- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Presidenti Erdogan në një mision për të përmirësuar marrëdhëniet, por me çfarë kostoje?

Kategoritë: Lindja e Mesme e Afrika Veriore, Arabia Saudite, Egjipti, Izraeli, Palestina, Siria, Turqia, Ekonomi e Biznes, Historia, Lufta e konflikti, Marrëdhëniet ndërkombëtare, Media e qytetarëve, Migrimi e emigracioni, Politika, Qeverisja, Refugjatët

Foto nga Markus Winkler [1]. Përdorim sipas Unsplash License [2].

Është një epokë e re në marrëdhëniet midis Turqisë dhe disa prej armiqve të saj dikur. Së fundmi, ishte shtrëngimi i duarve [3] midis presidentit Erdogan dhe Abdel Fattah el-Sisi të Egjiptit gjatë hapjes së Kupës së Botës FIFA 2022 në Katar më 20 nëntor.

Marrëdhëniet midis Egjiptit dhe Turqisë u përkeqësuan pasi ish-presidenti Mohammed Morsi u rrëzua nga pushteti në një kryengritje të mbështetur nga ushtria në vitin 2013. Morsi ishte një udhëheqës i Vëllazërisë Myslimane me të cilën kishte lidhje Partia Turke për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet. Të dy vendet janë gjithashtu në skajet e kundërta në Libi, ku Egjipti është rreshtuar me parlamentin lindor në Tobruk, ndërsa Turqia mbështet qeverinë me bazë në Tripoli sipas [4] Al-Monitor. Pra, nuk ishte për t'u habitur që, për disa vëzhgues, fotografia nuk kishte shumë peshë. Në një intervistë [4] për Al-Monitor, ish-ambasadori i Turqisë në Kajro Safak Gokturk tha: “Fotografia e dy presidentëve duke shtrënguar duart është e lartë në vlerë lajmi, por e ulët në vlerë konseguente”.

Në mënyrë të ngjashme, duke folur [4] për Al-Monitor, Sinan Ulgen, kryetar i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Politike të Jashtme (EDAM) me qendër në Stamboll dhe një ish-diplomat, tha se një shtrëngim duarsh thjesht nuk mjaftonte për të kapërcyer, “erozionin e besimit midis dy vendeve”, të cilat Ulgen i përshkroi [4] si shumë të madh.

Fotografia gjithashtu nuk i pëlqeu opozitës, e cila kritikoi shtrëngimin e duarve të Erdoganit në një sërë postimesh dhe deklaratash.

Revista satirike Leman, me një referencë të paqartë për një foto të fundit [5] që Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi shpërndanë në mediat sociale duke luajtur një lojë shahu së bashku, gjithashtu vendosi këtë imazh në kopertinë:

Sa i përket Sirisë, ka shenja nga Ankaraja se presidenti Erdogan mund të takohet së shpejti me presidentin Assad. Edhe pse, në tetor 2022, Erdogan tha [8] se një takim me Assad nuk ishte i mundur, një muaj më vonë, presidenti i Turqisë tha [9] se “nuk ka mëri apo hidhërim në politikë”.

Në një shkrim [10] për takimin e mundshëm dhe duke e përshkruar atë si “diplomaci të inteligjencës”, gazetari Abdulkadir Selvi tha se takimi ka të ngjarë të zhvillohet nën kujdesin e presidentit rus Vladimir Putin përpara zgjedhjeve vitin e ardhshëm.

Ky ndryshim erdhi menjëherë pasi Turqia nisi fushatën e saj më të madhe ajrore [11] deri më tani – operacionin “Kthetra-Shpata” – kundër grupeve kurde siriane pas një shpërthimi [12] në Stamboll më 13 nëntor për të cilin Ankaraja akuzoi militantët kurdë, përkatësisht Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe Njësitë siriane të Mbrojtjes së Popullit (YPG). Të dy grupet mohuan çdo përgjegjësi për bombën, i cili vrau 6 vetë dhe plagosi më shumë se 80 civilë. Në një intervistë [13] me Al-Monitor, Mazlum Kobane (i njohur gjithashtu si Mazloum Abdi), komandanti i Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA-ja, tha se hetimet e tyre fajësonin [14] “grupet e opozitës siriane që veprojnë nën kontrollin e Turqisë” dhe se kishte lidhje me Shtetin Islamik.

Ndërkohë, Partia Popullore Demokratike (HDP) e opozitës, të cilën shteti e akuzon për bashkëpunim me PKK-në dhe po përballet me mbyllje të mundshme, dënoi operacionin Kthetra-Shpata.

Në një deklaratë [11] të lëshuar nga zëdhënësi, partia politike la të kuptohej se qeveria po përdorte bombën si një “pretekst për të legjitimuar dhe çuar më tej agresionin e saj kundër kurdëve në Siri” si dhe për të rritur imazhin e partisë në pushtet përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshm në verë. Mazlum Kobane është dakord [13]. “E vërteta është se ka dy rrugë para Erdoganit përpara zgjedhjeve. Ai ose mund të arrijë një marrëveshje me lëvizjen kurde dhe kjo do t'i jepte atij avantazh në zgjedhje, ose do të ndezë një luftë. Ata kanë zgjedhur luftën. Erdogan ka zgjedhur luftën”, tha [13] Kobane për Al-Monitor.

