See all those languages up there? We translate Global Voices stories to make the world's citizen media available to everyone.

Maqedoni: Një blog satirik e fajëson çështjen e emrit për bankrotimin e Greqisë

Sead93, një blogues i njohur nga Maqedonia dhe njëri nga shfrytëzuesit me ndikim më të madh të Twitter-it, ka publikuar një artikull satirik, ku, në njëfarë mënyre, i përmbledh një pjesë të madhe të shakave lokale që ndërlidhen me problemet financiare të Greqisë dhe situatën politike në Maqedoni.

Duke bërë parodi me stilin senzacionalist dhe klishetë e tepruara nga mediat lokale, ai shkroi [maqedonisht] për një zbulim “skandaloz”:

Burime të larta diplomatike konfirmuan për portalin e lajmeve “Copy Paste” dhe agjencinë e lajmeve “Google Translate” se funksionarë të lartë politikë nga Maqedonia qëndrojnë prapa bankrotimit të fqinjit jugor.

Sipas këtyre burimeve, të cilat, kuptohet kërkuan të mbeten anonime, janë duke u zhvilluar disa nga fazat e fundit të planit për bankrotim të Greqisë, i cili është përgatitur dhe është realizuar me kujdes nga Shkupi, mirëpo në bashkëpunim edhe me opozitën. “Heqësi kryesor i valles” dhe konspirator i këtij plani është kryetari i parë i Maqedonisë, [Kiro Gligorov]. Gligorovi e ka mëri Greqinë që nga vitet e 90-ta për shkak të embargos, mirëpo, është posaçërisht në zënkë me familjen [Papandreu], gjegjësisht me Andreas Papandreun, babain e kryeministrit të paradokoshëm grek, Jorgos Papandreu.

Plani ka qenë që Greqia të detyrohet të harxhojë sasi të mëdha të parave për çështjen e emrit dhe betejat që zhvillohen për këtë çështje. Një nga strategjitë kyçe kanë qenë aktivitetet operative të njësitit special “Tradhëtarët”, anëtarët e të cilit ua kanë ofruar grekëve shërbimet e tyre për shuma të mëdha të parave. Numri i lartë i këtyre operativëve, për të cilët grekët kanë menduar se punojnë për ta, dhe harxhimet e larta të cilët ata kanë arritur t'i tërheqin nga pala greke, de fakto e kanë bankrotuar Greqinë, thonë burime mirë të informuara.

Ato, poashtu shtojnë se Projekti Shkupi 2014 është pjesë e këtij plani, i cili ka pasur për qëllim ta defokusojë vëmendjen e palës greke nga qëllimet e vërteta. Përderisa grekët kanë menduar se e tërë rezistenca dhe resurset e palës maqedonase po shkojnë për këtë projekt megaloman, plani për bankrotimin gradual të Greqisë ishte duke u realizuar. Grekët kanë pasur harxhime plotësuese me aktivitetet e ndryshme për lobim kundër palës maqedonase, duke filluar nga Kombet e Bashkuara, pastaj zgjedhjet për Miss, e deri te ueb-faqet e ndryshme, si p.sh. livescore.com, të cilat janë paguar që të mos e përdorin emrin tonë kushtetues.

Në përfundim të artikullit, Sead93 i vendosi pranë njëra tjetrës, fotografitë e Savo Klimovskit [maqedonisht], ekspert i çështjeve juridike dhe ish kryetar i Parlamentit të Maqedonisë, dhe Lukas Papademos-it, eksperti i çështjeve ekonomike dhe kryeministër aktual i Greqisë.

Savo Klimovski and Lucas Papademos. Collage by Sead93.

Savo Klimovski dhe Lukas Papademos. Kolazh nga Sead93.

Faza përfundimtare e planit është emërimi i “njeriut tonë” në krye të qeverisë greke, thonë këto burime mirë të informuara, i cili duhet “ta përfundojë punën”. Tash për tash, spekulohet se këtë detyrë e ka marrë Savo Klimovski, kryetari i mëparshëm i Kuvendit dhe profesor në Fakultetin Juridik në Shkup. Me korrigjime të vogla të fytyrës së tij, Klimovski është “futur” si “shpëtues” i ekonomisë dhe shtetit grek, por në fakt bëhet fjalë për lojtarin kyç të palës maqedonase.

Pas publikimit të këtij postimi, një numër i madh i shfrytëzuesve të mediumeve sociale e pëlqyen atë, duke e përbashkuar linkun nëpërmjet Facebook-ut dhe Twitter-it. Ishte përzgjedhur në mesin e postimeve më impresive në blog për muajin nëntor [maqedonisht] në ueb-faqen Krigla Pivo [Krikëll Bire], i cili, sipas autorëve të tij, e tregon ripërtrirjen dhe kualitetin e përmirësuar të blogosferës maqedonase “pas një periudhe të gjatë të abstenimit dhe të stagnimit.”

Megjithatë, jo çdokush në Maqedoni, ishte i gatshëm ta çmojë ironinë dhe humorin e postimit, ose përmendjen e ekceseve të regjimit, sipas logjikës dominuese se “nëse nuk lavdëron në mënyrë absolute, atëherë patjetër duhet të jetë kundërshtar.” Disa komente për postimin ishin më tepër personale se përmbajtësore.

Gazetari i preferuar i qeverisë, Milenko Nedellkovski, pjesëmarrës në incidentin e Brukselit, i njohur edhe për përdorimin publik të shprehjeve të urrejtjes [maqedonisht] për të cilën gjë nuk u dënua (ku kishte kërkesa për “t'i likuiduar” “tradhëtarët” nga lista që ai e përpilon në emisionin e tij televiziv), e postoi linkun në faqen e tij në Facebook, së bashku me një koment ku thoshte se ky postim është pjesë e ndonjë konspiracioni anti-maqedonas.

Owly Images

Konsiderohet se Nedellkovski është pjesë e rrethit të brendshëm të disa personazheve mediatike, që janë të afërt me udhëheqësinë e shtetit, dhe shërbejnë si zëdhënës të tyre ose si testues të ideve. Afërsia e tij me udhëheqësinë dëshmohet edhe me faktin se ai e ka shoqëruar kryeministrin (mysafir i shpeshtë në emisionin e tij televiziv) në vizitat shtetërore në Singapur dhe në Japoni.

Kur u publikua ky lajm [maqedonisht], qeveria lëshoi një kundërreagim [maqedonisht], duke thënë se “gazetari… i mbulon vetë harxhimet e vizitës.”

Start the conversation

Authors, please lajmërohu »

Guidelines

  • All comments are reviewed by a moderator. Do not submit your comment more than once or it may be identified as spam.
  • Please treat others with respect. Comments containing hate speech, obscenity, and personal attacks will not be approved.