Shih mbulimin e Global Voices për pasojat e COVID-19 në botë.
Prej vitesh, të rezervosh në hotelin ikonik “Adriatik” në qytetin-port të Durrësit është një luks. Por 2020-a, viti i pandemisë së koronavirusit ka shumë dallin nga vitet e kaluara.
Hoteli rihapi dyert e tij më 18 maj, pasi vendi doli nga izolimi gjatë të cilit plazhet e kufijtë me shtetet fqinje qëndruan të mbyllura deri në fillim të qershorit.
Megjithë relaksimin e masave, rezervimet kanë rënë me 85%, sipas menaxheres së përgjithshme Nevila Dudaj. “Ne kemi pasur shumë rezervime për sezonin veror 2020 që nga vjeshta e vitit 2019 dhe ato u ndalën gjatë javës së parë të marsit,” tha ajo.
“Disa klientë me rezervime të vlefshme e shtynë ardhjen për vitin tjetër, por shumica e mysafirëve tanë kërkuan rimbursim, duke na vënë përballë vështirësisë financiare,” thotë Dudaj, e cila gjithashtu drejton agjencinë me qendër në SHBA, Adriatik Tours.
“Rimëkëmbja e sektorit të turizmit do të marrë kohë, të paktën një deri në dy vjet,” parashikon Dudaj.
Dhërmiu, në jug të Shqipërisë, ndodhet midis Himarës dhe Vlorës. Është i famshëm në mesin e shqiptarëve dhe të huajve për plazhet e tij tepër të bukura dhe atmosferën e qetë.
2 Lips, një bar, restorant dhe hotel i vendosur në plazhin e Dhërmiut, zakonisht mirëpret turistët nga Britania e Madhe, Polonia, Çekia, Belgjika, Austria, Franca dhe Italia. Turistët kinezë shkuan atje për herë të parë vitin e kaluar.
Ernis Osmanaj, pronari i 2 Lips tha se rezervimet këtë vit janë afërsisht të njëjta me vitin e kaluar.”
“Dallimi i vetëm është se këtë sezon klientët tanë janë nga Tirana, dhe jo nga Britania e Madhe si viti i kaluar,” tha Osmanaj.
Për Osmanaj, bindja e klientëve për të ndjekur protokollet anti-COVID-19 është gjëja më e vështirë. Ata duhet t'i nënshtrohen kontrollit të temperaturës dhe të dezinfektohen pasi hyjnë dhe dalin nga ambientet, tha ai.
Protokollet e vendosura nga qeverisë shqiptare kërkojnë që hotelet dhe resortet të kenë një “koordinator” anti-COVID-19 për të mbikëqyrur zbatimin e masave të tilla. Stafi duhet të mbajë maska dhe doreza në çdo kohë.
Duke lëvizur më tej në jug, qyteti bregdetar i Sarandës, gjithashtu është duke u përgatitur për një verë të vështirë. Aty turistët mund të shohin rrënojat e lashta të Parkut Kombëtar të Butrintit dhe të shijojnë një ecje në shëtitore, si dhe plazhet fantastike. Në shkurt Saranda ishte në vendet e para të Tripadvisor për destinacionet e ardhshme të udhëtimit. Ajo u rendit e dyta pas Kaliningradit në Rusi.
Në Seaside Artist, një restorant dhe një hotel familjar në Sarandë, rezervimet janë ulur me 60% në krahasim me vitin e kaluar. Rezervimet e gushtit përfshijnë turistë nga Italia, ndërsa shtatori premton të sjellë turistë nga Bullgaria, Gjermania dhe Greqia.
“Këtë sezon kemi pasur shumë anulime për shkak të pasigurisë nga situata e pandemisë. Do të punojmë me rezervimet e minutave të fundit këtë sezon. Saranda nuk ka pasur asnjë rast të koronavirusit dhe është e gatshme të mirëpresë turistët,” tha Rudina Toska nga hoteli dhe restoranti Seaside Artist.
Ejiris Shoshi ndihmon hotelet në Ksamil, afër Sarandës, me prenotimet që vijnë nga agjencitë e udhëtimit në internet. Ajo është në kontakt të drejtpërdrejtë me turistët që kalojnë pushimet në bregdetin e Jonit. Këtë vit 72% e rezervimeve janë anuluar.
“Ato pak rezervime që kemi marrë janë për muajt gusht dhe shtator. Është një sezon i paparashikueshëm, për shkak të faktit se turistët vendas rezervojnë në minutën e fundit dhe turistët e huaj – ata që do të kenë mjetet financiare për të udhëtuar këtë vit – janë të paqartë se si mund të vijnë,” tha Shoshi.
“Shqetësimi kryesor i turistëve të huaj ka qenë udhëtimi – mbyllja e kufijve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga të gjitha vendet e tranzitit”.
Agjencia e Shoshit, në bashkëpunim me hotelet në zonë, kanë shtuar fushatat reklamuese në mediat sociale, për të tërhequr turistët vendas.
Nevila Dudaj nga Adriatik Hotel dhe agjencia Adriatik Tours thotë se kontributi i diasporës shqiptare është shumë i rëndësishëm për rimëkëmbjen e industrisë së turizmit.
“Edhe në New York Times Travel Show në janar të vitit 2020, ku morëm pjesë, u apelova të gjithë shqiptarëve, kudo që të jenë, të vizitojnë dhe të kalojnë pushimet e tyre në Shqipëri, pasi turizmi shqiptar duhet të mbështetet nga ata. Dhe tani, më shumë se kurrë, për shkak të pandemisë së COVID-19, ne kemi nevojë për mbështetjen e tyre “, thotë Dudaj.
Deri më tani, turistët nga Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor u janë bashkuar turistëve vendas për të pushuar në plazhet e Shqipërisë.
Shqipëria numëron gjithsej 2,047 të infektuar me koronavirus, ndërsa janë shënuar në total 45 të vdekur që nga nisja e pandemisë.