Gjashtë vendet që u ftuan për t'iu bashkuar BRICS

Presidenti i Brazilit Lula da Silva, Presidenti i Kinës Xi Jinping, Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa, Kryeministri i Indisë Narendra Modi dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergey Lavrov në samitin e BRICS 2023 në Johanesburg, Afrika e Jugut, 22 gusht 2023 Imazhi nga samiti i 15-të i BRICS nga Wikimedia Commons (Marka e Domenit Publik 1.0)

Ky artikull u botua fillimisht nga Africa Feeds dhe një version i zgjeruar është ribotuar në Global Voices si pjesë e një marrëveshjeje partneriteti për ndarjen e përmbajtjes.

Etiopia dhe Egjipti i bashkohen Arabisë Saudite, Iranit, Argjentinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe si vende të ftuara nga drejtuesit e grupit të vendeve BRICS për t'iu bashkuar klubit të tyre, një arritje e përshëndetur nga kryeministri etiopian:

Një moment i mrekullueshëm për #Etiopinë pasi udhëheqësit e BRICS mbështesin hyrjen tonë në këtë grup sot. Etiopia është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë për një rend global gjithëpërfshirës dhe të begatë.

Kryetari i Parlamentit Arab, Adel bin Abdul Rahman Al-Assoumi, gjithashtu tha në një deklaratë:

Reagimet ndaj ftesës së Egjiptit për t'iu bashkuar grupit ekonomik BRICS. Kryetari i Parlamentit Arab, Adel bin Abdul Rahman Al-Assoumi, tha në një deklaratë: “Aderimi i tre vendeve arabe në bllokun ‘BRICS’, përkatësisht Egjiptit, Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, konfirmon besimin e bllokut në ekonomitë arabe dhe forcon marrëdhëniet e ngushta midis vendeve të BRICS dhe botës arabe”.

 

Sipas grupit BRICS, kjo lëvizje për tu zgjeruar do t'i japë atij fuqinë e nevojshme për të promovuar Jugun Global. Njoftimi u bë nga presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa, i cili kryesoi samitin e liderëve të BRICS në Johanesburg.

Ramaphosa deklaroi në ditën e fundit të samitit të 15-të të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të grupit në Johanesburg, i cili filloi të martën, më 22 gusht se “BRICS po fillon një kapitull të ri për të krijuar një botë që karakterizohet nga drejtësia, gjithëpërfshirja dhe prosperiteti.”

Vendet e reja anëtare të ardhshme janë planifikuar të përfshihen zyrtarisht në BRICS më 1 janar 2024. Nëse këto vende hyjnë në aleancën BRICS, kjo potencialisht do t'i hapë rrugën vendeve të tjera të interesuara që të kërkojnë anëtarësim. Si Ramaphosa, ashtu edhe presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva la të kuptohet për mundësinë e pranimit të anëtarëve shtesë në fazat pasuese. “Ne kemi konsensus për fazën e parë të këtij procesi të zgjerimit dhe fazat e tjera do të pasojnë,” u tha Ramaphosa gazetarëve në samit.

Krijimi i bllokut BRICS daton në vitin 2009, kur u iniciua nga Rusia. Objektivi kryesor ishte të ofronte një platformë për vendet anëtare për të sfiduar rendin botëror mbizotërues, i cili dominohej nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë perëndimore. Samiti inaugurues i BRIC u mblodh në Yekaterinburg, Rusi, më 16 qershor 2009, me Brazilin, Rusinë, Indinë dhe Kinën si anëtarë themelues. Pasi Afrika e Jugut u bë anëtare e plotë gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm të BRIC në Nju Jork në shtator 2010, grupi u ripagëzua si BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut). Së bashku, vendet e BRICS përbëjnë afërsisht 40 përqind të popullsisë globale dhe një të katërtën e PBB-së totale të botës.

Pikëpamjet divergjente mbi zgjerimin

Kina, një lojtar i shquar brenda bllokut, parashikon që një anëtarësim më i gjerë do t'i japë asaj një qëndrim më me ndikim në çështjet globale. Ndërsa Rusia dhe Afrika e Jugut janë pas kësaj nisme zgjerimi, India dhe Brazili mbeten në mëdyshje për shkak të shqetësimeve të përshkruara në këtë artikull.

Veçanërisht, më shumë se 40 vende thuhet se kanë treguar interes për t'u anëtarësuar në BRICS, dhe mes tyre, mbi 20 kanë kërkuar zyrtarisht pranim. Pretendentë të rëndësishëm si Irani, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Argjentina, Algjeria, Bolivia, Indonezia, Egjipti, Etiopia, Kuba, Republika Demokratike e Kongos, Komoret, Gaboni dhe Kazakistani kanë treguar synimin e tyre për t'u bashkuar, siç konfirmohet nga zyrtarët e Afrikës së Jugut.

Kryeministri indian Narendra Modi theksoi se zgjerimi i bllokut duhet të shërbejë si një sinjal për institucionet e tjera globale se rëndësia e tyre mund të zbehet, duke thënë: “Zgjerimi dhe modernizimi i  BRICS është një mesazh që të gjitha institucionet në botë duhet të përshtasin veten sipas kohërave që ndryshojnë.”

Peizazhi në zhvillim i BRICS sugjeron një lëvizje strategjike drejt përfshirjes dhe rëndësisë në një rend global gjithnjë në ndryshim. Ndërsa anëtarët e rinj janë gati të bashkohen dhe perspektivat konvergojnë, a do të riformësonte udhëtimi transformues i BRICS dinamikën ndërkombëtare?

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.