Autoritetet në Turqi shënjestrojnë gazetarët

Foto nga Arzu Geybullayeva

Dhjetëra gazetarë u arrestuan në Turqi me preteksin e përhapjes së lajmeve të rreme në periudhën 31 tetor-2 nëntor. Midis tyre ishin gazetarë të shquar që kanë investiguar krimin e organizuar. Mbrojtësit e lirisë së medias shprehën shqetësimet e tyre për “goditjen e lirisë së shtypit”. Mbi një duzinë mediash ndërkombëtare dhe organizata të të drejtave të njeriut nënshkruan një deklaratë “duke dënuar sulmet e qeverisë turke ndaj lirisë së medias”.

Më 1 nëntor 2023, gazetari Tolga Shardan u arrestua për artikullin “Çfarë ka në ‘raportin gjyqësor’ të paraqitur nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës në Presidencë?” botuar në platformën e pavarur të lajmeve T24 më 31 tetor. Artikulli tregonte për shkallën e korrupsionit brenda gjyqësorit. Shardan akuzohet për “përhapje publike të informacionit të rremë” sipas nenit 217/A të ligjit nr. 5237. Menjëherë pas arrestimit të Shardan, artikulli u bllokua.

Në tetor, një artikull nga gazetari Timur Soykan, për Gjykatën e katërt Penale të Paqes të Anadollit në Stamboll, që jepte vendime për ndalim aksesi në këmbim të ryshfeteve, gjithashtu u bllokua. Një artikull nga Free Web Turkey që dokumenton të gjitha vendimet në lidhje me ndalimet e marra nga kjo gjykatë po ashtu u bllokua. Në një postim në X (i njohur më parë si Twitter), Free Web Turkey detajoi vendimin e gjykatës për ndalimin e aksesit: “Brenda fushëveprimit të vendimit [të gjykatës] [për të bllokuar], artikulli përkatës i Soykan, lajmet që citojnë atë artikull dhe më vonë të gjitha lajmet dhe postimet në mediat sociale në lidhje me artikullin e Soykan u bllokuan.” I njëjti vendim urdhëroi gjithashtu heqjen e të gjitha llojeve të mbulimit, duke përfshirë postimet në mediat sociale dhe videot nga të gjitha platformat, raportoi Free Web Turkey, duke sjellë 171 raporte mbi këtë temë.

“Artikulli i Shardan ishte i fundit në një seri raportesh investigative të  akuzave të rënda për korrupsion në sistemin e drejtësisë së Turqisë, të cilat bien plotësisht në kuadrin e shqetësimit legjitim publik. Të gjitha këto raporte janë bllokuar në internet me urdhër të gjykatës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tetëmbëdhjetë mediave dhe organizatave të të drejtave të njeriut.

Heqja e përmbajtjes u justifikua me ligjin e “dezinformimit” të miratuar në tetor 2022.

Ligji famëkeq, që kur hyri në fuqi, është përdorur tashmë në rastet e të paktën 20 gazetarëve, sipas Reporterëve pa Kufij. Erol Onderoglu, përfaqësuesi i organizatës në vend, tha:

Një vit ka qenë më se i mjaftueshëm për të demonstruar se ligji i dezinformimit u miratua vetëm për të minuar më tej raportimin dhe investigimin gazetaresk. Ky mjet shtypës është përdorur mbi të gjitha kundër gazetarëve që mbulojnë krizën pas tërmetit të shkurtit dhe zgjedhjet parlamentare e presidenciale të mbajtura nga 14 deri më 28 maj. Ai ka ndihmuar në përforcimin e klimës së frikësimit të gazetarëve, të cilët tashmë janë subjekt i shumë formave të tjera të shënjestrimit nga gjyqësori. Keqpërdorimi i tij duhet të ndalet.

Editorialisti Cengiz Erdinç u arrestua në të njëjtën ditë dhe me të njëjtat akuza si Shardan. Artikulli i tij ishte mbi shkallën e ulët të dënimit në rastet e pastrimit të parave.

