Bota arabe: Lërini iranianët të bëjnë ç'të duan

Zgjedhjet presidenciale në Iran dhe ngjarjet që pasuan tërhoqën vëmendjen e blogeve anembanë botës arabe gjatë kësaj jave, pasiqë bloguesit reaguan për zhvillimet më të fundit në rajon.

Bloguesi jordanez Hareega kërkon nga pjesa tjetër e botës të qëndrojë anash, derisa iranianët vetë t'i zgjidhin problemet e tyre të brendshme:

Ato mbajtën zgjedhje. Se a ishin të drejta ose jo, është diçka që nuk e dijmë dhe nuk besoj se dikush do të mund të na thotë. E urrej Ahmedinexhadin, por e dua demokracinë dhe kur njerëzit votojnë duhet të respektohet mendimi i tyre. E urrej qëndrimin amerikan ndaj vendeve të tjera, ku në rast se fiton “njeriu ynë” atëherë zgjedhjet kanë qenë të drejta dhe njerëzit e kanë shprehur mendimin e tyre, por kur fiton “njeriu i keq” zgjedhjet nuk janë të drejta.

Lërini iranianët të votojnë për kë të duan, dhe nëse dalin nëpër rrugë dhe dëshirojnë ta rrëzojnë Ahmedinexhadin, lërini ta bëjnë vet këtë. Herën e fundit kur njeriu i keq u rrëzua nga pushteti me invazion ushtarak kriminel, gjërat nuk shkuan aq mirë, dhe kjo ndodhi në një vend që është relativisht afër Iranit, edhe në aspekt gjeografik edhe në aspekt alfabetik.

Në blogun arabo-amerikan, KABOBfestKalash e diskuton rolin që e luan SHBA-ja në zgjedhjet iraniane dhe ndjenjat e njerëzve nëpër rrugë:

Pa marrë parasysh se a i janë vjedhur zgjedhjet Musavit ose jo, është e qartë se klasa që është në pushtet bëri një veprim të menduar mirë. Ndjenja anti-amerikane është njëra nga kartat më të forta që e kanë ata klerikë qerrata. Thjesht, duke e zbutur tonin që Teherani e dëgjon nga Uashingtoni, Obama dukshëm e ka zvogëluar ndikimin e tyre. Mirëpo, rizgjedhja e Ahmedinexhadit, do të thotë se marrëdhëniet amerikano-iraniane do të përkeqësohen. Ngjarja që do të pasojë do të jetë shumë e rëndësishme. Në qoftë se Obama merr një qëndrim të fortë ndaj asaj që do të ndodhë, atëherë klerikët mund të dalin fitues.

Kjo do të ishte një turp i vërtetë. Sistemi i pushtetit në Iran është i tmershëm. Nuk ekziston demokraci. Populli udhëhiqet nga njerëz despotë të “fesë” që nuk bëjnë asgjë për t'i përparuar interesat e vendit. Përveç që ka bërë që Irani të gjendet në titujt kryesorë të lajmeve, Ahmedinexhadi nuk ka bërë asgjë për ta përmirësuar statusin e vendit të tij në bashkësinë ndërkombëtare. Nuk është për t'u çuditur që aq shumë iranianë janë kundër tij. Mund të thuhet se zyrtarët amerikanë kanë mësuar nga gabimet e kaluara, por ata mund të ndihmojnë për t'i nxitur protestat tani, siç bënë në vitin 1953.

Të shpresojmë se ajo që ndodh tani është një fenomen vendor. Iranit i duhet një revolucion i ri nëse dëshiron ta largojë pushtetin aktual që i kontrollon penjtë. Vështirë se Musavi është njeriu i vërtetë për ta udhëhequr këtë lëvizje, por ajo që është me rëndësi është se njerëzit janë ngritur. Ky proces nuk do të jetë i lehtë. Ndoshta jemi dëshmitarë të fillimit të diçkaje të madhe… Nuk do të ndodhë brenda natës, por “Republika islamike”, do të bjerë më herët ose më vonë.

Blogu propalestinez Jews Sans Frontieres shkruan:

Nuk e di se ç'ndodh në Iran. Budallallëqet liberale për gjoja fitoren e gjoja reformistit properëndimor Musavi për gjoja udhëheqjen e një fitoreje mbi gjoja Ahmedinexhadin e prapambetur nuk kanë kuptim.

Për popullin e Iranit, bloguesi thotë:

Këta njerëz tregojnë guxim, duke u ballafaquar me një aparat represiv shtetëror që është i armatosur dhe që është i gatshëm të vrasë, dhe ata janë duke e bërë historinë. Ata janë të bekuar.

Nga Egjipti, Wael Nawara [arabisht] në Weekite e komenton reagimin e Kryetarit të SHBA-ve, Barak Obama, sa i përket zgjedhjeve iraniane duke thënë:

لابد أن أعترف أن تعليقه متوازن وينطوي على قدر كبير من الاحترام للشعب الإيراني وتجربته الملهمة، وفي نفس الوقت لغة أوباما قوية وواضحة في دعم الحقوق الكونية لكل إنسان وشعب وللإيرانيين في اختيار من يحكمهم، كما يحمل خطابه روح إيجابية وأمل على الرغم من القلق الواضح نتيجة للعنف
Duhet ta pranojmë se komenti i tij është i balancuar dhe përmban respekt të madh për popullin iranian dhe përvojën e tyre inspiruese. Në të njëjtën kohë, gjuha e Obamës është e fuqishme dhe e qartë, në përkrahje të të drejtave universale për çdo krijesë njerëzore dhe për çdo popull, si dhe për atë se iranianët vetë të zgjedhin se kush do t'i udhëheqë ata. Fjalimi i tij ka frymë pozitive dhe shpresë, edhe përkundër brengës së qartë për dhunën e përdorur.

Dhe në fund Irish for Palestine shkruan:

Mediumet perëndimore e përkrahin idenë se trazirat në Iran po ndodhin për shkak se njerëzit dëshirojnë ta rrëzojnë Republikën islamike, gjë që unë mendoj se është e rrezikshme, mirëpo ej, mediumet kanë agjendën e tyre. [Gazetari anglez Robert] Fisk pajtohet dhe thotë se nuk bëhet fjalë për rrëzimin e shtetit islamik, por ata dëshirojnë vetëm ta heqin qafe Ahmedinexhadin dhe të kenë besim në procesin votues.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.