Malajzi: Moratorium për fakultetet e mjekësisë

Qeveria malajziane ka vendosur një moratorium pesëvjeçar për programet e mjekësisë anembanë vendit, me qëllim të zhvendosjes së fokusit nga kuantiteti në kualitet, pasiqë numri i të diplomuarve nga shkencat mjekësore rritet nga viti në vit.

Pagalavan Letchumanan beson se vetëm vendosja e moratoriumit nuk do të mjaftojë.

Fakultetet që ekzistojnë për momentin janë të shumta dhe ato do të vazhdojnë ta rrisin numrin e studentëve për të fituar më shumë para. Prandaj, edhe numri i të diplomuarve do të vazhdojë të rritet… Mendoj se është me rëndësi të dihet, posaçërisht nga ana e prindërve, se mjekësia më nuk paraqet jetë të garantuar, edhe atë për një afat prej 2-3 vjetësh. Me të vërtetë shpresoj se prindërit dhe studentët do të ndalen së menduari se me kryerjen e studimeve të mjekësisë do të kenë jetë të shkëlqyeshme.

Pilocarpine i ka po të njëjta ndjenja.

Duke i lexuar ato, nuk mund të mos e përmend se sa i pavend është Dokumenti që e potencon kualitetin e dobët të të diplomuarve nga Rusia, Ukraina, Indonezia ose India, pasiqë në bazë të përvojës sime të vogël disavjeçare me këta mjekë të rinj, kam parë një numër jo të vogël të praktikantëve të diplomuar në këto shtete që kanë më shumë dije, iniciativë dhe pjesëmarrje se sa ata që kanë diplomuar në universitetet lokale. Nëse këto fakultete të huaja të mjekësisë do të ishin me standarde të ulëta që nga fillimi, atëherë si njhen ato nga Bordi ynë i çmuar i arsimit të lartë?

Medicine Malaysia gjithashtu beson se moratoriumi nuk është adekuat, dhe se ka nevojë për reformë në fakultetet e mjekësisë që të rritet kualiteti i të diplomuarve.

Procesi i akreditimit të fakulteteve të mjekësisë duhet të bëhet më i rreptë dhe duhet të vendoset një  standard më i lartë. Tërheqja e profesorëve akademikë në universitetet tona dhe mbajtja e atyre që tanimë i kemi duhet të kenë prioritet të njëjtë. Kjo është ajo që dëshirojmë ta dëgjojmë nga ministri ynë i nderuar i shëndetësisë. Moratoriumi 5 vjeçar është një reagim momental ndaj një problemi që qartazi duhet trajtuar shumë më mirë.

Alex Tang megjithatë, e ka të qartë se problemi me numrin tejet të madh të studentëve të mjekësisë është i njohur, edhe pse ai konsideron se tanimë është vonë.

24 fakultetet e mjekësisë tanimë me të madhe po nxjerrin studentë të diplomuar, ndërsa nga ana tjetër ka shumë studentë të tjerë që do të diplomojnë në fakultetet e mjekësisë të vendeve të huaja dhe të cilët së shpejti do të kthehen në shtëpi. Numri jashtëzakonisht i madh i mjekëve në Malajzi së shpejti do të jetë realitet. Mirëpo, përsëri shoh se si prindërit i nxisin fëmijët e tyre që të studiojnë mjekësinë.

Është e qartë se kjo çështje nuk po has në përkrahje nga shumica e malajzianëve, dhe shumica bile e kanë akuzuar qeverinë për krijimin e problemit në fillim. Bloguesi Dr Hsu ka shprehur një mendim të tillë.

Paraqitja e fakulteteve të mjekësisë si këpurdhat pas shiut me gjasë është si rezultat i mungesës së mjekëve në sektorët publikë. Kjo ndodh për shkak se shumica e mjekëve që punojnë në spitalet shtetërore japin dorëheqje pas përfundimit të shërbimit të detyrueshëm dhe zgjedhin sektorin privat ku me gjasë do të kenë përfitim më të mirë.

Në shumicën e vendeve të tjera, gjëja logjike që duhet bërë për ta ndaluar këtë kalim të mendjeve në sektorin privat, është të shihet se pse mjekët japin dorëheqje nga spitalet shtetërore, e pastaj të përpiqen t'i zgjedhin problemet e mjekëve, me shpresë se do të ngelin në punë. Unë e quaj këtë logjikë e thjeshtë.

Zgjidhja malajziane, si edhe në shumë raste të tjera, nuk e merr parasysh logjikën e thjeshtë, por përkundrazi e shfrytëzon qasjen e çekanit.

Nëse mjekët nuk dëshirojnë të ngelin spitalet shtetërore, atëherë Malajzia do ta mbushë tregun me mjekë, kjo është logjika malajziane. S'ka rëndësi fakti që hapja e fakulteteve të mjekësisë dhe trajnimi i mjekëve janë gjëra të shtrenjta.

Poqese prodhohen numër i mjaftueshëm mjekësh, tregu do të ngopet me mjekë, e kështu mjekët nuk do të kenë ku të shkojnë, dhe  do të ngelin në spitalet shtetërore.

Kjo gjë del në dritë nga raporti në gazetën kryesore malajziane në gjuhën angleze “The Star”, sa i përket vendimit të qeverisë për të vendosur moratorium pesëvjeçar mbi fakultetet e mjekësisë.

Fotografia e zvogëluar është marrë nga faqja në Flickr e Pacific Northwest USCG e shfrytëzuar sipas licencës: CC License Attribution 2.0 Generic

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.