Më 7 shkurt, një ditë pas tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan iu drejtua kombit nga Qendra Shtetërore e Koordinimit të Informacionit. Në fjalën e tij ai paralajmëroi se shteti po ndjek “ata që synojnë të vënë kundër njëri-tjetrit popullin tonë me lajme të rreme dhe deformime. Kjo nuk është dita e debatit. Kur të vijë dita, do të hapim fletoren që mbajmë.” Edhe pse pas kësaj deklarate u qortuan shumë individë, përfshirë gazetarë, më 2 nëntor, Evrim Kepenek nga platforma e pavarur Bianet, u njotua nga prokuroria se duhet të paraqitej dhe të jepte një deklaratë për postimet e saj në rrjetet sociale, lidhur me tërmetin e 6 shkurtit.

Një tjetër gazetare e akuzuar për “përhapje propagande për një grup terrorist” ishte Dilsah Kaya, e cila gjithashtu u arrestua më 2 nëntor për një artikull të botuar në platformën e pavarur të lajmeve në internet, Ozgur Gundem.

Një hetim i veçantë u nis kundër tre gazetarëve Uğur Şahin, İsmail Arı dhe Uğur Koç, me akuzën e “përhapjes publike të informacionit të rremë” mbi një raport të botuar nga Birgun në lidhje me shitjen e tokës nga një prej komunave që drejtohet nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet.

Në mesin e të arrestuarve ishte gjithashtu reporteri i Halk TV, Dincer Gökçe, me të njëjtat akuza si Shardan. Gokçe u la i lirë të njëjtën ditë nën masat e kontrollit gjyqësor. Arrestimi i tij lidhej me një lajm për lirimin e dy drejtuesve të dyshuar të një bande.

Në një postim në X, kreu i partisë kryesore opozitare të Turqisë, Kemal Kılıçdaroğlu tha se ndalimi i tre gazetarëve ishte “armiqësi ndaj medias së lirë”.

Gjashtë gazetarë u paditën më 2 nëntor.

Lajmet e bllokuara

Përmbajtja rreth korrupsionit ose parregullsive bllokohet shpesh në Turqi. Sipas disa vlerësimeve, rreth gjysma e lajmeve të bllokuara lidhen drejtpërdrejt me Erdoganin, familjen e tij ose kryebashkiakët dhe zyrtarët e AKP-së.

Sipas raportit më të fundit të censurës në internet nga Shoqata e Studimeve të Medias dhe Ligjit (MLSA), një organizatë që ofron mbështetje ligjore për gazetarët dhe individët që përballen me gjykim në rastet e lirisë së shprehjes, “aksesi në të paktën 35,066 domaine, 3,196 artikuj lajmesh, 2,090 postime në mediat sociale dhe 184 llogari, u bllokuan në vitin 2022.”

Raporti zbuloi se midis domeineve të bllokuar janë 53 faqe interneti të njohura për pikëpamjet e tyre të pavarura ose opozitare.

Përmbajtja më e zakonshme e bllokuar ka të bëjë me Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet, presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe familjen e tij, si dhe individë dhe organizata të lidhura me qeverinë, partinë ose presidentin. Nga 3196 lajme, 1770 janë bllokuar për këtë arsye. Arsyet e tjera të zakonshme për bllokimin e artikujve përfshijnë “shkeljen e të drejtave personale”, që renditet e para: 3,191 lajme të bllokuara, mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe rendit publik, si dhe justifikimi se artikulli nuk plotësonte më kriteret e së ‘vërtetës dhe saktësisë’ në atë kohë.”

Sipas raportit të Reporterëve pa Kufij të 2023, Turqia renditet e 165-ta nga 180 vende ku “autoritarizmi po fiton terren, duke sfiduar pluralizmin mediatik” dhe ku “të gjitha mjetet e mundshme përdoren për të minuar kritikët”.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.