Qindra mijëra vetë protestojnë në Hong Kong kundër ligjit të ekstradimit

Turma e madhe e protestuesve kundër ligjit të ekstradimit paralizoi një pjesë të madhe të Hong Kongut më 9 qershor 2019. Foto nga: inmediahk.net

Qindra mijëra njerëz në Hong Kong dolën në rrugë të dielën, më 9 qershor 2019, për të ndaluar qeverinë të miratojë ndryshimet në ligjet ekzistuese të ekstradimit – Urdhëri për të arratisurit dhe ndihma e ndërsjelltë juridike në çështjet kriminale.

Tubimi filloi në orën 14:30 dhe shpejt paralizoi një pjesë të madhe të ishullit të Hong Kongut. Anna Pearce, regjistroi pranë Victoria Park, vendi fillestar i mitingut:

Jo ekstradimit në Kinë. Pjesëmarrje e pabesueshme në protestën masive në Hong Kong

Rrugët plot me protestues 

Organizatori i mitingut, Fronti Civil i të Drejtave të Njeriut, vlerësoi se në protestë ishin më shumë se një milion persona, pjesëmarrje më e lartë mitingu kundër ligjit anti-kombëtar të sigurisë më 1 korrik 2003. Por policia tha se kishte rreth 240,000 persona në rrugë gjatë kulmit të mitingut. Siç tregoi gazetarja e South China Morning Post Jeffie Lam, banorët e Hong Kongut hynë në histori:

Banorët e Hong Kongut sot po bëjnë historinë. Të gjitha korsitë e rrugës Hennessy- përfshirë dhe ato që policia refuzoi t'i hapte- janë mbushur me protestues kundër ligjit të ekstradimit.

Protestuesit thanë se ndryshimet e propozuara do ta bënin më të lehtë që Kina kontinentale të arrestpjë kritikët, disidentët dhe gazetarët në Hong Kong. Ata brohorisnin “jo ligjeve të këqija” dhe bënë thirrje që guvernatorja e qytetit, Carrie Lam, të japë dorëheqjen.

Pankarta: Jo ekstradimit në Kinë. Gënjeshtarja Carrie Lam, të japë dorëheqjen. Foto nga inmediahk.net CC: AT-NC

Një punonjës social u tha gazetarëve të inmediahk.net se doli për të mbrojtur njerëzit e sektorit të çështjeve sociale, sepse nën sistemin gjyqësor të Kinës, ata që përpiqen të sjellin një ndryshim pozitiv në shoqëri, do të arrestohen. Një student protestues beson se sapo amandamenti të miratohet, qyteti do të pushojë së ekzistuari, pasi parimi kushtetues i “Një shtet, dy sisteme” do të marrë fund.

Sot hongkongezët po i tregojnë botës se janë kundër ligjit të ekstradimit

Ka pasur disa protesta masive kundër ligjit të ekstradimit. Më 30 mars, rreth 12,000 persona u mblodhën nga Wanchai në Admiralty para se qeveria të paraqiste ndryshimet te ligjvënësit. Një muaj më vonë, më 28 prill, rreth 130,000 vetë dolën në rrugë duke kërkuar anulimin e ligjit.

Protestat në seri tërhoqën vëmendjen e botës. Shumë prej tyre tani po monitorojnë nëse guvernatorja e qytetit Carrie Lam do ta tërheqë ligjin e diskutueshëm, i cili është planifikuar të shqyrtohet për herën e dytë në dhomën legjislative këtë javë.

Ndryshimet u propozuan së pari nga qeveria e Hong Kongut në shkurt, për të siguruar bazën e mëtejshme ligjore për guvernatoren dhe gjykatat vendore për të trajtuar kërkesat për ekstradim nga juridiksionet pa marrëveshje paraprake, veçanërisht Tajvani dhe Kina. Duke përmendur rastin e vrasjes së një gruaje shtatzënë në Tajvan, qeveria pretendon se ndryshimi i ligjeve të ekstradimit duhet për të mbushur hapësirat ligjore që lejojnë të arratisurit të shpëtojnë nga dënimi.

