Midis katër mureve: Zërat e ndrydhur të paqes në Azerbajxhan

Foto nga Alex Shah

Në zemër të Kaukazit Jugor, ku historia dhe gjeopolitika përplasen, shoqëria civile e Azerbajxhanit e ka gjetur veten në qendër të një stuhie të trazuar. Aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarët dhe disidentët janë përballur për vite të tëra me vështirësi, nën sundimin autoritar të dinastisë Aliyev. Politikat autokratike të regjimit, jo vetëm që kanë kufizuar të drejtat e tyre themelore, por edhe i kanë nënshtruar në anën më të errët të shtypjes.

Është një peizazh ku vetë akti i të folurit shpesh vjen me një kosto të madhe, si për sa i përket sakrificës personale, ashtu edhe presionit të pamëshirshëm me të cilin përballen.

Ilham Aliyev fitoi një popullaritet të konsiderueshëm te publiku i Azerbajxhanit, pasi vendi siguroi fitoren në Luftën e dytë të Karabakut dhe rifitoi kontrollin mbi territoret që më parë kontrolloheshin nga Armenia.

Fitorja ka lënë në hije sfidat e vazhdueshme ekonomike dhe sociale në vend.

Tre vjet pas luftës 44-ditore dhe pas operacionit ushtarak të 19 shtatorit 2023 në Nagorni-Karabakh, presidenti Aliyev është i vendosur të ruajë pushtetin e tij. Nëpërmjet politikave strikte autoritare, shteti vazhdon të pengojë punën e shoqërisë civile, të vendosë kufizime ndaj gazetarëve dhe t'i arrestojë aktivistët. Popullit i është hequr e drejta për tubim dhe të shprehet lirshëm.

Represioni kundër atyre që ngrenë zërin

Azerbajxhani deklaroi se kishte nisur operacionet “anti-terror” në Nagorni-Karabakh në shtator 2023 që u pasua nga një valë arrestimesh të njëpasnjëshme të aktivistëve. Gazetarët dhe aktivistët që shprehnin hapur opinionet e tyre kundër luftës dhe bënin thirrje për paqe u qortuan për deklaratat e tyre dhe u përballën me paraburgime administrative.

Në mesin e aktivistëve të shënjestruar në atë kohë ishte Afiaddin Mammadov. Mammadov u arrestua disa here për protestat e tij të vazhdueshme. Më 20 shtator, Mammadov u arrestua dhe u dërgua në paraburgim me akuza false për huliganizëm. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përfundojë me tetë vjet burg.

Ahmad Mammadli, anëtar i Democracy 18, një lëvizje politike opozitare, aktivist i të drejtave të njeriut dhe një ish i burgosur politik, i tha Global Voices se presioni ndaj aktivistëve të paqes nuk është i ri dhe se ai filloi rreth luftës së dytë të Karabakut në 2020.

“Që nga shtatori 2020, janë vërejtur ndalime masive dhe përndjekje të aktivistëve të “Jo Luftë”. I njëjti model vazhdoi në vitet në vijim, me incidente të ngjashme që ndodhën në shtator [2023]. Qëllimi i qeverisë është të shtypë dhe izolojë aktivistët politikë dhe socialë.”

Mammadli kujton se si ai dhe lëvizja e tij “Demokracia 18″ u përballën me presion dhe u shënjestruan papritur pas deklaratave të tyre pro paqes.

“Në shtator të vitit 2022, ndërsa bëra thirrje që Ilham Aliyev të dalë para gjykatës ndërkombëtare për veprimet e tij kundër popullit azer dhe armen, unë u arrestova. Isha gati të largohesha për të vazhduar studimet jashtë vendit, por dalja m'u ndalua, m'u shkel e drejta për arsimim, më burgosën për 30 ditë dhe kundër meje u ngrit një çështje penale e rreme, që çoi në pezullimin tim nga universiteti,” tha Mammadli për Global Voices.

Që nga lufta 44-ditore në 2020, autoritetet kanë arrestuar më shumë se 20 aktivistë, sipas dokumentacionit dhe monitorimit të Mammadli.

Ali Malikov, një aktivist dhe bloger LGBTQ+, gjithashtu u përball me ngacmime nga ana e shtetit për shkak të qëndrimeve kundër luftës.

“Mora nga numra telefoni të huaj qindra fotografi të trupave armenë me kokë të prerë. Jam përballur me përpjekje të shumta hakerimi në profilin tim personal në Facebook. Mediat e kontrolluara nga shteti dhe faqet e njohura të lidhura me shtetin shpërndanë informacionin tim personal, duke më etiketuar si ‘pro-armen’ sepse isha kundër luftës. Një media transmetoi një video timen nga një protestë. Kanali në Telegram ‘Xainləri tanıyaq’ [njihni tradhtarët] publikoi fotot e mia personale. E gjithë kjo ishte për shkak të përfshirjes sime në një peticion që bënte thirrje për paqe. Kohët e fundit, gazeta në internet Yeni Musavat publikoi emrin tim, duke pretenduar se kam marrë pjesë në një aktivitet që ishte kundër luftës, por kjo nuk është e vërtetë sepse nuk e kam bërë kurrë.”

Në kontekstin e Azerbajxhanit, lufta gjithashtu largoi vëmendjen nga çështjet e të drejtave të njeriut, thonë aktivistët e intervistuar nga Global Voices. Ndërkohë, presidenti Aliyev e konsolidoi më tej pushtetin e tij, duke marrë mbështetjen e një baze të zjarrtë nacionaliste. Nëse kishte një gjë që shteti dhe opozita ishin dakord, ajo ishte çështja e Nagorni-Karabakut. Fitorja pas luftës së dytë e fuqizoi Alijevin; ndërsa njerëzit harronin pakënaqësitë e tyre, opozita dikur nxiste kundër presidentit dhe qeverisë. Kjo e ndihmoi presidentin Aliyev dhe ekzekutivin të shtypnin dhe të margjinalizonin grupet kundërshtare, duke përfshirë ato tradicionale të opozitës –Dhe duke i etiketuar ata si tradhtarë, në mënyrë efektive të heshtin protestat dhe ankesat e tyre.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.