Nëse ka një vend entuziast për afrimin e mundshëm mes Erdoganit dhe Asadit, ajo është Rusia. Duke folur [15] në një konferencë për shtyp gjatë takimit të 19-të të bisedimeve të formatit të Astanës për Sirinë, i dërguari i posaçëm presidencial rus për Sirinë Alexander Lavrentyev tha se ky vendim ishte “jetik” dhe “mund të ndihmojë në shmangien e incidenteve vdekjeprurëse që përfshijnë civilë”.

“[Turqia dhe Siria] janë fqinjë dhe ata duhet të jenë miq,” tha [15] Lavrentev.

Përmirësimi i marrëdhënieve me Sirinë mund të ketë interesa shtesë [16] për partinë në pushtet dhe presidentin Erdogan. Siç shtjellojnë në këtë artikull [16] autorët Batu Coşkun dhe Gökhan Çınkara, vendimi mund të merret bazuar në kërkesat e brendshme të mbështetësve tradicionalë të AKP-së, të cilët janë indinjuar ndaj emigrantëve. “Erdoğan llogarit se duke arritur një marrëveshje me Assadin, ai mund të fillojë një proces në të cilin disa nga katër milionë sirianë që jetojnë në Turqi të kthehen në Siri. Erdogan po zhvendoset në këtë drejtim pasi bazat e tij tradicionale të mbështetjes tani kërkojnë që emigrantët të largohen nga vendi, duke e lënë Erdoganin dhe partinë e tij në kërkimin e një zgjidhjeje”, shpjegojnë [16] Coşkun dhe Çınkara.

Duke harruar vrasjen e Khashoggi

Në qershor, presidenti Erdogan priti [17] gjithashtu Princin e Kurorës Mohammed bin Salman (MBS) të Arabisë Saudite. Kjo ishte vizita e parë e MBS në Turqi që nga vrasja brutale e gazetarit [18] Jamal Khashoggi në Stamboll në vitin 2018. Udhëheqësi i AKP-së në pushtet harroi akuzat [19] e ngritura ndaj qeverisë saudite pas vrasjes. Muaj përpara [20] vizitës së MBS, një gjykatë në Turqi tha se po e zhvendoste gjykimin e 26 të dyshuarve të lidhur me vrasjen e gazetarit në Arabinë Saudite. Pas këtij vendimi, presidenti Erdogan udhëtoi në Arabinë Saudite ku shpalli një “epokë të re” në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Arabisë Saudite. Sipas [21] Washington Post, ndreqja e marrëdhënieve ishte “një përpjekje për të joshur investime nga Arabia Saudite e pasur me naftë gjatë një krizë ekonomike të përkeqësuar në Turqi që ka sjellë inflacion në rritje”.

Duke postuar në Twitter për vizitën e MBS në Turqi, e fejuara e Khashoggi, Hatice Cengiz shkroi:

Për udhëtimin e princit saudit të kurorës në Turqi: Vizita e tij në vendin tonë nuk e ndryshon faktin që ai është përgjegjës për një vrasje. Legjitimiteti politik që ai fiton nëpërmjet vizitave që bën çdo ditë në një vend tjetër nuk e ndryshon faktin që ai është një vrasës.

Sipas [17] ish-gazetares Aslı Aydıntaşbaş dhe aktualisht studiuese në institutin e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, presidenti Erdogan “po ndryshonte axhendën e tij drejt Lindjes së Mesme, ku, pas Pranverës Arabe, vija e Turqisë ishte mbështetja për ndryshimin nga poshtë lart. Ky mision dhe ai synim tani është braktisur tërësisht, një pranim nga ana e Turqisë për jetëgjatësinë e monarkive të Gjirit dhe gjithashtu një vendim pragmatik për të dashur të bëjë biznes me to.”

Dy udhëheqësit u takuan [27] përsëri në nëntor në kuadër të Samitit të G20.

Së fundi, Turqia ka bërë gjithashtu hapa të rëndësishëm në lidhjet e saj me Izraelin. Për herë të parë që nga viti 2008, një president izraelit – Isaac Herzog në këtë rast – vizitoi [28] Ankaranë në mars 2022. Në gusht, dy vendet njoftuan [29] normalizimin e marrëdhënieve, duke përfshirë kthimin e ambasadorëve dhe konsujve. Ankaraja e bëri të qartë qëndrimin e saj për kauzën palestineze me Ministrin e Jashtëm Mevlut Cavusoglu që tha [30] se përmirësimi i marrëdhënieve nuk ishte një shenjë se Turqia “po hiqte dorë nga kauza palestineze”, duke folur me gazetarët në shkurt 2022 përpara vizitës së Herzog.

