A do t'i mbijetojë krimi i organizuar goditjes nga autoritetet në Azinë Qendrore?

Bosët e krimit në Kirgistan heqin dorë nga ideologjia kriminale dhe statusi i tyre. Foto nga video në YouTube e Kloop na russkom. Përdorim i drejtë.

Kryekrimineli i Kirgistanit Kamchy Kolbaev u vra  më 4 tetor, gjatë një aksioni nga Komiteti Shtetëror i Sigurisë Kombëtare (GKNB). Ai u qëllua për vdekje në restorantin e tij, pasi bëri rezistencë. GKNB e quajti incidentin një operacion special të kryer si pjesë e hetimit të çështjeve kundër grupeve të krimit të organizuar dhe drejtuesve të tyre.

Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Kazakistanit (KNB) të nesërmen, më 5 tetor, kreu arrestime në shkallë të gjerë të eksponentëve të grupeve kriminale në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Të arrestuarit dyshohet se kanë kryer aktivitete të paligjshme në rajonet kufitare të Kazakistanit me Kirgistanin, Kinën dhe Uzbekistanin.

Dy muaj më vonë, në fillim të dhjetorit, Ministria e Brendshme e Uzbekistanit kreu aksione kundër bandave të rrugës dhe grupeve kriminale në disa qytete, duke arrestuar gjithsej 103 persona. Figura më e njohur e arrestuar ishte Salim Abduvaliev, një biznesmen me lidhje me botën e krimit, i cili dukej se ishte i paprekshëm.

Këto arrestime tronditën Azinë Qendrore, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me të ardhmen e grupeve të krimit të organizuar në rajon. Ndikimi i Kolbaev shtrihej shumë përtej Kirgistanit dhe arrestimet e kriminelëve në vendet fqinje pas vdekjes së tij lë të kuptohet për këtë fakt. Grupet e krimit të organizuar në rajon po tërhiqen, por pyetjet mbeten nëse goditjet e autoriteteve do të ketë sukses në eliminimin e ndikimit të tyre.

Famëkeq, i pasur dhe me ndikim

Kolbaev nuk ishte një kriminel i zakonshëm. Ai ishte kapobandë në Kirgistan– hajdut me ligj– një titull i veçantë që iu dha elitës kriminale. Historia e hajdutëve me ligj daton në vitet 1930, kur autoritetet sovjetike krijuan një sistem të veçantë ndarjeje në burg për të kontrolluar numrin e të dënuarve në qeli në Bashkimin Sovjetik. Hajdutët me ligj ndiqnin një kod të veçantë nderi, i cili i ndalonte ata të bashkëpunonin me autoritetet, të kishin familje dhe të bënin një biznes. Detyra e tyre ishte të ruanin traditat e botës kriminale. Njëri u bë hajdut me ligj përmes procesit të “kurorëzimit” nga hajdutë të tjerë me ligj.

Kolbaev ishte një nga bosët më famëkeq të krimit në Kirgistan dhe Azinë Qendrore. Grupi i tij përbëhej nga 424 pjestarë. “Kurorëzimi” i tij u bë në Moskë në vitin 2008. Në 2012, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama, e futi në listën e zezë Kolbaev si një nga bosët më të mëdhenj të drogës. Në 2017, Departamenti Amerikan i Thesarit e futi në listën e zezë, duke deklaruar se Kolbaev ishte pjesë e grupit kriminal ndërkombëtar “Bratskii Krug” (Rrethi Vëllazëror), i përbërë nga bosët e krimit nga vendet post-sovjetike. Autoritetet amerikane premtuan një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për informacionet që do të sillnin kapjen e Kolbaev ose do të shkatërronin skemat e tij kriminale.

Këtu është një video në YouTube për rrugëtimin e Kolbaev në botën e krimit:

Kolbaev është arrestuar disa herë. Megjithatë, në mesin e gushtit 2023, ish-avokati raportoi se nuk kishte asnjë çështje penale kundër tij. Ndikimi i Kolbaev u shtri përtej botës kriminale. Ai raportohet të ketë pasur ndikim të fortë edhe në jetën politike të Kirgistanit, pasi kishte negociuar dorëheqjen e ish-presidentit Sooronbai Jeenbekov dhe mbështeti kandidaturën e presidentit aktual Sadyr Japarov në tetor 2020, gjatë trazirave politike në vend.

Sipas GKNB, Kolbaev, të afërmit dhe bashkëpunëtorët e tij kishin pasuri të paligjshme në turizëm, ndërtim, tregti dhe biznesin e restoranteve. Grupi i organizuar ishte i përfshirë në kontrabandë, trafik ndërkombëtar droge, grabitje dhe rrëmbime. GKNB vlerësoi pasuritë në rreth 1 miliardë dollarë.

