Aparteidi dixhital dhe përdorimi i algoritmeve të mediave sociale në krizat humanitare

Photo by Alfo Medeiros from Pexels

Njerëz që protestojnë në Palestinë. Foto nga Alfo Medeiros nga Pexels, e përdorur me licencë Pexels.

“Aparteidi dixhital” është një nga shumë termat e rinj që shohim sot që përshkruajnë kufizimet e internetit dhe se si platformat e mëdha të teknologjisë kanë fuqinë për të zgjedhur përmbajtjen që shohim në burimet tona, duke çuar ndonjëherë në censurim të zërave politikë pro disidencës.

Së fundi, përdoruesit e internetit janë bërë më të vetëdijshëm për valën e censurës që është përforcuar nga platformat përmes “ndalimit në hije“, një formë censurimi që kufizon dukshmërinë e përmbajtjes së caktuar pa njoftuar përdoruesit dhe akuzave për “shkelje të udhëzimeve të komunitetit”. Këto janë vetëm disa nga termat e shumtë të përdorur për të heshtur zërat që flasin për gjenocidin palestinez që ndodh që nga 9 tetori.

Historia ka dëshmuar se si krizat humanitare janë përkeqësuar në kohë lufte. Megjithatë, ajo që është e ndryshme në lidhje me luftërat që po shohim në këtë epokë është fuqia e internetit dhe roli i platformave të mëdha të teknologjisë. Pasi Rusia pushtoi Ukrainën, ne pamë rolin që ato luajtën në përforcimin e zërave të njerëzve që i mbijetuan luftës. Pati një rritje të aktivizmit të luftës teknologjike në të cilën platformat e mediave sociale zgjodhën një anë dhe kujdeseshin që shërbimet e tyre në një mënyrë të ndihmonin qytetarët e Ukrainës.

Ndërsa kjo lëvizje ndihmoi në fuqizimin e zërave në terren dhe nënvizoi krimet e mundshme të luftës që ndodhin gjatë kësaj kohe, ja vlen të pyesim nëse të njëjtat standarde po zbatohen për vendet që nuk janë pjesë e veriut globalShpërthimi më i fundit i konfliktit Palestinë-Izrael ka sjellë një sërë pyetjesh rreth platformave të mëdha të teknologjisë që zgjedhin të fuqizojnë zëra të caktuar në kriza të caktuara humanitare, ndërsa zgjedhin me lehtësi të injorojnë pjesën tjetër.

Sipas një raporti të Amnesty International në 2017, modelet algoritmike të Meta-s dhe interesat fitimprurëse sollën shtimin e mizorive gjatë krizës së myslimanëve Rohingya në Mianmar (tetor 2016–janar 2017). Forcat e sigurisë në Mianmar kryen një fushatë të gjerë spastrimi etnik në platformën e Meta-s, Facebook, e cila çoi në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në terren dhe nxiti urrejtje, dhunë dhe diskriminim të mëtejshëm kundër komunitetit. Përmbajtja e dëmshme e urrejtjes u rrit në Facebook dhe në vitin 2018, kompania pranoi se nuk bëri sa duhet për të parandaluar përshkallëzimin e kësaj përmbajtjeje në platformat e saj. Kjo bëri që platforma të paditet në Britani dhe SHBA. Rasti është ende i hapur. 

OJQ-ja palestineze 7amleh (Qendra Arabe për Avancimin e Mediave Sociale), thotë se mes 7 tetorit dhe 14 nëntorit, ka pasur 1447 shkelje të verifikuara të të drejtave dixhitale palestineze. Ky numër përfshin 573 raste të kufizimeve të llogarisë ose heqjes së përmbajtjes së përdoruesve dhe mbështetësve palestinezë. Ka pasur gjithashtu 904 raste të gjuhës së urrejtjes, nxitjes së dhunës dhe formave të tjera të dhunës në internet, të ndihmuara nga teknologjia, të cilat janë verifikuar manualisht.

7amleh zhvilloi një model gjuhësor të fuqizuar nga AI që monitoron përhapjen e gjuhës së urrejtjes në hebraisht kundër palestinezëve dhe përdoruesve pro Palestinës në platforma. Treguesi i dhunës ka dokumentuar mbi një milion raste të gjuhës së urrejtjes nëpër platforma, shumica e të cilave janë gjetur në X (ish-Twitter). Sipas 7amleh, 68 për qind e rasteve të dokumentuara të gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes bazoheshin në përkatësi politike dhe/ose ndjenja nacionaliste, 29 për qind në paragjykime racore dhe pjesa e mbetur përfshinte dhunën me bazë gjinore dhe fetare.

Përdoruesit e internetit anembanë globit kanë vërejtur së fundi se platformat e mëdha të teknologjisë kanë minimizuar shtrirjen e tyre organike, ku përdoruesit raportuan se më pak njerëz ishin në gjendje të shikonin përmbajtjen e tyre, veçanërisht lidhur me gjenocidin dhe luftën e vazhdueshme që po ndodh në Gaza. Aktivistë dhe njerëz të shumtë kanë raportuar se platformat e mëdha të teknologjisë si Facebook, Instagram, X, YouTube dhe TikTok po ndalojnë përmbajtjen pro-palestineze.

