Dashuria fiton: Tajvani miraton ligjin për martesat mes personave të së njëjtës gjini

Mbi 30,000 vetë presin vendimin përfundimtar për barazinë martesore para organit legjislativ të Tajvanit. Foto nga Filip Noubel, e përdorur me leje

17 maji shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, e njohur edhe si IDAHO. Kjo datë mori një rëndësi historike në Tajvan, pasi ligjvënësit votuan pro martesave të personave të së njëjtës gjini. Ky vendim e bëri ishullin, të parin në Azi që njeh barazinë martesore për të gjithë qytetarët atje.

Pritja tre-orëshe nën shiun e dendur

Për komunitetin LGBTQI+, 17 maji ishte një ditë vendimtare. I kënaqur me vendimin e vitit 2017 të Gjykatës Kushtetuese, që njeh të drejtën e martesës mes personave të së njëjtës gjini, por i zhgënjyer nga rezultati i referendumit të nëntorit 2018 që hodhi poshtë ndryshimin në Kodin Civil për martesa të barabarta, komuniteti LGBTQI+ u mblodh herët në mëngjesin e 17 majit përpara organit legjislativ në Taipei. Megjithë shiun e dendur, një turmë prej më shumë se 30 mijë personash ndoqi procesin e votimit nga ligjvënësit, që po transmetohej drejtpërdrejt përmes ekraneve të mëdhenj.

Jennifer Lu, një nga mbështetëset më të zjarrta të të drejtave të LGBTQI+ në Tajvan. Foto nga Filip Noubel, e përdorur me leje.

Komuniteti përfaqësohej me gjithë diversitetin e tij. Një nga folësit ishte Jennifer Lu, përfaqësuese e Partisë Socialdemokrate (SDP) dhe koordinatorja e Koalicionit për Barazinë e Martesave në Tajvan. Ajo theksoi se komuniteti kërkon të drejta të barabarta dhe se se nuk do të pranohej asgjë më pak se martesa.

Chi Chia Wen në skenë me udhëheqësit fetarë pro-LGBTQI+. Foto nga Filip Noubel, e përdorur me leje.

I pranishëm në turmë ishte dhe Chi Chia Wei, i njohur për pranimin e homoseksualitetit në televizionin kombëtar në vitet '80 dhe një pioner i lëvizjes LGBTQI+. Duke valëvitur flamurin e tij të madh me ngjyrat e ylberit, ai priste me ankth rezultatet përfundimtare të votimit.

Teksa kundërshtimi kryesor ndaj martesave mes personave të së njëjtës gjini vjen nga grupe të caktuara të krishterësh, disa priftërinj dhe një pastore ishin të pranishëm në skenë për të shprehur mbështetjen e tyre për barazinë martesore, duke thënë se “Jezusi nuk bën dallim midis besimtarëve heteroseksualë dhe homoseksualëve”.

Anëtarë të komunitetit LGBTQI+ nga rajonet dhe vendet ku të drejtat e tyre nuk njihen ose janë të kufizuara u bashkuan në këtë aktivitet, pasi rrallë, për të mos thënë kurrë, u jepet mundësia të demonstrojnë në publik.

Flamujt malajzianë dhe të Hong Kongut ishin të pranishëm në marshim. Disa aktivistë kërkojnë njohjen më gjerë të martesës mes personave të së njëjtës gjini. Foto nga Filip Noubel, e përdorur me leje

Emocionet u shtuan rreth orës 13:15 kur ligjvënësit votuan pro nenit 4 të projektligjit, i cili konsiderohet si thelbësor, sepse e përmban shprehjen “regjistrimi i martesës“. Skenat e lotëve, përqafimeve dhe vallëzimit në shi pasuan votimin pro nga ligjvënësit.

Fundi i një beteje ligjore dyvjeçare

Çështja e martesave të personave të së njëjtës gjini u bë fokusi i politikës së Tajvanit në maj të vitit 2017, kur Gjykata Kushtetuese deklaroi se nuk ka pengesa në Kushtetutë që ndalojnë çiftet e së njëjtës gjini të martohen. Gjithashtu legjislativit iu vu në dispozicion afati kohor prej dy vjetësh, për të ndryshuar ligjet ekzistuese që do të mundësonin barazinë martesore, pa marrë parasysh gjininë e personave.

Në Tajvan, martesa përcaktohet nga Kodi Civil. Pasi interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, të njohur edhe me numrin 748, u prit me kundërshtime të forta nga grupe politike dhe fetare, autoritetet zhvilluan një referendum në nëntor 2018 për të pyetur nëse qytetarët e Tajvanit do të mbështesin ose jo reformën e Kodit Civil për të lejuar martesat mes personave të së njëjtës gjini. Referendumi, i cili përfshinte edhe çështje të tjera, hodhi poshtë çdo ndryshim në Kodin Civil me gati dy të tretat e votave.

Pas kësaj, autoritetet njoftuan më 21 shkurt 2019 se vendimi i tyre, bazuar në interpretimin e 748, gjithsesi kërkonte zbatimin jashtë Kodit Civil, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese del mbi rezultatin e referendumit. Ndaj u hartua një projekt-ligj, që i kërkonte organit ligjvënës të rishikojë vendimin brenda 24 majit. Partia kryesore e opozitës, Kuomintang, e cila ka dominuar jetën politike të Tajvanit për një periudhë të gjatë që prej vitit 1949, hartoi versionin e vet të projektligjit, që do të ofronte njohjen e partneritetit civil mes personave të së njëjtës gjini, por që nuk përfshinte martesën.

Çështja shpejt u kthye në një test për presidenten Tsai Ing-wen, e cila përfaqëson Partinë Progresive Demokratike (DPP) që humbi zgjedhjet lokale të nëntorit 2018, kohë kur Tsai dha dorëheqjen nga drejtimi i DPP.

Kjo vjen si një fitore e dyfishtë: për DPP-në, e cila mbështeti hapur projekt-ligjin dhe për komunitetin LGBTQI+ që tani feston. Me ligjin e ri, qindra çifte të së njëjtës gjini, po përgatiten të martohen në 24 maj në mbarë ishullin.

Në Taipei, mbi 150 çifte tashmë janë regjistruar për të festuar atë që disa prej tyre e kanë pritur për dekada me radhë. Një banket tradicional dasme do të organizohet më 25 maj jashtë presidencës për të kremtuar këtë ndryshim historik në shoqërinë tajvaneze.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.