Megjithatë, ekspertët ligjorë theksuan se e ashtuquajtura “hapësirë ligjore” në të vërtetë është një masë për të parandaluar që të dyshuarit të dorëzohen në territorin e Kinës, ku nuk ka gjykim të drejtë.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut, gazetarët, punonjësit e OJQ-ve dhe ata socialë në rrezik

Sektorë të ndryshëm kanë paralajmëruar se nëse kërkesat për ekstradim përpunohen pa mbikëqyrje legjislative, ndryshimet do të siguronin një bazë ligjore për autoritetet kontinentale kineze për të arrestuar disidentët politikë. Ky shqetësim u deklarua në një letër të hapur të nënshkruar bashkërisht nga mbi 70 organizata joqeveritare:

Duke pasur parasysh mungesën e pavarësisë së gjyqësorit kinez dhe mangësive të tjera procedurale që shpesh rezultojnë në gjykime të padrejta, ne jemi të shqetësuar se ndryshimet e propozuara do të vënë në rrezik këdo në territorin e Hong Kongut që ka lidhje pune me Kinën kontinententale, përfshirë mbrojtësit e të drejtave të njeriut, gazetarët, punonjësit e OJQ-ve dhe punonjësit socialë, edhe nëse personi ishte jashtë Kinës kontinentale kur është kryer krimi. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Hong Kongut të tërheqë menjëherë projektligjin …

Në vend që të trajtonte shqetësimet e ngritura, Zyra Ndërlidhëse e Pekinit zhvilloi një takim me përfaqësuesit e biznesit dhe u kërkoi atyre të mbështesin projektligjin. Në të njëjtën kohë, qeveria e Hong Kongut bëri disa lëshime për sektorin e biznesit, duke përjashtuar nëntë vepra penale kriminale dhe duke ngritur pragun për ekstradimin për krimet e dënueshme me tre vjet burg në shtatë vjet.

Por nga ana tjetër, ajo vendosi të anashkalonte diskutimet në organin ligjvënës në nivel komisionesh dhe e paraqiti projekt-ligjin për diskutimin të plotë në këshillin legjislativ.

Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Zyrës Ndërlidhëse të Pekinit dhe shkelja e procedurës legjislative të Hong Kongut dhanë një sinjal të fortë dhe të qartë për publikun se amendimet janë një vendim politik i diskutueshëm i cili është larg mbrojtjes së interesit të popullit të Hong Kongut.

Sipas ligjit aktual, të huajt që udhëtojnë në Hong Kong mund të dorëzohen tek autoritetet kontinentale kineze sipas kërkesave për ekstradim. Diplomatët nga SHBA, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësimin e tyre. Në sfondin e luftës së vazhdueshme tregtare midis SHBA dhe Kinës, disa analistë janë të shqetësuar se ndryshimet do ta kthejnë Hong Kongun në një fushë beteje të politikës ndërkombëtare:

Efektet e pritshme të ndryshimeve mund të konsiderohen si një pasqyrë e të drejtave ligjore të përdorura nga qeveria amerikane në rastin e Meng [Shënim: arrestimi i Meng Wanzhou në Kanada pas kërkesës së ekstradimit të paraqitur nga SHBA më 1 dhjetor 2018] . Nëse ndryshimet miratohen, atëherë çdo person që shkon në Hong Kong mund të arrestohet dhe të dorëzohet në territorin e Kinës me pëlqimin e një gjykate ose të guvernatorit dhe pa diskutime në Këshillin Legjislativ të Hong Kongut.

Mbi 2500 avokatë protestuan kundër ndryshimeve në ligjin e ekstradimit më 6 qershor. Foto: Kris Cheng/HKFP.

Qeveria e Hong Kongut akuzoi opozitën se po keqinformonte publikun.

Avokatët në protestë 

Por mes atyre që kanë folur kundër ligjit nuk ishin vetëm politikanët e opozitës, por edhe juristët. Më 6 qershor, ata organizuan një “marshim të zi” kundër ligjit të debatueshëm. Veshur me të zeza, rreth 2,500 juristë u mblodhën jashtë gjykatës së apelit dhe marshuan drejt selisë së qeverisë në heshtje. Përpara “marshimit të zi”, juristët i kërkuan qeverisë konsultime.

Ndërkohë që debati në legjislaturë është ndaluar nga qeveria e Hong Kongut, zërat e opozitës janë shtuar. Në javët e fundit, platformat e mediave sociale u mbushën me peticione kundër ndryshimeve, të iniciuara nga qindra grupe nxënësish, studentësh, të krishterët dhe shoqatat e fqinjësisë.

Hongkongezët jashtë kufijve gjithashtu ngritën zërin e tyre. Komunitetet e diasporës nga të paktën 25 qytete, përfshirë Londrën, Nju Jorkun, Berlinin, Toronton, Melburnin dhe Tokionin, gjithashtu zhvilluan protesta të koordinuara kundër amendamenteve.

Thirrjet E duam Hong Kongun dhe E duam Lirinë u dëgjuan në qendër të Sidnejt. Protestuesit kundërshtojnë ligjin që do të lejojë ekstradimet në Kinën kontinentale. Sipas policisë, ka 2000 pjesëmarrës

E gjithë bota tani është duke parë nëse Carrie Lam do të tërhiqet ose do ta çojë ligjin në organin legjislativ këtë javë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.