Shqipëria ngadalë i rikthehet normalitetit pas tërmetit shkatërrimtar

Qendra e Tiranës është përgatitur për festimet e fundvitit. Foto nga Ardi Pulaj, e përdorur me leje.

Tërmeti katastrofik 6.4 i shkallës Rihter që goditi Shqipërinë para agimit të 26 nëntorit 2019, i mori jetën 51 personave, la mijëra të plagosur dhe të pastrehë, dhe shumë ndërtesa të dëmtuara.

Skena ndërtesash të rrënuara dhe njerëz në panik ishin titujt kryesor të lajmeve në të gjithë vendin, por dhe në botë. Shumë vetë braktisën vendlindjet e tyre Durrës, Thumanë dhe madje edhe kryeqytetin nga frika e tërmeteve dhe gjetën strehim diku tjetër në vend ose në Kosovën fqinje.

Tirana duket bosh me ndërtesa ku dritat janë ndezur në gjysmën e tyre, gjatë katër ditëve të fundit. Shumë njerëz duket se janë larguar nga qyteti për t'i shpëtuar ankthit të tërmetit dhe pasgoditjeve. Pak dëme në kryeqytetin e Shqipërisë në krahasim me Durrësin fqinj.

Kryeministri Edi Rama tha se projektbuxheti për vitin 2020 do të rishikohet për të ndarë 0.4% të PBB-së për rindërtimin e shtëpive dhe se nuk do të prekë shpenzimet e tjera publike.

Më shumë se gjysma e popullsisë së vendit u prek nga tërmeti. Më 6 dhjetor, gjithsej 7,077 ndërtesa u raportuan të dëmtuara. Rreth 12,000 njerëz kanë mbetur pa shtëpi. Shumica e tyre janë transferuar në hotele, dhe qeveria ka premtuar të paguajë qira deri sa të rindërtohen shtëpitë e tyre. Të tjerët kanë zgjedhur të qëndrojnë në çadra ose në makinat e tyre.

Dritat e shpresës! Dritat e jetës! Durrës

Pavarësisht kësaj, shqiptarët po përpiqen t'i rikthehen normalitetit. Dhjetori është muaji kur përgatiten festimet e Krishtëlindjes dhe Vitit të Ri; Tirana dhe Durrësi janë në atmosferë të plotë festive.

Njerëzit fotografohen në qendër të kryeqytetit, ku janë vendosur dekorimet e Vitit të Ri. Foto nga Ardi Pulaj, e përdorur me leje.

Rregullat e ndërtimit në qendër të vëmendjes

Monumenti i heroit kombëtar Skënderbeu në sheshin që mban emrin e tij në Tiranë. Foto nga Ardi Pulaj, e përdorur me leje.

Pasojat e tërmetit ngjallën diskutimet rreth standardeve të ndërtimit në Shqipëri pasi shumë ndërtesa nuk ishin të përgatitur për lëkundjet.

Redi Muçi, inxhinier civil dhe profesor në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave në Tiranë, tha për Global Voices se vitet e fundit shumë ndërtesa janë ngritur me të meta strukturore, ose që u mungonte një studim gjeologjik.

Prokurori i ri i Përgjithshëm Olsian Çela filloi punën e tij me një vizitë në Durrës më 7 dhjetor. Ai tha për mediat se zyrat e prokurorisë së rretheve do të përfshijnë ekspertë të ndërtimit në hetimin për dëmet e tërmetit.

Çela shtoi se në fokus do të jenë aktakuzat në lidhje me ndërtimet e paligjshme dhe shpërdorimin e detyrës.

“Ne të gjithë jemi koshientë çfarë ka ndodhur. Individë të papërgjegjshëm, duke kryer veprime te caktuara, me koshiencë të plotë kanë shkelur ligjin dhe si pasojë kanë vdekur shumë persona. Zbatimi i ligjit duhet të jetë korrekt dhe i prerë dhe do të kemi rezultate të qarta për hetimin”, tha Prokurori i Përgjithshëm.

Kryeministri Edi Rama njoftoi gjithashtu se zyra e tij po përgatit një projekt-ligj që do parashikon ndëshkimin e kompanive, profesionistëve dhe investitorëve që keqpërdorin lejet e ndërtimit.

Fëmijët mblidhen rreth pemës në zonën Pazari i Ri në Tiranë. Foto nga Ardi Pulaj, e përdorur me leje.

Ndërkohë, ndihma nga jashtë vijon të vijë: Janez Lenarcic, Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, ishte në Shqipëri më 6 dhjetor për të vlerësuar prioritetet e rindërtimit. Komisioni Evropian ka dhënë tashmë 15 milion euro nga fondet e ndihmës.

Turqia ka premtuar të ndërtojë 500 shtëpi në Shqipëri. Lagje tërësisht të reja do të ndërtohen në Durrës, Tiranë dhe Laç.

Sporti në ndihmë të njerëzve në nevojë

Klubi futbollistik Teuta nga Durrësi fitoi kundër Skënderbeut më 8 dhjetor në një ndeshje të luajtur në stadiumin e qytetit ku javë më parë u vendosën të pastrehët nga tërmeti. Disa lojtarë të ekipit u prekën gjithashtu nga tërmeti. Teuta njoftoi se të ardhurat nga shitja e biletave do të dhurohen.

Dy vogëlushë, Aurel Lala, 10 vjeç dhe Alesio Cakoni, 7 vjeç, që i mbijetuan tërmetit duke u hedhur nga një ndërtesë në Thumanë, i bënë ëndrrat e tyre realitet kur takuan legjendat e futbollit Ronaldo dhe Buffon:

Ronaldo dhe Buffon takohen me Alesio dhe Aurel. Të dy u hodhën nga banesat e tyre gjatë tërmetit në Shqipëri. Kur kryeministri Rama u takua me Alesion dhe Aurelin, të mbijetuarit e tërmetit që humbën anëtarët e familjes, ata i thanë atij se lojtarët e tyre të preferuar të futbollit ishin Cristiano Ronaldo dhe Gianluigi Buffon. Sot, dy lojtarët e futbollit bënë një vizitë surprizë dhe u takuan me të dy.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.