Presidentja e Gjeorgjisë mund të përballet me shkarkimin, por s'ka ndërmend të largohet

Foto nga Arzu Geybullayeva

Salome Zurabishvili, presidentja e Gjeorgjisë, mund të përballet me shkarkimin për shkak të vendimit të saj për të vazhduar me turneun në Evropë në mbështetje të synimit të Gjeorgjisë për anëtarësim në BE. Partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane po bën fushatë për të fajësuar presidenten dhe është përpjekur në mënyrë aktive të sabotojë objektivin e vendit për tu bërë pjesë e BE-së. Në një fjalim drejtuar kombit më 7 shtator, Zurabishvili tha se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen.

Ëndrra Gjeorgjiane në pushtet u zotua të padisë presidenten në Gjykatën Kushtetuese. Ëndrra Gjeorgjiane pretendon se Zurabishvili ka vepruar në kundërshtim me nenin 52 të Kushtetutës së Gjeorgjisë, i cili thotë se presidenti mund të ushtrojë kompetenca përfaqësuese në marrëdhëniet me jashtë vetëm me pëlqimin e qeverisë.

Ëndrra Gjeorgjiane e ndaloi presidenten nga vizitat ndërkombëtare, por ajo vendosi të nisë turneun dhe u largua nga Gjeorgjia për në Evropë më 30 gusht. Kur fotot e takimit të saj me homologun gjerman Frank-Walter Steinmeier qarkulluan në internet, partia tha se presidentja “po shkelte rëndë kushtetutën” dhe nuk ishte e autorizuar të takohej me liderët evropianë.

Gjykata Kushtetuese duhet të konstatojë nëse ka patur vërtet shkelje të nenit 52, ose procesi do të mbyllet, siç shpjegoi Levan Alapishvili, jurist konstitucionalist, në një intervistë për Jam News. Nëse gjykata e vlerëson të vlefshme shkeljen e pretenduar, atëherë hapi tjetër është që parlamenti të votojë. Për shkarkimin e presidentes kërkohen 100 vota parlamentare nga 170. Aktualisht, Ëndrra Gjeorgjiane në pushtet ka 84 vende.

Partitë e opozitës gjeorgjiane dhe disa anëtarë të Parlamentit Evropian ishin të shpejtë për të denoncuar masën e Ëndrrës Gjeorgjiane në pushtet për të fajësuar presidenten. Në një deklaratë të përbashkët, organizatat gjeorgjiane, duke përfshirë Fondacionin e Shoqërisë së Hapur Gjeorgji dhe Transparency International, thanë: “Vendimi i Ëndrrës Gjeorgjiane për të filluar procedurën e shkarkimit të presidentes është një sulm ndaj aspiratave të vendit për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”.

Një përçarje në rritje

Zyra e presidentit të Gjeorgjisë ka pak pushtet dhe kufizohet kryesisht në funksione përfaqësuese, ndërsa shumica e kompetencave i takon parlamentit dhe kryeministrit. Vetëm pas pushtimit rus të Ukrainës, presidentja Zurabishvili mori një pozicion më kritik kundër partisë në pushtet. Ajo kritikoi rregullisht retorikën e partisë në pushtet mbi luftën në vazhdim dhe synimet e Rusisë.

Kur mijëra gjeorgjianë dolën në rrugë për të protestuar kundër ligjit të imponuar nga qeveria për agjentët e huaj, presidentja Zurabishvili ishte në anën e popullit dhe opozitës. Deklaratat e saj që pasuan pas protestave ishin kritike ndaj Ëndrrës Gjeorgjiane në pushtet. Kur qeveria rivendosi fluturimet me Rusinë, presidentja lëshoi ​​një deklaratë në të cilën dënoi vendimin për ta bërë këtë. Një lëvizje tjetër që e vendosi presidenten në kundërshtim me qeverinë ishte vendimi i saj për të falur një gazetar të shquar të opozitës, Nikoloz Gvaramia, në qershor 2023, i cili u dënua me tre vjet e gjysmë burg në maj 2022.

Nëse Ëndrra Gjeorgjiane në pushtet do të ketë sukses në shkarkimin e presidentes, mbetet për t'u parë. Sipas Levan Alapishvili, eksperti kushtetues: “Ëndrra Gjeorgjiane përballet me një detyrë të vështirë për të provuar se presidentja ka shkelur kushtetutën”. Më 11 shtator 2023,  partia opozitare Lelo, tha se filloi konsultimet për shkarkimin e kryeministrit Irakli Gharibashvili nga partia Ëndrra Gjeorgjiane. Njoftimi erdhi pasi kanali televiziv lokal TV Pirveli transmetoi një investigim në lidhje me një udhëtim personal që kryeministri bëri në gusht në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet Mynihut, duke pretenduar se Gharibashvili përdori burime shtetërore për udhëtimin.

