Kërcënimet e rreme me bomba ngrenë shqetësimin për sigurinë në Kosovë

Ilustrim nga Big Eye, përdorur me leje nga Sbunker.

Ky artikull u publikua fillimisht nga Sbunker si pjesë e nismësrajonale Porta e Dezinformimit në Ballkanin Perëndimor. Një version i redaktuar ribotohet në dy pjesë nga Global Voices me leje.

Një valë alarmesh false për bomba në rajonin e Ballkanit preku edhe Kosovën. Mesazhe kërcënuese nga adresa anonime u dërguan në universitet, shkolla, aeroport dhe stacionet e autobusëve. Asnjë bombë nuk është gjetur. Por alarmet përhapën panik, duke sfiduar edhe kapacitetet e forcave të sigurisë, të cilat kanë shtuar kontrollet në muajt e fundit.

Kërcënimet me bomba filluan në dhjetor 2021 dhe u intensifikuan në periudhën prill-qershor. Përpjekja për të krijuar një situatë kërcënimi të përgjithshëm vjen në një kohë kur agresioni rus ndaj Ukrainës po vazhdon dhe Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosovën, nuk kanë qenë imun ndaj luftës hibride të Rusisë. Kjo bëhet kryesisht përmes lajmeve dhe deklaratave të rreme si ato që mohojnë krimet kundër njerëzimit të kryera nga Serbia në Kosovë gjatë luftës së fundit, 1998–99.

Por, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, të cilat dhanë më shumë detaje për autorët dhe adresat nga kanë ardhur kërcënimet, autoritetet e Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim të arsyeshëm.

73 alarme për bombë në një ditë

Më 16 qershor, në të njëjtën ditë kur u mbajtën dy protesta në Prishtinë – njëra nga organizatat e veteranëve të UÇK-së dhe tjetra nga sindikata e KEK-ut – kishte 73 alarme të rreme për bomba në rajonin e Gjilanit dhe komunat veriore me shumicë serbe. Kjo ka aktivizuar njësitë përkatëse policore, të cilat kanë kryer kontrolle të hollësishme. Megjithatë, në fund, të gjitha alarmet rezultuan të jenë false. Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla me këtë rast bëri thirrje për qetësi dhe të mos ketë panik, ndërsa premtoi se mbeten të përkushtuar për sigurinë e të gjithë qytetarëve.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” gjithashtu është alarmuar me kërcënime të rreme për bombë, dy herë vetëm në qershor. Pasagjerët të cilët ishin në bordin e avionit nga Mynihu për në Prishtinë më 16 qershor transmetuan mesazhin e pilotit se kërcënimi i Aeroportit të Prishtinës ishte i nivelit më të lartë. Avioni u detyrua të devijohej për në Shkup në Maqedoninë e Veriut fqinje, në pritje të udhëzimeve bazuar në situatën në Aeroportin e Prishtinës.

Kërcënimi me bombë më 17 qershor pati efekt edhe në Zvicër. Sipas raportimeve të mediave, autoritetet zvicerane të sigurisë, me marrjen e njoftimit për bombë në Aeroportin e Prishtinës, kanë aktivizuar dy avionë luftarakë F/A-18 për të shoqëruar avionin. Portali zviceran i lajmeve Blick raportoi se dëshmitarët okularë panë avionët duke fluturuar shumë afër njëri-tjetrit dhe duke shkaktuar “dy zhurma të forta” në zonën e Arth-Goldau SZ rreth orës 19:15.

Një alarm i rremë për bombë në aeroport u dha edhe më 2 qershor. Fillimisht dyshohej se mjeti shpërthyes ishte në avionin e linjës Prishtinë-Romë. Kërcënimi për bombë është bërë teksa avioni ishte në ajër, duke shkaktuar shqetësim të madh tek pasagjerët. Sipas shefit të policisë së aeroportit, pas evakuimit të pasagjerëve, policia kontrolloi avionin dhe bagazhet, por nuk gjeti gjë.

