Eksodi këmbëzbathur në Gaza

Mijëra palestinezë, shumë prej tyre pa këpucë, ikin në jug të Gazës. Pamje nga një video nga 11 Alive, 8 nëntor 2023. Përdorimi i drejtë.

Ky artikull është shkruar nga Doaa Shaheen dhe fillimisht u botua në Raseef22 më 30 nëntor 2023. Një version i redaktuar ribotohet në Global Voices si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes.

“Vetëm pesë minuta” ishte paralajmërimi i dhënë nga oficeri pushtues izraelit për banorët e një ndërtese në Sabra, në lindje të Gazës, që të evakuoheshin përpara se ajo të bombardohej.

Skena u kthye në një ditë gjykimi, pa shqetësim për ata që do të vdisnin nën sulmet ajrore apo ata që do të mbijetonin. Kur arratisemi, nuk mendojmë të veshim këpucët e duhura. Nuk mendojmë për kilometrat që do të duhet të përshkojmë në këmbë, ndërsa i mbajmë gjërat dhe fëmijët tanë me zemër të rënduar dhe me shqetësim. Ne mendojmë vetëm për mbijetesën. Por pas ecjes së kilometrave të parë, dhimbja në këmbë fillon të na eleminojë dhimbjen në zemrat tona.

Nga fëmija të cilit iu gris këpuca gjatë ikjes dhe zgjodhi të mos ndalonte dhe ta rregullonte nga frika se do të vihej në shënjestër, tek vajza dyvjeçare e të cilës ju bënë këmbët me fluska gjatë zhvendosjes, tek prindërit të cilët, ndërsa mbanin fëmijët e tyre, harruan të vishnin këpucë, pyetja mbetet e njëjtë: Cilat janë këpucët perfekte për t'i veshur kur i shpëton vdekjes?

Fëmija në videon më poshtë tregon se si ju grisën këpucët gjatë vrapit për të shpëtuar jetën e tij, në pamundësi për tu ndalur dhe për t'i rregulluar ato, duke e bërë atë të vraponte zbathur dhe duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme këmbëve:

Evakuim, evakuim, evakuim

Të gjithë bërtisnin: “Evakuim, evakuim, evakuim”. Njerëzit vrapuan me rrobat e tyre, pa marrë agjë tjetër. Gratë ishin të lodhura dhe fëmijët po qanin. Kurse burrat i kanë mbajtur fëmijët në shpinë dhe kanë ikur menjëherë.

Mohammed Radi, rreth të tridhjetave dhe familja e tij prej tre anëtarësh i mbijetoi bombardimit të ndërtesës së tyre të banimit. Fqinjët e tjerë që nuk ikën në kohë u bombarduan dhe mbetën nën rrënoja. Radi i tha Raseef22:

Dëgjova një nga fqinjët e mi duke paralajmëruar për një bombardim dhe për tu evakuuar shpejt. Ne ishim duke ngrënë drekë në atë kohë – lamë gjithçka ashtu siç ishte. Unë nxitova të kapja fëmijët e mi dhe të ikja me ta. Gruaja ime mbajti çantën e saj, me letrat tona të identifikimit dhe filluam të zbrisnim nga kati i gjashtë në katin e parë në këmbë. Ashensori nuk punonte për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.

Megjithatë, menjëherë pas evakuimit të tij, Radi kuptoi se ishte zbathur.

Kur arritëm në katin e katërt, kuptova se nuk kisha veshur këpucë. U ktheva shpejt dhe si rrufe, mora këpucët që përdor për banjë, prej lëkure të lehtë, që më lejojnë të lëviz më shpejt. Sa për gruan time, ajo kishte veshur pantoflat e shtëpisë.

Radi dhe familja e tij u larguan nga ndërtesa pa parë prapa, të pasigurt se ku të shkonin. Mbi kokat e tyre, bombardimet ishin të furishme dhe nën këmbët e tyre kishin xhamat e thyer, gurë dhe zjarr, nga predhat që binin.

Këpucët e tyre u grisën gjatë zhvendosjes

Kur gruas së Radit iu thye shapka, ai u ndal për një moment për ta rregulluar atë, por përpjekjet e tij dështuan. Në fund, ajo vazhdoi udhëtimin vetëm me një. Në momentin që arritën në shtëpinë e disa të afërmve ku kishin planifikuar të strehoheshin, këmba e gruas ishte lënduar rëndë dhe kishte dhimbje të forta. Pa asnjë ndihmë mjekësore, ajo e trajtoi këmbën e saj me kafe dhe duke e fashuar atë me një copë leckë.

Për banorët e Gazës që jetojnë në këtë luftë, këpucët nuk janë prioritet përballë raketave, sulmeve ajrore dhe bombardimeve izraelite. Prioriteti i tyre është të mbijetojnë. Çfarë dobie kanë këpucët pasi personi të ketë vdekur? Dhe nëse këpucët perfekte ekzistojnë, njerëzit mund të mos jenë në gjendje të zgjedhin llojin, ngjyrën ose formën. Në atë moment urgjent, mes jetës e vdekjes, nuk ka shumë rëndësi nëse një mashkull vesh këpucët e një femre, apo anasjelltas. E sa për fëmijët që ikin, shumica e tyre shkojnë zbathur.

