Maqedonia e Veriut në zi për vajzën e rrëmbyer 14-vjeçare që u gjet e vrarë

Foto e faqes së hequr të Interpolit për Vanja Gjorçevskën. Përdorim i drejtë.

Ky artikull bazohet në raportimin e Meta.mk. Një version i redaktuar ribotohet këtu nën një marrëveshje për ndarjen e përmbajtjes midis Global Voices dhe Fondacionit Metamorphosis.

Në fotot e profileve në rrjetet sociale të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut po shtohet vendosja e një shiriti të zi, pasi më 3 dhjetor Ministria e Punëve të Brendshme shpalli të vdekur 14-vjeçaren Vanja Gjorçevska. Ministria konfirmoi se vajza, e cila u zhduk në Shkup më 27 nëntor, u gjet e vrarë në një fshat aty pranë.

Përdoruesit e rrjeteve sociale shprehën dhimbjen dhe ankthin për vdekjen e vajzës, që u nis për në shkollë dhe u zhduk papritur. Nëna e Vanjës njoftoi policinë pasi u lajmërua nga mësuesja se vajza nuk kishte shkuar në shkollë. Pas disa orësh ajo kërkoi publikisht ndihmë për të gjetur vajzën e saj përmes një postimi që u bë viral në Facebook.

Shtatë ditë më vonë trupi i pajetë i Vanjës u gjet pranë një rruge që lidh kryeqytetin me veriun e vendit.

Për Vanjën u lëshua një njoftim ndërkombëtar si person i zhdukur pasi vajza nuk mund të kontaktohej. Vendi dridhej nga çdo lajm, duke shpresuar se vajza ishte ende gjallë. Megjithatë, MPB dhe prokuroria konfirmuan se vajza ishte vrarë disa orë pasi ishte rrëmbyer nga hyrja e banesës së saj.

Tre nga të akuzuarit janë në paraburgim, një tjetër që u arratis u arrestua në Turqi të martën dhe i pesti është babai i Vanjës, i cili pasi është marrë në pyetje është ndaluar nga policia. Ai kishte braktisur bashkëshorten, Vanjën dhe motrën e saj të vogël.

Autoritetet njoftuan gjithashtu se vrasja e Vanjës lidhet me vrasjen e berberit 74-vjeçar Pançe Zhezhovski nga Velesi, qytet 50 km larg Shkupit. Atij ju vodh makina që u përdor nga i njëjti grup autorësh në rrëmbimin e vajzës. Ai ishte rrëmbyer dhe vrarë katër ditë më parë.

Rrjetet sociale u mbushën me ngushëllime, kërkesën për nxjerrjen e Amber Alert (njoftim për pesonat e zhdukur) dhe diskutime, përfshirë thashetheme e spekulime, që shtuan stresin. Gjatë javës, eksponentët e të djathtës përhapën dezinformata që synonin nxitjen e urrejtjes, dhunës ndëretnike dhe fetare, duke u përpjekur të fajësonin për ngjarjen shqiptarët e romët etnikë dhe shtetasit e Kosovës.

Tensioni u rrit në atë shkallë sa MPB-ja në njoftimin zyrtar përfshiu detajin e pazakontë:

„Воедно, наспроти шпекулациите и дезинформациите според кои овој случај има етничка заднина, информираме дека сите осомничени се од македонска етничка припадност.“

“Në të njëjtën kohë, në kundërshtim me spekulimet dhe dezinformatat që aludojnë për përkatësinë etnike në këtë rast, informojmë se të gjithë të dyshuarit janë të përkatësisë etnike maqedonase.

Pas njoftimit se vajza ishte vrarë, shumë qytetarë të Maqedonisë së Veriut qëndruan zgjuar deri në orët e vona të natës, të përfshirë nga ankthi, duke pyetur veten se si ndodhi kjo gjë dhe duke analizuar informacionet e pakta të dhëna në buletinin e policisë.

Stafi i shokuar i shkollës fillore Johann Heinrich Pestalozzi në Shkup hapi librin e ngushëllimeve për nder të nxënëses së vrarë dhe paralajmëroi ofrimin e mbështetjes psikologjike për nxënësit, prindërit dhe mësuesit. Në hyrje të shkollës, qytetarët vazhdojnë të çojnë lule, duke pritur kokulur me durim në radhë për të shkruar ngushëllimet e tyre.

Shkolla fillore Johann Heinrich Pestalozzi nga Shkupi hapi Librin e Ngushëllimeve për nder të nxënëses së vrarë Vanja Gjorçevska. Foto e Meta.mk, e përdorur me leje.

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe kreu i Prokurorisë Publike të Shkupit, Gavril Bubevski në një konferencë për shtyp dhanë më shumë detaje rreth rastit. Ata theksuan se rrëmbimi nuk ishte i rastësishëm, por kishte “qëllime përfitimi”. Me këtë ata donin të thonin se vajza ishte rrëmbyer për të marrë para nga nëna e saj, e cila dyshohet se kohët e fundit kishte përfituar një shumë të caktuar.

