Një banor i Angkor Wat, shtëpia dhe biznesi i të cilit u çmontuan, tha për VOD: “Unë jam dakord që ndërtimet tona duhet të hiqen, por është proces shumë i shpejtë. Ata po e bëjnë atë kaq shpejt, sa unë jam shtangur.”
Një banor i intervistuar në raportin e Amnesty International deklaroi: “Ata thanë se nuk është e detyrueshme, por nëse nuk e bëni, do të humbisni tokën tuaj … kështu që ne dolëm vullnetarë.”
Një tjetër e intervistuar, gruaja e quajtur Dewi, tha se zyrtarët përdorën UNESCO-n për të justifikuar planin e zhvendosjes. Asaj ju tha: “UNESCO do që ju të largoheni – ne kemi frikë se UNESCO do ta heqë statusin e Trashëgimisë Botërore – kështu që ju duhet të ikni”. Ajo shtoi: “Dua të pyes UNESCO-n pse na dëbojnë? Ne kurrë nuk dëmtuam tempujt. Kur isha fëmijë, ne luanim, ngjiteshim dhe pastronim Angkor Wat.”
Duke komentuar raportin, zëdhënësi i qeverisë kamboxhiane Pen Bona tha se ai nuk ishte “i drejtë”, duke pretenduar se zhvendosjet ishin “vullnetare” dhe ishin bërë për t'iu përmbajtur rregullave të vendosura nga UNESCO, të cilat ndalonin strukturat ose njerëzit aty pranë.
Megjithatë, në intervistat e kryera nga Amnesty International, shumica dërrmuese e të anketuarve thanë se nuk donin të largoheshin. Në raport thuhet: “pothuajse të gjithë … përshkruhen se janë dëbuar ose nën presion për t'u larguar nga Angkor pas frikësimeve, ngacmimeve, kërcënimeve dhe akteve të dhunës nga autoritetet kamboxhiane”.
Montse Ferrer, zëvendësdrejtor rajonal për kërkimet në Amnesty International, tha:
Autoritetet kamboxhiane shkulën mizorisht familjet që kanë jetuar në Angkor për disa breza, duke i detyruar ato të jetojnë gojë më gojë në vendet e zhvendosjes të përgatitura keq. Ata duhet të ndalojnë menjëherë dëbimin me forcë të njerëzve dhe shkeljen e ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.
Pas kritikave të ashpra ndërkombëtare, UNESCO tha se “është thellësisht e shqetësuar për planin e zhvendosjes së popullsisë në Angkor”, duke shtuar se “asnjëherë nuk e ka kërkuar, as e ka mbështetur, as nuk ka qenë palë në këtë program”. Që atëherë i ka kërkuar autoriteteve kamboxhiane të marrin “masa” për të zgjidhur situatën.
Në një intervistë me Guardian, Naly Pilorge, drejtoresha e kontaktit e Licadho, një organizatë kamboxhiane për të drejtat e njeriut, kritikoi përfshirjen e mundshme të UNESCO-s në zhvendosjet, duke thënë: “Në vend që të fuqizojë këto komunitete të mblidhen dhe të ngrenë shqetësimet e tyre, UNESCO po pretendon se dëbimet e detyruara nuk po ndodhin para syve të saj.”
Përpara pandemisë COVID-19, Angkor Wat tërhiqte mbi 2.6 milionë turistë në vit. Konsiderohet si kompleksi më i madh fetar në botë. Kamboxhia po kërkon të rrisë ndjeshëm turizmin si një mënyrë për tu rikuperuar ekonomikisht nga pandemia COVID-19.
Ndërsa 10,000 familje janë zhvendosur, shumë nga to janë ende duke luftuar për të qëndruar në tokën e tyre. Ka patur protesta të panumërta për zhvendosjet e vazhdueshme gjatë tre viteve të fundit – megjithëse ky mospajtim shpesh ka pasoja.
Organi që menaxhon parkun arkeologjik, APSARA, është aktualisht i përfshirë në një proces gjyqësor kundër shtatë banorëve që refuzuan të largoheshin nga Angkor Wat, duke i akuzuar ata për “nxitje dhe pengim të punës publike” më 30 tetor, pasi ata protestuan kur autoritetet shkuan për të shembur shtëpitë e tyre.
Ndërkohë, Licadho parashikon vazhdimin e zhvendosjeve, pavarësisht presionit të shtuar ndërkombëtar.