Në Turqi, CIMER, shkurt për Cumhurbaşkanlığı İletişim Merkezi ose Qendra e Komunikimit të Presidencës u krijua në 2015 si pjesë e përpjekjeve të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet për të ndihmuar qytetarët që t'i komunikojnë “problemet, ankesat dhe kërkesat” e tyre presidencës. Megjithatë, disa kanë shqetësime sigurie në lidhje me faqen dhe pretendojnë se është keqpërdorur për të shënjestruar disidentët socialë dhe politikë.
Kur u publikua për herë të parë, Fahrettin Altun, Drejtori i Komunikimeve, tha se qendra u krijua nga Presidenti Recep Tayyip Erdoğan “për të ofruar përgjigjen më të shpejtë dhe më efektive ndaj kërkesave, ankesave dhe aplikimeve për informacion nga publiku”. Daily Sabah shkroi në artikullin e saj duke përshëndetur aplikacionin si “një zgjerim të imazhit të Presidentit Recep Tayyip Erdoğan si një njeri i popullit, i cili e ndihmoi atë të fitonte zgjedhjet disa herë”.
Paraardhësi i CIMER ishte BIMER (Başbakanlık İletişim Merkezi), ose Qendra e Komunikimit e Kryeministrit. Ajo u krijua në vitin 2006 gjatë mandatit të kryeministrit Erdogan. Sipas gazetarit Nevsin Mengu, BIMER shërbeu si një shërbim për qytetarët “për të paraqitur ankesa për institucionet shtetërore, shërbimet dhe qytetarët e tjerë, ose pothuajse çdo gjë që ata e shihnin të papërshtatshme”. Një vit pasi Erdogan u zgjodh president për herë të parë, në vitin 2014, BIMER u kombinua me CIMER.
Nuk është e qartë se çfarë ndodhi me të dhënat personale tashmë brenda bazës së të dhënave të BIMER. Faqja e internetit e BIMER nuk është më e aksesueshme për publikun.
Opinioni, i ndarë
Për disa, si Altun, CIMER është një “revolucion” dhe “shembulli më i lavdërueshëm në botë i demokracisë pjesëmarrëse”, për të tjerë, qëllimet e platformës ngrenë pikëpyetje. Qendra “është kthyer në një platformë ku raportohen kritikët dhe njerëzit, stili i jetesës së të cilëve nuk miratohet nga mbështetësit e partisë në pushtet”, shkroi një faqe interneti në janar 2022.
“Një nga frazat që është përfshirë në leksikun turk vitet e fundit është ‘Do t'ju raportoj në CİMER’. Kjo shprehje e përdorur shpesh, sidomos për kundërshtarët e qeverisë, nuk ka lindur pa arsye”.
Në shtator 2021, një mjeke e sapoemëruar në një nga spitalet publike në Stamboll, Larin Kayataş, u pezullua pasi një infermiere që punonte në të njëjtin spital paraqiti një ankesë kundër saj me arsyetimin e “shqetësimit të moralit publik”. Sipas raportimeve të mediave, Kayataş është një grua trans.
Për Mengu, ekzistenca e CIMER dhe numri i madh i raportimeve në platformë janë tregues i “gjendjes aktuale të punëve në Turqi”.
Askush përveç pallatit [presidencial] nuk ka autoritetin praktik për të marrë një vendim dhe për të veprojë.
Këto shqetësime variojnë nga çështje të vogla si ankesa për sjelljen dhe objektet publike deri te mosmarrëveshjet personale dhe shtëpiake dhe raportet kundër individëve të margjinalizuar.
Në vitin 2020, një grua kërkoi që CIMER ta ndihmonte të rregullonte gjërat mes gjyshërve të saj. Guvernatori i rajonit u përfshi dhe sipas raportimit të Gazete Duvar, pati sukses.
Një shembull i fundit përfshin një hetim të nisur nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit kundër platformës së transmetimit muzikor Spotify. Zyra pretendoi se platforma e transmetimit të muzikës miratoi listat që “fyenin vlerat fetare dhe zyrtarët shtetërorë”. Sipas raporteve, vendimi për të nisur hetimin erdhi pasi “CIMER mori një vëllim të madh ankesash se listat muzikore po nxisnin islamofobinë duke fyer vlerat fetare dhe zyrtarët shtetërorë”.
Në korrik, anëtari i partisë opozitare Tacettin Bayir dërgoi një kërkesë përmes CIMER mbi numrin e pretenduar të xhamive të djegura dhe vendndodhjet e tyre, që kreu i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet pretendoi se protestuesit e parkut Gezi në vitin 2013 kishin dëmtuar. “Nuk ka dokumente apo raporte nga provincat në lidhje me incidentet në fjalë”, thuhet në përgjigjen që Bayir mori.
Sipas udhëzuesit të përdorimit të CIMER, ka disa mënyra për të paraqitur një ankesë – në mënyrë elektronike, përmes sistemit të qeverisjes elektronike, me telefon, faks ose një aplikim duke shkuar fizikisht. Asnjë nga opsionet nuk ofron një aplikacion anonim. Platforma online kërkon të dhëna personale që variojnë nga ID-ja kombëtare, emri dhe mbiemri, adresa, numri i celularit dhe emaili. Aplikantit i ofrohet mundësia që të mos vendosë nivelin e arsimimit. Në gusht, CIMER njoftoi se po ofronte shërbimet e saj për përdoruesit me probleme në dëgjim dhe të folur.
Sipas të dhënave më të fundit, CIMER ka marrë 6.1 milionë aplikime në vitin 2021. Këtu përfshihen opinione, kërkesa për informacion, ankesa, sugjerime dhe mirënjohje të shprehura për aktivitetet e kryera nga shteti.
Aplikimet e bëra në Drejtori përmbanin: kërkesa me 45 për qind, ankesa me 40 për qind, e drejta e informimit me 8 për qind dhe mirënjohje, mendime/sugjerime dhe “Bashkohuni në administratë” me 7 për qind. Organizata qendrore mori 55 për qind të aplikimeve, ndërsa administratat vendore morën 45 për qind.
Nga këto aplikime, mendohet se janë adresuar 5.5 milionë.
Në fund të fundit, synimet dhe qëllimi i vërtetë i CIMER mbeten të errëta. Ekzistenca dhe përdorimi i platformës nxjerr në pah disa mangësi sociale – mungesën e besimit në institucionet dhe mekanizmat vendorë dhe besimin se presidenca mund të zgjidhë çfarëdo problemi që del; mungesa e besimit tek qytetarët teksa bëjnë ankesa kundër njëri-tjetrit; dhe një burim informacioni, ku pyetjet mund të nxjerrin në pah deklaratat dhe ankesat politike përçarëse.