Ka pasur gjithashtu raporte për mbylljen e llogarive pro-palestineze në Instagram, të cilat janë një burim lajmi, si @eye.on.palestine, e cila më parë u mbyll dhe u rikthye në platformë, me 8.8 milion ndjekës. Instagram është kritikuar për shtimin e fjalës “terrorist” në biografitë e përdoruesve, që e përshkruanin veten si palestinezë në platformë. Kriza tashmë është quajtur “mjegulla e luftës e drejtuar në mënyrë algoritmike“, me përdorimin në rritje të inteligjencës artificiale (AI) që përdoret për të përhapur dezinformata kundër zërave pro-palestinezë.

Grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si Amnesty International dhe Access Now kanë folur për racizmin e vazhdueshëm dhe gjuhën e urrejtjes me të cilën përballen palestinezët në internet dhe nevojën që platformat të bëjnë më shumë në kohë krize në vend që të censurojnë dhe ndalojnë qytetarët, që tashmë janë dëshmitarë të një lufte të vazhdueshme në terren.

Për të shmangur pengesën e qëllimshme nga platformat e mediave sociale, disa përdorues në internet kanë bërë “ndërprerje algoritmesh” dhe “manipulim algoritmesh”, duke postuar histori normale dhe në mes kanë shtuar historitë e luftës.

Përdoruesit kanë shtuar gjithashtu tingujt kamuflues për të fshehur zërat, kanë ndryshuar drejtshkrimin e fjalëve të zakonshme në anglisht dhe arabisht për “Palestinë”, “gjenocid” dhe “Hamas” për të shmangur zbulimin dhe kanë vendosur mesazhe midis postimeve të rregullta me imazhe dhe video për gjenocidin në Gaza. Disa të tjerë po përdorin “algospeak“, ku krijojnë fjalë të reja në vend të fjalëve kyçe, në mënyrë që ato të mos njihen nga algoritmet dhe të mos hiqen nga platformat, një  taktikë që përdoret për të shmangur moderimin e automatizuar në mediat sociale.

Global Voices foli me Mona Shtaya, mbrojtëse e të drejtave dixhitale në Palestinë, nëpërmjet LinkedIn, për aparteidin dixhital që përjetojnë palestinezët dhe sa të rëndësishme janë platformat e mëdha të teknologjisë gjatë kësaj kohe. Ajo tha:

Duke pasur parasysh mbulimin e pamjaftueshëm dhe të njëanshëm nga mediat kryesore ndërkombëtare dhe shënjestrimin e gazetarëve, platformat e mediave sociale duhet të shërbejnë si një mjet për palestinezët që të ndajnë narrativën e tyre. Megjithatë, realiteti ndryshon dukshëm.

Këto platforma censurojnë shumë zërat palestinezë, i lënë ata dhe mbështetësit e tyre në hije dhe cenojnë të drejtat për fjalën e lirë, tubimin, aksesin në informacion, pjesëmarrjen politike dhe mbrojtjen nga diskriminimi. Këto shkelje ngjajnë shumë me ato të dëshmuara në vitin 2021 [në Palestinë], që përfaqësojnë një shtypje sistematike dhe të qëllimshme të zërave palestinezë, siç konfirmohet nga raporti i Rrjetit dhe Konsulencës së Biznesit të Qëndrueshëm (BSR). Kjo nxjerr në pah dështimin e platformave për të mbështetur parimet themelore të të drejtave të njeriut.

Shtaya shton se si gabimet algoritmike dhe ndalimi në hije i përmbajtjes pro-palestineze po shkaktojnë probleme për njerëzit që përpiqen të ndajnë historitë e tyre me botën dhe të bëjnë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Ajo tha: “Censura e mediave sociale po na mbyt, po përkeqëson vuajtjet tona dhe luftën kundër diskriminimit sistemik. Ajo përforcon autocensurën dhe krijon një efekt, duke komplikuar shtypjen me të cilën përballen komunitetet e margjinalizuara.”

Në lidhje me atë që audienca mund të bëjë për të ndihmuar, Shtaya vë në dukje:

Njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm se mund të bien pre e dezinformatave dhe narrativave të njëanshme. Censura e mediave sociale i pengon palestinezët të ndajnë perspektivat e tyre. Prandaj, publiku i gjerë duhet të kontrollojë në mënyrë aktive lajmet që merr në lidhje me ngjarjet në terren dhe të sigurohet se ata dëgjojnë narrativën palestineze. Për më tepër, individët duhet të mbështesin zërat palestinezë duke ndjekur llogaritë palestineze dhe duke ndarë përmbajtjen e tyre.

Në kohë krize humanitare, platformat e mediave sociale kanë dëshmuar të jenë e vetmja rrugëdalje për të dokumentuar ngjarjet dhe për të edukuar njerëzit në mbarë globin për abuzimet dhe vuajtjet në terren. Zgjedhja e platformave për të diskriminuar identitete të caktuara është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe krijon një aparteid dixhital që vetëm sa përkeqëson krizat.


Seerat Khan është drejtuesja e programeve në Fondacionin e të Drejtave Dixhitale në Pakistan dhe punon për çështjet gjinore dhe teknologjinë gjatë shtatë viteve të fundit. Ajo punon kryesisht me gra mbrojtëse të të drejtave të njeriut dhe gazetare për temat kryesore si mbrojtja e të dhënave, siguria në internet, gjinia, privatësia dhe keqinformimi.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.