Ukraina përgatitet t'u shërbejë veteranëve të luftës me aftësi të kufizuara

Foto nga arkivi personal i Liubov Halan. Përdoret me leje

Pushtimi rus në shkallë të plotë i Ukrainës vijon prej rreth dy vjetësh dhe ka lënë pasoja të tmerrshme. Ekspertët ukrainas diskutojnë se çfarë masash do të nevojiten që Ukraina t'u shërbejë veteranëve të saj të luftës. Liubov Halan është një avokate dhe bashkëthemeluese e OJQ-së Pryncyp në Kiev, që lobon për politika miqësore ndaj veteranëve të luftës në të gjithë Ukrainën dhe mbron përfshirjen, aksesin dhe integrimin më të madh të veteranëve me aftësi të kufizuara. Global Voices foli me Liubov për situatën dhe punën e Pryncyp.

Deri në përfundimin e luftës, Ukraina do të ketë rreth një milion e gjysmë veteranë. Së bashku me të afërmit e tyre, ne tashmë po flasim për tre milionë njerëz. Ky është një numër i lartë, përtej çdo gjëje të krahasueshme në vendet fqinje. Shumë nga ushtarët e kthyer kanë ose do të kenë aftësi të kufizuara, prandaj është thelbësore që ne të zhvillojmë një sistem pune për t'i integruar ata në jetën civile.

Pryncyp u themelua në fillim të vitit 2023, kur një grup aktivistësh, avokatësh dhe veteranësh vendosi të bashkojë forcat për të adresuar problemet sistematike në lidhje me të drejtat e veteranëve. Ushtarët e kthyer – përfshirë ata me aftësi të kufizuara – janë përballur me shumë sfida burokratike dhe shpesh u refuzohen shërbimet që u garantohen me ligj.

Liubov dhe ekipi i saj po përpiqen ta zgjidhin këtë problem, duke u siguruar që Ukraina të jetë gati për një fluks të lartë veteranësh në të ardhmen, që shteti t'u shërbejë ushtarëve pas luftës në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.

Foto nga arkivi personal i Liubov Halan. Përdoret me leje.

Duke arritur limitin 

Para pushtimit të plotë, Ukraina kishte rreth 3 milionë njerëz me aftësi të kufizuara. Për shkak të luftës, ky numër ka të ngjarë të rritet në mënyrë dramatike. Veteranët do të përbëjnë një pjesë të madhe brenda këtij grupi, si pasojë e plagëve të marra në vijën e frontit.

Ushtria e Ukrainës përbëhet nga 1 milion njerëz dhe që tani shumica e ushtarëve ose janë duke luftuar, ose duke u trajnuar – kështu që numri i veteranëve ka qenë relativisht i vogël. Sistemi shëndetësor dhe ai ligjor po përballen me vështirësi që t'i shërbejnë numrit të vogël të ushtarëve të kthyer – kështu që shumë veteranë me aftësi të kufizuara përjetojnë sfida të mëdha kur marrin trajtim ose përpiqen të kthehen në jetën civile. Liubov shpjegon:

Në letër, ligji garanton shumë gjëra për veteranët, por realiteti është shumë ndryshe. Për shembull, një veterani të amputuar i garantohet proteza falas nga shteti, por praktikisht, është pothuajse e pamundur t'i marrësh ato në Ukrainë, sepse nuk ka kapacitete për t'i ofruar. Edhe marrja e statusit të veteranit dhe të një personi me aftësi të kufizuara është shumë e vështirë nga ana burokratike.

Kjo ishte përvoja e Masi Nayyem, një avokat ukrainas dhe  veteran që solli idenë për Pryncyp. Ai ka shërbyer në Forcat e Armatosura të Ukrainës që nga viti 2015. Në 2022, ai humbi syrin dhe u kthye në Kiev. Si një veteran i ri dhe një person me aftësi të kufizuara, Nayyem përjetoi drejtpërdrejt se si ishte të kujdeseshe për anën burokratike si dhe të merrje trajtimin dhe mbështetjen e nevojshme nga shteti.

Nayyem inicioi krijimin e Pryncyp, i cili në më pak se një vit vendosi një komunikim të hapur me shtetin se si t'u shërbehej më mirë veteranëve. Aspekti kyç i punës është të sigurohet që ligjvënësit ukrainas të zhvillojnë politika të reja që do të thjeshtonin shumë procedura për veteranët me aftësi të kufizuara dhe që shteti të investojë fonde të mjaftueshme për të mbështetur këto ligje – dhe të japë gjërat e garantuara në letër.

Një objektiv tjetër i rëndësishëm është riintegrimi i veteranëve të luftës– veçanërisht atyre me aftësi të kufizuara – në jetën profesionale, me iniciativa të tilla si krijimi i hapësirave gjithëpërfshirëse dhe mikpritëse në të gjithë Ukrainën. Liubov thotë:

Fokusi ynë është te veteranët me aftësi të kufizuara, të cilët kanë nevojë për informacion dhe ndërgjegjësim të ndryshimeve në emër të tyre. Sa herë që kthehen nga vija e frontit, ata përballen me një hendek të madh midis ligjit dhe jetës reale. Për shembull, ku do të punësohen gjithë këta njerëz, veçanërisht nëse kanë humbur gjymtyrë ose kanë marrë një plagë që i pengon të bëjnë punën që kishin para luftës? Kjo është një çështje e madhe që kërkon zgjidhje sistematike.

