Si viti që i paraprin 2020-ës, 2019-a ka qenë popullore për krijuesit e trillimeve shkencore. Gjatë këtij viti, qindra artikuj (si ky, dhe ky) na kanë kujtuar se klasikët si Blade Runner (1982), The Running Man (1987) dhe Akira (1988) i zhvillojnë ngjarjet në një version dysopopian të vitit të tanishëm, dhe vlerësuan saktësinë e parashikimeve (makina fluturuese, klone njerëzore, Lufta e Tretë Botërore) që ata bënë.
Por pak nga ato histori kanë përmendur një film pak të njohur të titulluar “Goodbye, 20th Century!” (“Mirupafshim, Shekulli 20!”), një prodhim maqedonas i vitit 1998 që ishte paraqitja e vendit në Academy Awards atë vit (ai nuk arriti të listohej si kandidat për Filmin më të mirë në gjuhë të huaj).
Filmi përbëhet nga tre histori të ndërlidhura në 1919, 1999 dhe 2019, me të fundit si segmenti hapës. Fillon me një peizazhi të shkatërruar si Mad Max dhe një shenjë paralajmëruese për “hyrjen e ndaluar për të huajt”, ndërsa titulli thotë: “Maqedonia, Ballkani, viti 2019 … Vetëm kafshët mbijetuan!”. Ne pastaj ndjekim protagonistin Kuzman, një njeri i pavdekshëm që endet duke kërkuar një mënyrë për t'i dhënë fund jetës së tij.
Historia e Kuzman është mbështetur nga pasojat e tmerrshme të ngritura nga ndjenja nacionaliste – një çështje që vazhdon të ndjekë rajonin 20 vjet nga përfundimi i Luftërave Jugosllave – me histeri dhe motive biblike të fundshekullit.
Filmi mori vlerësime të përziera në Shtetet e Bashkuara dhe u shfaq shkurt në kinematë jashtë Maqedonisë së Veriut. Në atë kohë, disa kritikë amerikanë e cilësuan filmin “të çuditshëm” për dhunën dhe skenat e tij seksuale (në një moment protagonisti mashkull bën seks me motrën e tij në një vaskë plot mollë). Struktura e saj me tre ngjarje u konsiderua “konfuze dhe izoluese“, me shumë referenca të paqarta kontekstuale për shikuesin jo-maqedonas. Të tjerë pranuan se gjithçka mund të ishte pasqyrim i atmosferës së dëshpërimit, shkatërrimit dhe marrëzisë që prekte rajonin në atë kohë. Një tjetër kritik tha se filmi ishte ” si të ishte krijuar nga disa djem 13-vjeçarë, të fiksuar me incestin, plumbat dhe gjakun spërkatës”.
Filmi është plotësisht i disponueshëm në internet në HD me titra anglisht.