Siri: Shok dhe mosbesim për vrasjen e gazetarëve

Ky artikull është pjesë e mbulimit tonë special të Protestave siriane 2011/12.

Shfrytëzuesit e internetit që shkruajnë nëpër mediumet sociale për kërdinë që është duke ndodhur në Siri, duhej të bënin ndërprerje për t'i përtypur lajmet për mizoritë e reja kundër njerëzimit që janë bërë në lagjen Baba Amr, në qytetin e rrethuar të Homs-it.

Strategu për media i kompanisë NPR, Andy Carvin, i cili gjendet në Tripoli, Libi, shkruan në Twitter:

@acarvin: Më duhet të çkyçem për pak kohë, para se të them diçka për të cilën më vonë mund të pendohem. Në këtë moment, thjesht nuk mund ta kuptoj. #homs #syria

Ai shton:

@acarvin: Vrasja e raportuesve dhe e qytetarëve gazetarë nuk do të na ndalojë që të dëshmojmë për atë që ndodh. Nuk mund të na ndalni. #syria #homs

Dhe vazhdon:

@acarvin: Këta raportues dhe gazetarë qytetarë kanë më tepër guxim brenda një dite se sa që do të kem unë gjatë gjithë jetës time. Do t'ua kem borxh përgjithmonë. #syria #homs

Ndërsa Iyad El Baghdadi pranon:

@Iyad_elbaghdadi: Më duhet të pauzoj dhe të qaj pak. Shihemi më vonë.

Reagimet pasuan pas raportimeve për vdekjen e gazetares amerikane Marie Colvin, e cila punon për gazetën britanike “The Sunday Times” dhe fotografit francez Remi Ochlik. Sipas Rojtersit, “predhat e goditën shtëpinë në të cilën qëndronin ata, ndërsa një granatë i qëlloi ata kur ishin duke ikur.”

Në ndërkohë, shfrytëzuesit e internetit raportuan nga terreni, ku thuhet se ka edhe një raportues të tretë të lënduar, kur u sulmua qendra për mediume, ku kishte gazetarë dhe aktivistë.

Tweets4peace e akuzon regjimin sirian për kryerjen e sulmit. Shfrytëzuesi i Twitter-it thekson:

@tweet4peace: E dijmë se këtë e ka bërë regjimi, për shkak se ky lloj i sulmeve me predha është duke vazhduar për 19 ditë me radhë. Sot, cak i sulmit ishte qendra për mediume #homs

Lajmi krijoi një simpati të madhe në Twitter, sidomos për shkak të heshtjes botërore për masakrat që bëhen ndaj sirianëve që protestojnë kundër Bashar Al Assadit dhe regjimit të tij, e që deri tani ka marrë me mijëra jetëra qytetarësh.

Nga Egjipti, Maha Abdoelenein shkruan në Twitter:

@mahagaber: Shok i vërtetë dhe mosbesim. Marie Colvin është vrarë sot në Homs, Siri. Kam pasur bashkëpunim të ngushtë me të për të gjitha gjërat në Egjipt

Diaa Hadid thekson:

@diaahadid: Prehuni në qetësi Marie Colvin, Remi Ochlik, pak vetë vdesin me nder, duke i treguar botës për atë që të tjerët mundohen ta fshehin

Kurse, Rania Zabaneh na përkujton:

@RZabaneh: #Siria po bëhet kurth vdekjeje për gazetarët. Kjo është MIZORI: TETË gazetarë të vrarë që nga fillimi i vitit 2012; KATËR në #Homs.

Në ndërkohë, raportuesja e CNN-it Arwa Damon, konkludon:

@arwaCNN: Prehuni në qetësi 2 kolegët tanë që u vratë në #homs, ky është çmimi që e paguajmë për t'i nxjerrë në dritë krimet, çmimi që e paguan #siria për çdo ditë për liri

Ky artikull është pjesë e mbulimit tonë special të Protestave siriane 2011/12.

Fotografia e vogël është marrë nga videoja në YouTube e intervistës së CNN-it me Marie Colvin, që është vendosur nga shfrytëzuesi finriswolf1.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.