Ata paralajmëruan gjithashtu se provat materiale janë ende duke u shqyrtuar dhe se nuk i kanë rezultatet përfundimtare të autopsisë. Zyrtarët shpjeguan se vajza u mor me forcë nga korridori i pallatit të saj teksa nisej për në shkollë, u fut në një thes me duart dhe këmbët e lidhura dhe u çua në vendin e krimit.

MPB-ja dhe prokuroria publike si organizator të rrëmbimit dhe si vrasës të vajzës përmendën Ljupço Palevskin, me nofkën Pallço, një figurë e njohur politike me një dosje voluminoze në polici. Ai është i dyshuari kryesor edhe për vrasjen e berberit 74-vjeçar nga Velesi, makina e të cilit u përdor për rrëmbimin e vajzës.

Screenshot of the Facebook page of the political party Desna (“Right”), featuring it's logo with the neo-Nazi Black Sun with the Vergina Sun and their slogan “Pure, modern Macedonian nationalism.” Fair use.

Ndërsa në të kaluarën ai përdori lidhjet e tij me pushtetin në të gjithë spektrin politik, vitet e fundit Palevskit i është bërë publicitet nga mediat e djathta si i ftuar në emisione, ku ka shpjeguar axhendën nacionaliste të ekstremit të djathtë. Ai drejton partinë politike pro-Kremlinit dhe pro-klerikale Desna (“Djathtas”) që përdor një kombinim të simbolit neo-nazist Dielli i Zi dhe Dielli i Verginas dhe sloganin “Nacionalizëm i pastër, modern maqedonas”. Ai ishte një nga nxitësit e bojkotit që synonte pengimin e referendumit të vitit 2018 dhe një figurë kryesore për bojkotin emasave anti-COVID-19 të qeverisë.

Në vitin 2019, ndërsa i fshihej autoriteteve pas lëshimit të një urdhër-arresti për borxhet që kishte në Kroaci, Palevski u kap në Serbi dhe u ekstradua, teksa përpiqej të arratisej për në Rusi. Në maj të vitit 2023 ai u arrestua për armëmbajtje pa leje.

Ministri i Punëve të Brendshme Spasovski tha se Palevski, i shoqëruar nga avokati i tij, fillimisht shkoi në Beograd dhe të nesërmen në Bullgari. Për Palevskin u lëshua fletarrest ndërkombëtar, tha Spasovski, që u ekzekutua të martën, kur ai u arrestua në Turqi.

“Sapo jemi informuar nga kolegët nga Turqia se ideatori, planifikuesi, koordinatori dhe autori i drejtpërdrejtë i këtyre veprave është kapur në territorin e Turqisë. Kjo ishte hallka e fundit e këtij akti të tmerrshëm që na mungonte për të thënë se kemi përfunduar gjithçka që ka të bëjë me zbulimin dhe kapjen e autorëve të këtij krimi të rëndë”, tha Spasovski, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në Shkup, cituar nga REL.

Ai gjithashtu vuri në dukje se tre të dyshuarit e arrestuar kanë dhënë informacione të sakta për atë që ka ndodhur në katërmbëdhjetë ditët e fundit dhe dy prej tyre kanë qenë dëshmitarë të të dyja vrasjeve.

Ata pohuan gjithashtu se Aleksandar Gjorçevski, babai i 14-vjeçares Vanja, ka dhënë informacion se si dhe kur vajza e tij shkon në shkollë dhe se më 27 nëntor ajo do të shkonte në shkollë vetëm, pa motrën e saj të vogël. Babai mohoi çdo përfshirje në ngjarje.

Autorët përdorën dy makina për rrëmbimin: atë të vjedhur nga viktima e dytë, që ju vu zjarri pas vrasjes së vajzës dhe një automjet tjetër që i ishte dhuruar partisë politike proruse Desna. Autoritetet bënë me dije se pamjet e kamerave të sigurisë janë shfrytëzuar për të gjurmuar makinat, partinë dhe më pas autorët.

Fëmija u vra dy orë e gjysmë pas rrëmbimit. Ajo u qëllua me pistoletë dhe u varros pranë fshatit Brazda, në periferi të Shkupit. Sipas policisë, rrëmbyesit i kapi paniku kur kanë marrë vesh për shpalljen në kërkim të vajzës. Është e paqartë se si e morën vesh këtë informacion. Burri i moshuar gjithashtu u vra disa orë pas rrëmbimit dhe u varros në afërsi të Velesit.

Motivi i të dyja vrasjeve është përfitimi material; vrasësit kanë dashur të marrin para nga nëna e vajzës, ndërsa berberi ka patur probleme për borxhet me njërin prej të dyshuarve.

Maqedonia e Veriut është në zi. Nxënës, mësues, prindër, fqinjë e qytetarë si dhe zyrtarë, përfshirë presidentin dhe zonjën e parë, vazhdojnë të çojnë lule në kujtim të vajzës së vrarë 14-vjeçare dhe shkruajnë ngushëllimet e tyre në librin në shkollën e saj.

Prehu në paqe Vanja! Ngushëllime familjes, miqve, shokëve të klasës.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.