Kriza politike e Venezuelës po intensifikohet dhe censura është në rritje

Para një tubimi në Altamira, në lindje të Karakasit, një vatër protestash në qytetin që kontrollohet nga kundërshtarët e qeverisë. Foto nga Efecto Cocuyo, e përdorur me leje.

Një kapitull i ri në luftën për pushtet në Venezuelë u hap më 30 prill kur kreu i opozitës, Juan Guaido, thirri njerëzit të dalin në rrugë për atë që ai e përshkroi si “fazë përfundimtare” të “Operacionit Liria”, një përpjekje për të rrëzuar qeverinë e Nikolas Maduros.

Guaido e shpërndau mesazhin e tij në një video në Twitter, ku ai qëndronte para një grupi ushtarësh me uniformë. Pas tij ishte udhëheqësi i opozitës Leopoldo López, mentori politik i Guaidos. Mbështetësit e tyre shpejt dolën në rrugë më 30 prill dhe sërish më 1 maj.

Shpejt, platformat kryesore të mediave sociale, duke përfshirë Twitter, Instagram, Facebook dhe YouTube u bllokuan. E njëjta gjë ndodhi edhe me sinjalin e CNN dhe BBC.

Para “Operacionit Liria”

Më 23 janar 2019, Guaido, i cili është kryetar i Asamblesë Kombëtare, duke u bazuar në nenin 233Kushtetutës së Venezuelës, mori kompetencat e presidentit dhe bëri thirrje për zgjedhje. Asambleja Kombëtare e cilësoi qeverinë e Nikolás Maduros si të paligjshme, pasi ai mori mandatin e dytë, pas zgjedhjeve të majit 2018, që u konsideruan të manipuluara.

“Operacioni Liria” ishte pjesa e parë e një plani me tri faza i propozuar nga Guaido në janar 2019. Kjo u bë gjithashtu mantra e tij si udhëheqës politik: “stop uzurpimit, [formimi] i një qeverie kalimtare dhe [mbajtja] e zgjedhjeve të lira”.

Në shkurt 2019, Kombet e Bashkuara ende e njihnin Maduron si president të Venezuelës, por 65 vende njohën Guaidon si president të përkohshëm.

Sipas portalit Efecto Cocuyo, protestat po vazhdojnë në shumë qytete dhe autoritetet kanë përdorur dhunën në përpjekjet për të shpërndarë demonstruesit.

Caracas Chronicles përshkroi disa nga ngjarjet e 30 prillit:

Demonstruesit kundër regjimit i rezistuan gazit lotsjellës në Altamira dhe disa zona të tjera anembanë vendit. Disa u plagosën – në disa raste me armë zjarri. Protestuesit dukeshin të ngazëllyer dhe ishin të vendosur të qëndronin. Ishte mbresëlënëse, teksa protestuesit brohorisnin, oficerë të GNB që qëndronin pranë tyre kundër forcave të sigurisë së regjimit. Videoja e një automjeti të blinduar “Chavista” që sulmoi protestuesit pranë bazës ajrore La Carlota u bë virale.

Ngjarjet politike bënë që njerëzit vazhdimisht të kërkonin për informacion në internet dhe duke u përgatitur për vështirësitë e pritshme:

Situata në Venezuelë është përkeqësuar. Jemi në ankth. Ne filluam ditën duke mbledhur sa më shumë ujë, madje edhe në gota. Ne karikuam celularët dhe llampat, përgatitëm çantat me ushqim të konservuar. Unë sinqerisht nuk e di se çfarë të bëj tjetër. Po shkoj në punë.

Ushqimi e uji po pakësohen. Edhe situata e energjisë elektrike dhe qasja në rrjetet e komunikimit është e vështirë. Këta faktorë, të kombinuar me kërcënimin e konfrontimeve të dhunshme në rrugë, i kanë shtuar pasigurinë banorëve.

Censura shënon një tjetër rekord

Sipas studiuesit të censurës Andrés Azpúrua, Venezuela shënoi një “rekord të ri në censurë” më 30 prill dhe 1 maj, pasi disa shërbime komunikimi dhe kanale televizive u ndërprenë, duke përkeqësuar edhe më shumë panoramën mediatike në vend:

Sot arriti kulmi i censurës dhe [bllokimit të internetit] në Venezuelë. Veçanërisht në internet. Është një nga ditët në të cilat censura është shtuar dhe ku [strategjia] flet më shumë për shtimin e dëshpërimit, pasi gjatë ditës janë përdorur teknika të ndryshme bllokimi.

Instituti venezuelian i Shtypit dhe Shoqërisë njoftoi se më 30 prill, Twitter, Instagram, Facebook, Periscope, YouTube dhe shërbimet e Google aksesoheshin me vështirësi nërrjetet e ofruesve më të mëdhenj të shërbimit të internetit – Digitel, Movistar dhe kompania shtetërore CANTV. WhatsApp (ndoshta platforma më e rëndësishme e komunikimit në Venezuelë) dhe Telegrami mezi hapeshin në rrjetin e CANTV.

Grupi i hulumtimit të censurës së internetit, NetBlocks raportoi se shërbimet u rikthyen 20 minuta përpara fjalimit televiziv të Nikolás Maduros, më 1 maj.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.