Rusia shpall një tradhtar apo spiun në ditë

Foto nga Valery Tenevoy në Unsplash

Ky artikull nga Yulia Selikhova u botua nga Holod Magazine më 7 gusht 2023. Një version i përkthyer dhe i redaktuar i këtij artikulli është botuar nga Global Voices me lejen e Holod. 

Bazuar në statistikat e shtatë muajve të parë të vitit 2023, Rusia pritet të jetë dëshmitare e një numri më të lartë të rasteve të tradhtisë shtetërore në 2023 sesa në 20 vitet e mëparshme. Gjyqet zakonisht zhvillohen me dyer të mbyllura. Ndërsa grupet e mëparshme me rrezik të lartë përfshinin punonjës të institucioneve të mbrojtjes, personelin ushtarak dhe shkencëtarë me akses në sekretet shtetërore, në ditët e sotme praktikisht çdokush mund të akuzohet për tradhti.

Publiku nuk ka mundësi të ketë akses në detajet e këtyre akuzave, pasi vetë përmbajtja e sekreteve shtetërore konsiderohet e klasifikuar.

Polina Evtushenko, 24 vjeç, lindi dhe u rrit në Tolyatti derisa u akuzua papritur për tradhti shtetërore në mesin e korrikut 2023.  Më 1 mars 2022, vetëm një javë pas fillimit të pushtimit të plotë të Rusisë në Ukrainë, Polina ndau një lidhje në faqen e saj në Instagram për një peticion për shkarkimin e Vladimir Putin. Ajo ka publikuar edhe disa postime kundër luftës. Ka mundësi që një nga këto postime në Instagram të ketë shërbyer si bazë për akuzën e saj.

Tani Polina është e ndaluar dhe e mbyllur në një qendër paraburgimi në fshatin Kryazh në rajonin e Samara, shumë larg vajzës së saj.

‘Spiunë’ dhe ‘tradhtarë’

Vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti, janë iniciuar katër herë më shumë raste tradhtie sesa në të gjithë vitin 2022 (82 raste nga janari në korrik 2023 kundrejt 20 rasteve në 2022).

Evgeny Smirnov, një avokat nga Perviy Otdel [një shoqatë jofitimprurëse e avokatëve që asiston në çështjet politike në Rusi] thekson: “Shumë prej rasteve që po monitorojmë u mungojnë dosjet në faqet e internetit të gjykatave. Unë besoj se mund të ketë dy herë më shumë raste në realitet.”

Të gjitha termat dhe nenet në legjislacionin aktual janë shumë të gjera dhe të paqarta, duke e bërë të vështirë edhe për avokatët apo zyrtarët të interpretojnë ligjin pa mëdyshje. Sipas Smirnov, pothuajse kushdo që nuk është i njohur me rastet reale të tradhtisë mund të zbulojë padashur një sekret shtetëror në biseda të rastësishme.

Një rast tradhtie në ditë

Shpërndarja gjeografike e çështjeve penale ka ndryshuar ndjeshëm. Smirnov thotë: “Më parë, 90 për qind e rasteve ishin të përqendruara në Moskë, me 10 për qind të mbetura në Krasnodar, Shën Petersburg dhe herë pas here në Khabarovsk. Megjithatë, pas pushtimit në shkallë të plotë, rastet e tradhtisë dhe spiunazhit janë bërë më të përhapura në rajone.”

Në fillim, hetimet në rajone merrnin shumë kohë. “Tani, FSB-ja ka rritur ritmin: mesatarisht, rreth 20 çështje penale iniciohen në muaj,” thotë Smirnov. “Kjo do të thotë se çdo ditë pune inicohet një rast”.

Rasti i parë i animit me armikun në vitin 2023 ishte në ditën e parë të punës të vitit të ri, më 9 janar. Në raport thuhet se i arrestuari “ka tentuar të udhëtojë në Ukrainë për të marrë pjesë në aksione luftarake në anën e VSU. ” Çdo detaj i vetëm i këtij rasti mbetet i panjohur: është i klasifikuar.

Smirnov thotë se hetuesit ndjekin një model: “Një rast pasqyron një tjetër, vetëm mbiemrat ndryshojnë”. Ai gjithashtu tha për “Holod” se avokatët nga “Perviy Otdel” kanë marrë së fundmi shumë dëshmi që tregojnë se të arrestuarit janë torturuar.

Asnjë lirim

Sipas “Holod”, ndërmjet 1 janarit dhe 31 korrikut 2023, media zbuloi të paktën 22 vendime në rastet e tradhtisë. Mesatarja  për “tradhtarët” është 11.5 vjet burgim të regjimit të rreptë. Deri më sot, nuk ka pasur asnjë pafajësi për çështjet e tradhtisë.

Individët e shquar të dënuar për tradhti në gjysmën e parë të 2023 përfshijnë politikanin Vladimir Kara-Murza (dënuar me 25 vjet në regjim të rreptë), biznesmenin dhe themeluesin e Group-IB Ilya Sachkov (14 vjet në regjim të rreptë dhe 5500 dollarë gjobë) dhe shkencëtari Valery Golubkin (12 vjet në regjim të rreptë).

Megjithatë, janë qytetarët e zakonshëm rusë ata që janë në rrezik.

Lojë pa rregulla

Evgeny Smirnov beson me vendosmëri se rastet e tradhtisë dhe spiunazhit janë thelbësore që shteti të ruajë tensionin shoqëror. “Kur “vijat e kuqe” janë të përcaktuara qartë, njerëzit e dinë se çfarë mund të bëhet dhe çfarë jo. Vitet e fundit shteti formulon me dashje ligje që njerëzit të mos dijnë, por vetëm të ndjejë çfarë lejohet dhe çfarë është e ndaluar”, thotë ai.

Më 21 korrik, filloi çështja e parë penale në Rusi që përfshin një transferim financiar në Ukrainë duke përdorur kriptovaluta.

E reja Polina Evtushenko ndoshta nuk e mendoi se postimet e saj në Instagram me vetëm tetë pëlqime mund të konsideroheshin tradhti shtetërore. Evgeny Smirnov informoi “Holod” se ajo mund të përballet me 15 vjet burgim.

Nesër, kushdo mund të gjendet i akuzuar për tradhti shtetërore.

Mënyra e vetme për të qëndruar në anën e sigurt është të shmangni çdo komunikim me të huajt, të mos lexoni apo shikoni ndonjë lajm tjetër përveç mediave shtetërore, të mos tregoni interes për asgjë dhe të mos pyesni miqtë për asgjë ose të mos postoni asgjë në mediat sociale. Siç shkroi George Orwell: “Nëse doni të mbani një sekret, duhet ta fshihni edhe nga vetja”.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.