Artikulli është një version i redaktuar i një postimi të shkruar nga Irene Chan. Ai u botua për herë të parë në Hong Kong Free Press më 20 nëntor 2023 dhe u ribotua në Global Voices sipas një marrëveshje partneriteti për përmbajtjen.
Një kandërr e vogël ngjyrë kafe, me përmasa jo më shumë se katër milimetra, ka shkaktuar panik në Hong Kong javët e fundit. Autoritetet shpërndanë fletëpalosje paralajmëruese në aeroport, pas përhapjes në masë të çimkave në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Korenë e Jugut.
Por çimkat janë tashmë një fakt i zymtë i jetës për disa hongkongezë që jetojnë në apartamente me disa krevatë ose banesa të vogla.
Wong Hung, një profesor i punës sociale në Universitetin Kinez të Hong Kongut (CUHK), tha se kandrra është një makth i vazhdueshëm dhe se familjet me të ardhura të ulëta të qytetit janë lënë pas dore.
Gjatë vizitave në shtëpitë e “kafazit”, siç njihen hapësirat e mbyllura të qytetit dhe banesat e ndara, Wong ka hasur në të gjitha llojet e historive të çimkave. Disave ju desh të flinin në një McDonald's. Të tjerët që e kishin të vështirë të lëviznin, vuanin në kabinat e tyre të vogla, pasi çimkat i kafshonin.
I shtyrë nga mjerimi i banorëve, Wong themeloi Grupin e Kërkimit dhe Veprimit Kundër Çimkave, së bashku me studiues të CUHK të specializuar në shkencën e jetës, shëndetin publik dhe entomologjinë në vitin 2019. Ndërsa çimkat mund të hyjnë në çdo shtëpi – të pasur apo të varfër, të pastër apo të pistë – grupi zbuloi se familjet me të ardhura të ulëta që jetojnë në banesa të ndara janë më të prekshmet.
Wong i shpjegoi HKFP-së problemin me çimkat:
Çimkat janë një çështje e vjetër në Hong Kong dhe kanë shkaktuar shumë vuajtje për familjet me të ardhura të ulëta, por çështja nuk ka arritur të tërheqë vëmendjen e njerëzve, po aq sa shpërthimet jashtë. Ndoshta ka një ndryshim klasor – tani njerëzit e kuptojnë se edhe nëse je një udhëtar i klasës së mesme, do sjellësh dhe çimkat.
“Ushqim për çimkat”
Chan Chi-cheung, një 72-vjeçar që jeton vetëm, kohët e fundit ka kaluar çdo natë në një stol çeliku poshtë shtëpisë së tij, në një pronë publike banimi. Chan tha:
Kur fqinjët më pyetën pse dola aty, unë ju thashë se u grinda me familjen time. Nuk guxova të them se ishte për shkak të çimkave […] Unë jam ushqim për çimkat! Kafshojnë pasi më zë gjumi. Nuk dhemb kur kafshojnë, por vetëm pas pak minutash filloj të ndjej kruarje dhe dhimbje. Thjesht nuk mund të flesh. Të pastrehët e kanë mirë. Thjesht fle në rrugë dhe nuk kanë shumë sende personale ku të fshihen çimkat.
Chan tha se kishte provuar pesticide të ndryshme, por nuk arriti të eliminonte kandrrat. Duke jetuar me përkrahje sociale, ai nuk ka para për të bërë dezinsektimin nga profesionistët. Çimkat gjithashtu e bënë të ndihej i turpëruar, sepse shumë besojnë se infektimet shkaktohen nga higjiena e paktë personale.
Që nga viti 1995, punonjësja sociale Sze Lai-shan ka ndeshur shpesh raste me çimka. Ajo i tha HKFP:
Deri më tani, shumica e shtëpive në kafaz – nganjëherë të quajtura shtëpi me arkivol – kanë çimka. Nëntë nga dhjetë njësi të shtëpive në kafaz janë të prekura.
Hong Kongu është i njohur për çmimet e larta të pronave private dhe koha mesatare e pritjes për banesat e subvencionuara nga qeveria është mbi pesë vjet. Radha për beqarët e rinj është më e gjata, me një pritje mbi 10 vjet. Shumë familje dhe individë janë të detyruar të zgjedhin hapësira të vogla të jetesës private.
Një opsion tjetër janë shtëpitë me “arkivol”, ku një njësi prej 500-600 metra katrorë ndahet në 20-30 krevate marinari, secili në madhësinë e një arkivoli. Shumë familje zgjedhin banesat e ndara, pa hapësira shtesë.
Sze thotë se sa më shumë njerëz jetojnë bashkë në një ambient të papërshtatshëm, aq më i lartë është rreziku i infektimit nga çimkat.