Pryncyp lançoi një navigator të të drejtave – një mjet ligjor që shpjegon mekanizma të ndryshëm burokratikë dhe ofron udhëzime praktike se si të merret statusi i veteranit, si të aplikohet për proteza dhe si të menaxhohen sfidat e ndryshme. Navigatori përdoret nga veteranët si dhe nga ofruesit e kujdesit dhe autoritetet lokale, duke ndihmuar grupet e ndryshme të kuptojnë procedurat që duhet të ndjekin, teksa fluksi i veteranëve po rritet.

Gjithëpërfshirja është çelësi i suksesit

Shoqëria ukrainase ka ndryshuar në mënyrë dramatike në dy vitet e fundit dhe ekipi ynë pasqyron këtë ndryshim. Ne kemi kolegë që janë veteranë me aftësi të kufizuara, ose që kanë të dashur që shërbejnë ose kthehen nga lufta. Shumë prej nesh i shoqërojnë të afërmit teksa përballen me jetët e tyre të reja, kështu që ne kemi atë kuptim praktik të asaj që mungon në ligj, kujdes shëndetësor dhe sfera të tjera thelbësore.

Vëllai im u kthye kohët e fundit nga vija e frontit. Ai po shërbente pranë Bakhmutit, ku u plagos disa muaj më parë. Atij i është prerë këmba, kështu që kur të lirohet nga ushtria, ai do të jetë një nga njerëzit që i shërben organizata ime. Vajtja në këtë udhëtim me të më lejoi të shihja se si mund ta ndryshojmë punën tonë për të ndihmuar më mirë veteranët e luftës me aftësi të kufizuara.

Për të zgjidhur hendekun e përfshirjes, “Pryncyp” po bashkëpunon me organizata të tjera të shoqërisë civile për të rritur ndërgjegjësimin për mungesën e infrastrukturës pa pengesa dhe vështirësitë për të gjetur një vend pune për një person me aftësi të kufizuara. Ekipi po punon së bashku me një koalicion partnerësh për të promovuar politika më të mira punësimi, ku kompanitë ritrajnojnë punonjësit me aftësi të kufizuara dhe gjejnë pozicione të përshtatshme për ta. Këtu ka disa raste pozitive: për shembull, Hekurudhat e Ukrainës në pronësi të shtetit ritrajnojnë ish-punonjësit të cilët tashmë janë me aftësi të kufizuara pasi shërbyen në ushtri dhe u gjen atyre punë të reja. Megjithatë, tregu i punës – ashtu si sistemi shëndetësor apo ligjor – është ende i papërgatitur për t'u shërbyer të gjithëve dhe nuk mund të zgjidhë problemin për shumicën e njerëzve me aftësi të kufizuara.

Ne zhvilluam konceptin e politikëbërjes veterane, ku theksojmë se përfshirja është një element themelor për rehabilitimin dhe riintegrimin e ushtarëve të kthyer. Kjo do të thotë infrastrukturë miqësore për personat me aftësi të kufizuar dhe gjithashtu ka parasysh nevojat e njerëzve që vuajnë nga PTSD [çrregullimi i stresit post-traumatik] e kështu me radhë, si adresimi i përgjigjeve të tyre ndaj ndotjes akustike, etj. Sa i përket rehabilitimit gjithëpërfshirës, ​​ne kemi donatorë që do të ishin të gatshëm të financonin. E rëndësishme është gjetja e ekspertëve dhe fokusimi jo vetëm në ndërtimin e qendrave të reja rehabilituese, por edhe në trajnimin e profesionistëve përkatës. Pra, gjëja kryesore është vendosja e bashkëpunimit efektiv mes shtetit dhe donatorëve.

Për momentin, shumë prej veteranëve të luftës me aftësi të kufizuara ndihmohen nga vullnetarë dhe organizata private, që mbledhin fonde për trajtimet përkatëse, asistojnë në marrjen e ndihmës mjekësore jashtë vendit dhe ofrojnë mbështetje afatshkurtër pas lirimit nga ushtria. Megjithatë, kur lufta të përfundojë dhe miliona njerëz me aftësi të kufizuara do të duhet të riintegrohen në jetën civile në Ukrainë, ata do të kenë nevojë për një mbështetje të vazhdueshme nga shteti, duke e bërë të nevojshme përshtatjen e ligjeve dhe përgatitjen e infrastrukturës që tani.

Duhet të sigurohemi që shteti të jetë në gjendje të ofrojë shërbime cilësore për veteranët e luftës. Kjo do të kërkojë që të gjitha institucionet shtetërore të jenë gjithëpërfshirëse dhe praktikat e tyre të jenë transparente. Kjo do të heqë pak presionin edhe nga familjet e veteranëve me aftësi të kufizuara, të cilat tashmë janë përgjegjës për të shoqëruar të afërmit e tyre në këtë rrugëtim të vështirë burokratik. Çelësi i suksesit është të shërbejmë më mirë në planin afatgjatë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.