVID do të ishte një rrugë për në ferr.

Megjithatë, strategjia zero-COVID ka sjellë kosto të mëdha. Hong Kongu ka humbur statusin e një qendre ndërkombëtare të aviacionit, pasi udhëtarët shmangin vajtjen për shkak të kufizimeve të detyrueshme të karantinës në hotele. Për më tepër, qindra ekspozita dhe ngjarje ndërkombëtare dhe rajonale, të tilla si Maratona Standard Chartered, e organizuar fillimisht në Hong Kong, u zhvendosën në Singapor. Në renditjen e fundit nga Indeksi i Qendrave Financiare Globale, Singapori ka kaluar Hong Kongun si qendra kryesore financiare e Azisë.

Në përgjigje të krizës ekonomike, Huang Liuquan, një zyrtar i Pekinit në Hong Kong, sinjalizoi se qeveria vendore mund të lehtësojë kufizimet disa ditë përpara se të shpallej ndryshimi konkret i politikës COVID:

Teksa ne do të bëjmë më të mirën për të kontrolluar pandeminë, ne ynojmë të kemi lidhje maksimale me botën e jashtme dhe gjithashtu të reduktojmë procedurat për udhëtarët që vijnë në Hong Kong […] Ky është një qëllim shumë i qartë.

Gjithsesi, shumë biznesmenë thonë se lehtësimi është i vonuar, qëndrim ky i artikuluar nga aktivisti dhe investitori David Webb në Twitter:

Pak si vonë: Konferenca e sotme e #HK COVID nuk kishte asnjë referencë për atë që po bëjnë konkurrentët tanë. Të ardhurit do të mirëpriten me një test PCR, do të trajtohen si me lebrozë për 3 ditë dhe duhet të paraqiten për testimin PCR edhe 3 herë në ditët 2/4/6.

Në postimin e tij në Twitter, Webb theksoi më tej se kufizimet lokale për COVID, duke përfshirë kufirin e grumbullimit të katër personave në natyrë, kontrollin e kodit shëndetësor të largimit nga shtëpia dhe të kodit shëndetësor për restorante dhe ambiente publike, kufiri i ngrënies për tetë persona, mbajtja e maskave jashtë, mes shumë kufizimeve, do të pengonin udhëtarët të vinin në Hong Kong.

Disa grupe biznesi, duke përfshirë Shoqatën e Industrisë së Ekspozitave dhe Konventave të Hong Kongut dhe Eurocham, kërkuan heqjen e plotë të kufizimeve të COVID:

Grupet ndërkombëtare të biznesit thanë se vetëm hapja e plotë mund të ndryshojë drejtimin e Hong Kongut. “Nuk duhet të ketë kufizime, jo karantinë dhe jo teste,” tha zv/kryetari i Eurocham, me 20% të anëtarëve të dhomës që kanë lënë Hong Kongun.

Për më tepër, situata fiskale e qytetit është “më e keqe se sa pritej”, pasi deficiti i tij ka të ngjarë të jetë mbi 100 miliardë HKD këtë vit (mbi 127,000,000 dollarë amerikanë). Kufizimet e zgjatura të kontrollit të pandemisë kanë transformuar gjithashtu zakonet e konsumit të qytetit dhe kanë dëmtuar bizneset e vogla lokale. Banorët e qytetit tani preferojnë të mblidhen në ambiente private dhe konsumimin e ushqimeve me vete në vend që të darkojnë jashtë. Shumë restorante – veçanërisht dim sum tradicionale kineze dhe restorante të mëdha – u detyruan të mbyllnin bizneset e tyre në Hong Kong:

Heqja e kufizimeve të udhëtimit më e mirë vonë se kurrë, erdhi për fat të keq në një kohë kur shumë biznese të vogla dhe të mesme tashmë ishin dëmtuar. Mbi një duzinë restorantesh ikonë u detyruan të mbyllen brenda një viti, siç thotë një kuzhinier: “Pasi të jetë zhdukur, është shumë e vështirë të rindërtohet”

Ndërkohë, efekti më i dukshëm i relaksimit është udhëtimi jashtë vendit. Banorët e Hong Kongut po nxitojnë të rezervojnë biletat si pjesë e të ashtuquajturës valë “udhëtimi hakmarrës“, që do të thotë rritje e udhëtimeve pas pandemisë, ndërsa njerëzit e mbyllur në shtëpi nxitojnë të shkojnë me pushime. Tani që banorët nuk do të kenë nevojë të shpenzojnë kohë dhe para shtesë për karantinën e hoteleve kur të kthehen, banorët e Hong Kongut po nxitojnë të kompensojnë pauzën e tyre dyvjeçare të udhëtimit:

Një tjetër pikë e përmendur nga ekonomistët është rreziku i një goditjeje afatshkurtër për ekonominë e Hong Kongut, pasi relaksimi nxit një rritje të turizmit jashtë vendit pa një rikthim të udhëtimeve hyrëse për të kompensuar, pasi udhëtarët e shohin testimin aktual 0+3/javë si shumë të rreptë.

Hong Kongu këmbënguli për politikën zero-COVID për të rihapur kufijtë e tij me Kinën kontinentale. Megjithatë, pas dy vjetësh, qyteti nuk mund të arrijë standardin zero raste të Pekinit për COVID-19. Aktualisht, banorët e Hong Kongut ende duhet të kalojnë një karantinë të detyrueshme shtatë-ditore hoteli për të hyrë në Kinë. Tani që qyteti ka vendosur të lehtësojë kufizimet e tij, kjo do të nënkuptonte një shkëputje të vazhdueshme me Kinën kontinentale derisa Pekini të ndryshojë strategjinë e tij të kontrollit të pandemisë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.