Më 17 nëntor, presidenti Erdogan foli [31] në telefon me kryeministrin e zgjedhur Benjamin Netanyahu. Të dy folën për herë të fundit në vitin 2013, kur Izraeli zyrtarisht i kërkoi falje Turqisë për sulmin e një anijeje në Gaza në vitin 2010, ku u vranë dhjetë shtetas turq. Marrëdhëniet ishin kryesisht me ulje e ngritje në atë periudhë.

Në një letër urimi drejtuar kryeministrit të ardhshëm të Izraelit, Benjamin Netanyahu, presidenti Erdoğan tha: “Ju përgëzoj për fitoren tuaj në zgjedhje dhe besoj se qeveria e re do të vazhdojë bashkëpunimin midis (dy) vendeve në të gjitha fushat, në një mënyrë që do sjellë paqe dhe stabilitet në rajonin tonë,” sipas raportimit [32] të i24News, që i referohej zyrës së Netanyahut.

Zgjedhjet po vijnë

Ngjashëm me Aydintaşbaş, editorialisti Ilham Uzgen në artikullin [33] për gazetën BirGun analizoi hapat e fundit në politikën e jashtme, duke arritur në përfundimin se, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm, presidenti Erdogan po përdor çdo mjet që ka në dispozicion për të siguruar një fitore të mundshme. “Erdogan dhe ekipi i tij dinë të ndjekin zhvillimet dhe tendencat globale dhe rajonale, të marrin pozicione në përputhje me rrethanat dhe të përshtaten me kushtet në ndryshim. Në procesin para zgjedhjeve, mjetet në dispozicion të tij në frontin ekonomik janë më të kufizuara sesa ato në politikën e jashtme. Për këtë arsye ai u përqendrua në politikën e jashtme dhe sigurinë me të gjitha mjetet e tij, duke u përpjekur që nga këtu të konsolidojë pozicionin e tij”, ka shkruar Uzgen.

Qoftë lidhjet e Ankarasë me Uashingtonin dhe BE-në, apo roli i Turqisë në luftën në Ukrainë, presidenti Erdogan me sa duket po i kthen “këto zhvillime të veçanta në favor të tij”. Por pyetja mbetet nëse zhvillimet e fundit janë garanci për konsolidimin e pushtetit të tij në kohën e zgjedhjeve.

Ekziston edhe një këndvështrim tjetër, të cilin Steven A. Cook e përshkroi [34] në këtë opinion për Foreign Policy. “Ajo që nuk besoj është se kjo stuhi e fundit e diplomacisë paralajmëron një epokë të re paqeje, dashurie dhe mirëkuptimi në Lindjen e Mesme. Përkundrazi, rivendosjet dhe shtrirja e ndryshme që po ndodhin në rajon janë thjesht një mjet tjetër me të cilin udhëheqësit e tij mund të ndjekin të njëjtën konkurrencë dhe konflikte të dekadës së kaluar”, ka shkruar Cook. Në mënyrë të veçantë për afrimin e Turqisë me Egjiptin dhe Izraelin, Cook e përshkroi masën si faktin se Turqia dëshiron “të çtensionojë në disa vende, në mënyrë që të mund të përshkallëzojë situatën diku tjetër”.

Opozita ka qenë gjithashtu kritike për zhvillimet e fundit diplomatike të presidentit Erdogan. Gjatë verës, kur Ankaraja dhe Tel Avivi po rivendosnin marrëdhëniet diplomatike, kreu i Partisë Popullore Republikane (CHP) Kemal Kılıçdaroğlu shkroi në Twitter:

Unë besoj në Turqinë e cila ka një fjalë në rajon dhe aftësinë për të udhëhequr diplomacinë e zgjuar (pas dyerve të mbyllura). Por martirizimi i qytetarëve [turq] në ujërat ndërkombëtare ka një çmim. Mesazhi im për Izraelin është se kjo çështje nuk është mbyllur ende për ne.

Kılıçdaroğlu gjithashtu kishte diçka për të thënë për vizitën e MBS në Ankara:

Unë gjithashtu kam disa fjalë për Bin Salmanin që po na viziton. Kryerja e një vrasjeje në tokën tonë ka edhe një çmim. Ne nuk e kemi zgjidhur çështjen me të. Ai mund të jetë duke e rrotulluar Erdoganin rreth gishtit të tij të vogël, por Turqia është një shtet i madh dhe ai do të detyrohet të paguajë çmimin për atë që bëri.

Por kjo thjesht nuk mjafton, shpjegoi [37] editorialisti Fehim Tastekin në artikullin e tij për Al-Monitor. Një taktikë mbizotëruese brenda CHP, “për të bashkuar zhurmën nacionaliste me turmën nacionaliste ose për të goditur Erdoganin me kthesat e tij, duket se ngre mundësinë e konkurrencës së opozitës me partinë në pushtet se kush është më nacionalist. Dhe në mes të përpjekjeve të Ankarasë për normalizim me rivalët e rajonit, një opozitë që merr gjithashtu kartën nacionaliste, mund të mos e kthejë Erdoganin aq sa pritej”.