Aspiratat e Gjeorgjisë në BE

Menjëherë pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, Gjeorgjia njoftoi planin e saj për t'u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Që atëherë, partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane e ka gjetur veten në ujë të nxehtë për një mori vendimesh, deklaratash dhe kritikash ndaj Perëndimit. Qeveria ka marrë gjithashtu ka bërë regres në liritë dhe të drejtat e njeriut. Në maj të vitit 2023, kryeministri gjeorgjian Irakli Gharibashvili mori pjesë në takimin e Koalicionit të Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Budapest, ku politikani sulmoi personat LGBTQ+, duke pretenduar se ata po përhapnin propagandë që ishte kundër “vlerave tradicionale familjare” të vendit. Por nuk është vetëm qëndrimi anti-LGBTQ+ i qeverisë historia e përkeqësuar për liritë dhe demokracinë që po tërheq vëmendjen ndërkombëtare. Ëndrra Gjeorgjiane ka bërë gjithashtu ndryshime të rëndësishme në marrëdhëniet e saj me Rusinë që kur kjo e fundit pushtoi Ukrainën, duke përfshirë rifillimin e fluturimeve me Rusinë në maj 2023 dhe duke lejuar zyrtarët e sanksionuar dhe familjet e tyre të kalojnë në Gjeorgji.

Gjithashtu në maj, ndërsa  merrte pjesë në një konferencë sigurie në Bratislavë, kryeministri gjeorgjian Gharibashvili akuzoi hapur Ukrainën se ishte arsyeja kryesore pse filloi lufta në radhë të parë. “Nuk dua të citoj deklaratat e qeverisë ruse, por një nga arsyet ishte vullneti dhe vendosmëria e Ukrainës për t'u bërë anëtare e NATO-s. Prandaj ne vuajmë pasojat”, tha Gharibashvili. Gjatë së njëjtës konferencë, ai sulmoi gjithashtu BE-në, duke e kritikuar për dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa i mohoi të njëjtin status Gjeorgjisë. Kryeministri pretendoi se Gjeorgjia ishte përpara dy kombeve të tjera për sa i përket “reformave e performancës”.

Disa analistë e kanë  vënë në dyshim vendimin, duke pyetur veten nëse Rusia ka këndvështrimin e saj në heqjen e kërkesave për viza të gjeorgjianëve dhe rifillimin e fluturimeve. “Motivi më i dukshëm, në këtë rast, do të ishte krijimi i një pyke midis Gjeorgjisë – e cila aspiron të bashkohet me NATO-n dhe BE-në – dhe Perëndimit”, shkroi gazetari  Vladimir Solovyov në përmbledhjen e tij për Carnegie Endowment for International Peace. Solovyov sugjeroi  gjithashtu se Rusia mund të jetë duke shfrytëzuar tensionet midis Gjeorgjisë dhe aleatëve të saj perëndimorë, duke ndikuar në marrëdhëniet e Gjeorgjisë me Ukrainën dhe duke punuar për të mbajtur në pushtet Ëndrrën Gjeorgjiane, për aq kohë sa të jetë e mundur.

Të gjitha këto mbeten pika shqetësuese brenda BE-së. Pas takimit me Zourabichvili në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, përsëriti deklarimet e mëparshme të BE-së se për sa kohë që qeveria ndjek reformat në “drejtësi, deoligarkizimin dhe anti-korrupsionin dhe pluralizmin mediatik”, BE do të mbetet e përkushtuar për të mbështetur Gjeorgjinë të përparojë në statusin e kandidatit.

Mirëprita angazhimin e presidentes për të ecur përpara në rrugën për në 🇪🇺: Ju keni mbështetjen e plotë të 🇪🇺. Vendimi i EUCO për t'i dhënë 🇬🇪 perspektivën e BE-së është një mundësi historike. Nevojiten reforma të mëtejshme – drejtësi, depolarizimi, deoligarkizimi. Dhe ndërtimi i kulturës politike gjithëpërfshirëse.

Megjithatë, rreziqet e forcimit të lidhjeve me Rusinë mund të kërcënojnë aspiratat e Ëndrrës Gjeorgjiane për të mbetur në pushtet. Sipas Alexander Atasuntsev, një gazetar i pavarur i specializuar në çështjet post-sovjetike: “Në përgjithësi, përfitimet e Ëndrrës Gjeorgjiane nga afrimi me Moskën janë mjaft të mjegullta, ndërsa rreziqet janë shumë reale”. Atasuntsev thotë se rreziqet reflektohen në një seri “vendimesh të palogjikshme” të marra nga Ëndrra Gjeorgjiane kohët e fundit. Përpjekja për të miratuar ligjin e “agjentëve të huaj” të Gjeorgjisë në fillim të marsit 2023 është një. Pas ditësh protesta masive, qeveria njoftoi se do të anulonte projektligjin, që ishte një fitore të madhe për punonjësit e shoqërisë civile dhe protestuesit. Një tjetër vendim i dyshimtë nga Ëndrra Gjeorgjiane ishte tërheqja nga Partia e Socialistëve Evropianë pas kritikave të kësaj të fundit për vendimin e partisë në pushtet për të marrë pjesë në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Hungari, në fillim të majit.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.