I vetëshpalluri “Zoti i ri” i Kirgistanit dhe ish-kandidati presidencial gjendet i vdekur në burg

Politikani dhe biznesmeni nga Kirgistani, Arstan ‘Alai’ Abdyldaev. Foto nga video ‘Арстан Алайдын абактагы өлүмү. Жакындары териштирүүнү талап кылат’ në kanalin Azattyk në YouTube. Përdorim i drejtë.

Politikani dhe biznesmeni i famshëm nga Kirgistani, Arstan “Alai” Abdyldaev, u gjet i vdekur më 5 janar në burgun e fshatit Moldovanovka pranë kryeqytetit të Kirgistanit, Bishkek. Ai ishte 55 vjeç. Sipas Shërbimit Shtetëror të Ndëshkimit, Abdyldaev u vetëvra duke u varur në mensën e burgut special mjekësor. Ai u transferua atje më 28 dhjetor nga qelitë e paraburgimit në Bishkek ku ndodhej që prej arrestimit më 15 dhjetor, me akuzën e nxitjes së urrejtjes fetare.

Komiteti Shtetëror i Sigurisë Kombëtare shpjegoi se arsyeja e arrestimit të Abdyldaev ishte nevoja “për të marrë masa urgjente për të përmirësuar situatën fetare” në vend, duke shtuar se Abdyldaev “mendon se është një “Zot i ri”, “shpëtimtar” dhe i konsideron fetë, besimet dhe pikëpamjet e tjera iluzione inferiore, të dobëta dhe të pavlefshme.”

Vdekja e tij tronditi publikun dhe ngriti dyshimet se ai u vra. Kjo për shkak të detajeve të errëta të dhëna nga autoritetet dhe rrethanave të dyshimta të ndalimit. Abdyldaev u transferua në institucionin e vuajtjes së dënimit në Moldovanovka pa njoftim paraprak për avokatin e tij Kaisyn Abirov, i cili fajësoi “veprimet e paligjshme të agjencive të zbatimit të ligjit, hetuesve dhe gjykatës” për vdekjen e Abdyldaev.

Ndërsa ishte në paraburgim në Bishkek, Abdyldaev u diagnostikua me një “çrregullim të personalitetit mendor të paspecifikuar” dhe u dërgua në Moldovanovka për trajtim. Në përpjekje për të bindur publikun se ishte vërtet një vetëvrasje, autoritetet publikuan pamjet e momenteve të fundit të jetës, ku ai shihet duke mbështjellë një peshqir rreth një kablloje dhe duke ecur drejt mensës, ku nuk kishte kamera.

Këtu është një video në YouTube që tregon ato që autoritetet thonë se ishin momentet e fundittë Abdyldaev në paraburgim:

Familja e Abdyldaev është e bindur se ai nuk u vetëvra. Vajza tregoi se babai i saj ishte në humor të mirë dhe i bindur se hetimi do të përfundonte në favor të tij. Në të vërtetë, ai ishte përballur me akuza të ngjashme në vitin 2019, të cilat u rrëzuan pasi autoritetet nuk gjetën asnjë thirrje për urrejtje fetare ose ekstremizëm në deklaratat se ishte “Zoti i ri”. Djali i tij, duke folur në funeral, tha se nëse do të mund të fliste përsëri me Abdyldaev, ai do të pyeste: “Baba, kush të mbyti?”

Këtu është një video në YouTube e funeralit të Abdyldaev:

Pavarësisht se nuk mbajti kurrë ndonjë post të nivelit të lartë qeveritar, Abdyldaev ishte një emër i njohur në Kirgistan, pasi kandidoi në tre zgjedhjet e fundit presidenciale dhe tha disa fraza ikonike që e kthyen atë në një legjendë memesh. Citati i tij më i famshëm erdhi në një konferencë për shtyp në vitin 2011, kur deklaroi: “Zima ne budget” (Nuk do të ketë dimër), duke parashikuar ndryshime të mëdha klimatike. Në vitin 2012, ai vazhdoi me deklaratën se presidenti rus Vladimir Putin ishte një “biorobot kompleks” i destinuar për të shpëtuar njerëzimin. Abdyldaev u vu sërish në qendër të vëmendjes në vitin 2019 duke dhënë një konferencë shtypi ku e deklaroi veten “Zot i ri”.

Këtu është një video në YouTube për Abdyldaev:

Vdekja e Abdyldaev është një tjetër incident në tendencën alarmante nën sundimin e presidentit aktual Sadyr Japarov. Që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2020, tre figura të mëdha politike dhe të biznesit kanë vdekur në paraburgim në rrethana të dyshimta. Askush nuk është shpallur fajtor për vdekjen e tyre.

Ministria e Drejtësisë reagoi për vdekjen e Abdyldaev me krijimin e një komisioni të posaçëm për të hetuar incidentin dhe zyra e prokurorit të përgjithshëm hapi një çështje penale kundër punonjësve të burgut për neglizhencë. Rezultatet e hetimeve do të ndihmojnë në zbulimin e së vërtetës për vdekjen e Abdyldaev.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.