Këtu është një video në YouTube me pronat e konfiskuara të Kolbaev:

Krerët e krimit të organizuar të arrestuar në Uzbekistanin fqinj në fillim të këtij muaji janë po ashtu të njohur, të pasur apo me ndikim. Njëri prej tyre është Bakhtiyar Kudratillayev, i njohur gjerësisht me pseudonimin Bakhti Tashkentskiy. Është zakon që hajdutët me ligj të kenë pseudonime, ai i Kolbaev ishte Kolya-Kirgiz. Kudratillayev është hajduti i vetëm me ligj i Uzbekistanit. Ai u kurorëzua në vitin 1997 në moshën 26-vjeçare.

Një figurë edhe më e rëndësishme është Abduvaliev, i njohur gjerësisht si Salimboy dhe Salim Boyvacha (Salim i Pasuri), që lë të kuptohet për pasurinë e tij të pamasë. Abduvaliev është një nga figurat më të pasura dhe më me ndikim në Uzbekistan. Krahas një tjetër kryekrimineli, Gafur Rakhimov, Abduvaliev raportohet se mbikëqyr trafikun e drogës nga Afganistani në Rusi përmes Rrugës Veriore, e cila kalon përmes Uzbekistanit. Ish-ambasadori i SHBA-së në Uzbekistan e ka quajtur atë “bosi i mafies uzbeke”. Abduvaliev raportohet gjithashtu se shet poste qeveritare dhe ndërmjetëson tenderët e mëdhenj.

Këtu është një video në YouTube për Abduvaliev:

Pasioni i vërtetë i Abduvaliev është sporti. Ai është pesë herë kampion kombëtar i mundjes. Që nga viti 2017, Abduvaliev ka qenë nënkryetar i Komitetit Olimpik Kombëtar të Uzbekistanit dhe Drejtor i Shoqatës së Mundjes. Në vitin 2021, atij iu dha titulli “Trajner i nderuar sportiv”.

Këtu është një video në YouTube e një interviste me Abduvaliev në shtëpinë e tij:

I vdekur ose i arrestuar

Pas vdekjes së Kolbaev, dhjetëra punonjës të shtetit dhe biznesmenë u arrestuan për lidhjet e dyshuara me grupet kriminale të udhëhequra nga Kolbaev. Shefi i GKNB Kamchybek Tashiyev deklaroi se “nuk do të ketë më mafia” të lidhur me Kolbaev dhe Raimbek Matraimov, një ish-zyrtar doganor i implikuar në skemat transnacionale të korrupsionit. Me asetet e tij miliarda dollarëshe të transferuara tani te shteti, perandoria kriminale e Kolbaev duket e rrënuar.

Për pjesën tjetër të grupeve kriminale aktive në Kirgistan, vdekja e Kolbaev dërgoi një sinjal të fortë, duke u bërë të qartë se autoritetet do t'i godasin fort. Figura të njohura kriminale të lidhura me Kolbaev kanë hedhur video të tyre duke hequr dorë nga ideologjia kriminale dhe duke premtuar se do të respektojnë ligjin.

Këtu është një video në YouTube me figurat kriminale të Kirgistanit që heqin dorë nga ideologjia dhe statusi i tyre:

Një fat shumë më i mirë, por ende tragjik duket se i pret Kudratillayev dhe Abduvaliev, të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim. Kudratillayev dyshohet për zhvatje, të dënueshme me burgim nga 10 deri në 15 vjet dhe prodhim, blerje e ruajtje  të paligjshme droge.

Çështja penale kundër Abduvaliev u ngrit në bazë të nenit 248 të Kodit Penal të Uzbekistanit, i cili përfshin blerjen, ruajtjen, mbajtjen, transportin, dërgimin dhe përdorimin e armëve të zjarrit, municioneve, eksplozivëve dhe mjeteve të shpërthimit, pa licencat e duhura. Ai përballet me një dënim me burg nga pesë deri në 10 vjet.

Eksponentët e sotëm kriminalë në Azinë Qendrore, si Kolbaev dhe Abduvaliev, janë të ndryshëm nga hajdutët origjinalë të ligjit. Ata kanë familje, drejtojnë biznese, mbajnë poste zyrtare dhe financojnë fushata. Ndikimi i tyre është shtrirë prej kohësh nga bota kriminale në jetën politike dhe ekonomike të vendeve të tyre. Qeveritë e Azisë Qendrore, të cilat janë autoritare dhe populiste, i drejtohen grupeve të krimit të organizuar për të konsoliduar pushtetin dhe për të përmbushur kërkesat publike për të reduktuar kriminalitetin. Grupet e krimit të organizuar mund t'i mbijetojnë sulmit aktual, por ato nuk do të kenë më të njëjtin ndikim në rajon.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.