“Kam bërë gati atlete për fëmijët e mi”

Umm Rami u zhvendos me forcë nga Gaza veriore në jug. Ndërsa përgatiti sendet personale të familjes së saj, ajo u sigurua që të zgjidhte këpucët e përshtatshme për udhëtimin e tyre, për t'i shpëtuar vdekjes.

Nëna 40-vjeçare foli me Raseef22. Ajo tha se ka zgjedhur këpucët pa lidhëse për fëmijët e saj Rami dhe Haidar. Ndalimi qoftë edhe për një moment, për të lidhur lidhëset, mund të rrezikojë jetën e tyre, veçanërisht në rrugën Salah al-Din, e cila, edhe pse e caktuar nga okupimi për kalimin veri-jug në Gaza, doli të ishte një nga rrugët më vdekjeprurëse në Rrip. Umm Rami shpjegon:

U detyruam nga ushtria izraelite të largoheshim nga shtëpia jonë në Al-Faluja, një lagje në veri të Gazës. Ishte një natë skëterrë, forcat izraelite po shpërthenin kapsolla rreth nesh. Ndjemë panik dhe frikë të skajshme dhe ndjemë vdekjen në pragun tonë. Sapo agoi, ne paketuam disa sende thelbësore dhe përgatitëm këpucët tona dhe të fëmijëve tanë.

Nëna kishte veshur çizme lëkure të zeza pa takë, pasi fshiu pluhurin.

Familja eci e lodhur, nga shtëpia në veri deri në Deir al-Balah në qendër të Gazës. Ajo thotë:

Kemi ecur në këmbë, para tankeve të okupimit, rreth gjashtë kilometra. Ndonjëherë, ata na ndalonin dhe na udhëzonin të ngrinim duart dhe të shtriheshim në tokë. Në pika të tjera na kërkuan të ngrinim flamujt e bardhë dhe të tregonim kartat e identitetit. Ishim gati dhe kishim marrë masat paraprake: kishim veshur këpucë të përshtatshme.

Pasi kaluan pikën e kontrollit të okupimit izraelit, familja gjeti një qerre për të shkuar në zonën e zhvendosjes në Gazën qendrore. Pasi shkuan atje, ata u rrëzuan për tokë; këmbët e tyre të lodhura nuk mund të duronin më peshën e ecjes dhe këpucët ju grisën nga udhëtimi i gjatë.

“Unë shpëtova zbathur”

Ndërsa lufta vazhdon, po ashtu edhe vuajtjet. Noor Mohsen, një 20-vjeçar nga Shuja'iyya në Gazën lindore u detyrua së bashku me 12 anëtarë të familjes, të ikte në Rafah në jug. Në javët që nga fillimi i luftës në Gaza, Mohsen është zhvendosur më shumë se një herë, duke ikur nga vdekja pas bombardimeve të përsëritura të okupimit izraelit. Mohsen i thotë Raseef22:

Fillimisht ikëm te të afërmit tanë në lagjen Nasr. I nxituar dhe i paralizuar nga frika, nuk i vesha as këpucët. Ecëm në gjysmë të rrugës, përpara se të gjenim një mjet për të na çuar në destinacionin tonë. Natën tonë të parë, bombardimet izraelite shënjestruan shtëpinë ngjitur me tonën, kështu që ne u larguam përsëri. Kushërira më dha një palë këpucë që i përdorte për sport, por ato ishin shumë të vogla për këmbët e mia. Më shkaktonin dhimbje, por ishte më mirë se të ishin zbathur. Duket se vdekja po na ndjek. Në ditën tonë të tretë që kur u larguam nga shtëpia, avionët izraelitë bombarduan të gjithë zonën e banimit ku ndodheshim. Për mrekulli, mbijetuam dhe ikëm përsëri, prapë pa këpucë.

Ajo shton: “Nuk më interesonte të vishja këpucë. Çfarë të mirë do të bënin ato gjithsesi nëse unë do të vdisja? Ato nuk do të më mbrojnë nga raketat që do të bien mbi ne. Kur të vdes, do të varrosem pa këpucë”.

Para luftës, këpucët e zgjedhura të Mohsen ishin një palë çizme të bardha me taka të larta. Ajo nuk ka më asnjë nevojë për to dhe shtëpia e saj është kthyer në rrënojë, me të gjitha sendet e saj të djegura.

Pasi Mohsen dhe familja u vendosën në Rafah, nëna e saj e surprizoi me një palë çizme lëkure shumëngjyrëshe për dimër. Më e rëndësishmja, ato janë të lehta për  t'u zhvendosur nëse ndodh, të lehta dhe të kombinohen mirë me veshjen me të cilën ajo e ka që kur është zhvendosur: xhinse dhe një pulovër shumëngjyrëshe. Gruas së re i pëlqen të qëndrojë me këto rroba, sepse ato i kujtojnë gjërat e humbura.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.