Pabarazitë shëndetësore
Autoritetet e Hong Kongut nuk përpilojnë asnjë të dhënë për të prekurit e çimkave, shkallën e transmetimit lokal ose ndikimet në familje.
Roger Chung, anëtar i Grupit të Kërkimit dhe Veprimit kundër çimkave dhe një profesor i asociuar i shëndetit publik në CUHK, i tha HKFP se çimkat janë një çështje e shëndetit publik, e lënë pas dore në metropol:
Zyrat shëndetësore nëpër vende të ndryshme dikur i kushtonin pak vëmendje insekteve, sepse kandrra nuk kalon sëmundje të transmetuara nga vektorët si mushkonjat, por nuk bëhet fjalë vetëm për kafshimin. Ato ndikojnë në gjumin e njerëzve, shëndetin e tyre mendor, vetëvlerësimin dhe gjendjen ekonomike.
Duke mbledhur të dhëna përmes pyetësorëve të vetëraportuar në internet, grupi kontaktoi me 663 banorë në 2019 dhe 2020 – 422 prej të cilëve, ose rreth 64 për qind, raportuan se ishin përballur me çimkat.
Shumica jetojnë në Kowloon, ku ndodhen mbi 50 për qind e banesave të ndara, sipas Departamentit të Regjistrimit dhe Statistikave. Chung shpjegoi më tej:
Ashtu si çdo çështje e shëndetit publik, infektimi me çimka zbulon problemin social të pabarazisë shëndetësore. Nuk është vetëm një çështje e higjienës personale. Shumë shtëpi të pastra janë të infektuara. Atyre u mungojnë burimet për t'u marrë me kandrrat. Edhe nëse pastroni njësinë tuaj, çimkat do të kthehen së shpejti pasi mund të kenë infektuar tashmë njësitë fqinje.
Shumica e të prekurve nga insektet raportuan një ndikim të moderuar deri në të rëndë në shëndetin e tyre mendor dhe emocional dhe cilësinë e gjumit, gjë që preku efektivitetin në punën e tyre, zbuloi studimi i grupit.
Një zonë gri
Në SHBA, ku çimkat kanë shkaktuar panik në shumë qytete; te shitësit me pakicë, kinematë dhe zyra në vitin 2010, kandrrat tani shihen si një çështje e shëndetit publik. Disa shtete të SHBA, përfshirë Nju Jorkun, miratuan ligje atë vit që u kërkonin pronarëve të informonin qiramarrësit për çimkat.
Sipas Departamentit të Shëndetit dhe Higjienës të qytetit të Nju Jorkut, infektimi me çimka konsiderohet shkelje e ligjit dhe pronarët duhet ta zgjidhin problemin brenda 30 ditëve. Pronarët e ndërtesave gjithashtu duhet të paraqesin një raport për çimkat çdo vit.
Në Hong Kong, aktualisht nuk ka ligje që përmendin çimkat dhe përgjegjësia për kontrollin e tyre është një zonë gri.
Chan Wai-Keung, zëvendëspresident i Shoqatës së Personelit të Kontrollit të Insekteve të Hong Kongut, i tha HKFP se çimkat nuk ishin nën juridiksionin e ndonjë departamenti qeveritar:
Qeveria thjesht nuk i ka kushtuar rëndësi kësaj çështjeje, sepse çimkat nuk transmetojnë drejtpërdrejt sëmundje.
Pas shpërthimeve të fundit të çimkave në botë, Warner Cheuk, zv/kryesekretari për administratën, tha muajin e kaluar se politika kryesore e qytetit kundër insekteve ishte “parandalimi i transmetimit të huaj”.
Autoritetet filluan t'u jepnin pasagjerëve në aeroport fletëpalosje që i paralajmëronin për çimkat dhe u takuan në fillim të nëntorit me përfaqësues të industrisë së turizmit për parandalimin e fenomenit.
Lidhur me të prekurit në banesat e ndara, Tse Chin-wan, shefi i Byrosë së Mjedisit dhe Ekologjisë, u tha ligjvënësve më 29 nëntor se ekipet lokale të kujdesit do të shpërndanin fletëpalosje mbi “ruajtjen e higjienës mjedisore” dhe mjete të kontrollit të kandrrave.
Për njerëzit që jetojnë në banesa publike, Tse tha se Departamenti i Strehimit do të ofrojë ndihmë “në varësi të situatës” ose do t'i referojë ata te organizatat e mirëqenies sociale.
Warner Cheuk nuk iu përgjigj pyetjeve të HKFP-së nëse çimkat konsiderohen si një çështje e shëndetit publik në qytet, nëse do të zbatoheshin ligjet përkatëse ose nëse qeveria do të merrte masa më të sakta për të ndihmuar të prekurit nga çimkat.