Rriten alarmet false 

Këto nuk ishin të vetmet alarme të rreme për bomba, një fenomen që filloi në fund të vitit të kaluar, por që është intensifikuar javët e fundit.

Më 17 dhe 18 maj, Rektorati i Universitetit të Prishtinës dhe shkolla e mesme “Xhevdet Doda” ishin alarmuar për mjete shpërthyese në objektet e tyre.

Rektorati ka marrë kërcënimin direkt në adresën zyrtare të postës elektronike nga dërguesi “sender@5ymails.com”, në orën 13:45. Mesazhi kërcënues ishte shkruar në anglisht me përmbajtjen: “Tani do të shpërthejë bomba në Hasan Prishtinë”. Pas marrjes së emailit kërcënues, policia rrethoi zonën përreth rektoratit dhe për disa orë kontrolloi për bomba. Por edhe ky alarm rezultoi i rremë.

Alarme për bomba kanë marrë edhe mediat e komunitetit serb.

Një i tillë është raportuar nga portali në gjuhën serbe Kosovo-online që operon në Mitrovicën e veriut. Ata kanë bashkangjitur edhe emailet kërcënuese, ku thuhej: “Në ambientet tuaja është vendosur një mjet shpërthyes, i cili do të shpërthejë pikërisht në orën 22:15. Lavdi Ukrainës.” Email-i ishte shkruar në gjuhën ukrainase dhe sipas tyre, ishte dërguar nga një adresë e quajtur “Azov Ukraine“. Edhe ky alarm rezultoi i rremë.

Portali Kosova-online ka një shtrirje të madhe në katër komunat veriore të Kosovës dhe raportohet se transmeton propagandë serbe dhe ruse në Kosovë.

Ndërlidhja me kërcënimet në vendet e rajonit 

Vetëm në dy muajt e fundit, disa institucione publike në qendër të Beogradit dhe aeroporti në qytetin jugor të Nishit janë evakuuar pas kërcënimeve me bomba. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, 97 shkolla fillore dhe disa shkolla të mesme kanë marrë kërcënime me bombë të cilat rezultuan të rreme pas kontrolleve.

Në fakt, qeveria në Serbi i ka lidhur dhjetëra kërcënimet e marra me bombë me situatën në Ukrainë. Autoritetet serbe pretendojnë se forma e kërcënimit me bombë është një “luftë hibride speciale” kundër Serbisë, duke e lidhur atë me refuzimin për të vendosur sanksione ndaj Rusisë pas agresionit ndaj Ukrainës.

Policia raportoi se tetë emaile erdhën nga Polonia, katër nga Gambia, nga Irani dhe Nigeria dhe të tjerë nga Ukraina, Sllovenia dhe Rusia. Sipas tyre, personat që kanë dërguar email kërcënues janë identifikuar dhe meqenëse janë shtetas të huaj, të dhënat po shkëmbehen përmes Europolit dhe Interpolit me policinë e Suedisë, Lituanisë, Zvicrës, Rusisë dhe Hungarisë.

Në lidhje me Kosovën, identifikimi i autorëve mund të jetë më i vështirë pasi nuk është anëtare e Interpolit, ku shkëmbimi i informacionit do të ishte më efikas.

Që nga fillimi i agresionit kundër Ukrainës, alarmet për bomba janë bërë të zakonshme edhe në vende të tjera të rajonit. Për herë të parë ato kanë prekur Republikën Srpska dhe kantonin e Sarajevës.

Policia atje ka raportuar emaile kërcënuese në shkollat ​​fillore dhe të mesme. Kërcënime me bombë ka pasur edhe në Malin e Zi, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë prekur ende nga këto kërcënime.

Alarme të tilla në rajon shtrojnë nevojën që institucionet përkatëse të sigurisë të rrisin nivelin e gatishmërisë dhe të shkëmbejnë informacione nëse mesazhet e dërguara janë të ndërlidhura dhe kanë të njëjtin qëllim, të nxisin frikë dhe panik te qytetarët dhe në këtë mënyrë të destabilizojnë rendin social dhe politik.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.