- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Një video virale e një qeni të dhunuar në një strehë zbulon një Turqi të polarizuar

Kategoritë: Turqia, Arsimi, Censura, Gratë e çështjet gjinore, Ligji, Media e qytetarëve, Politika, Qeverisja, Të drejtat e LGBT, Të rinjtë

Foto nga Simon Moog [1]. Përdorim sipas Unsplash License [2].

Një video e një punonjësi të strehës së kafshëve në provincën Konya të Turqisë ku po vritej një qen endacak me goditje në kokë me një lopatë shkaktoi kritika publike pasi u bë virale më 25 nëntor. Ky nuk ishte një rast i izoluar, thonë aktivistët e të drejtave të kafshëve dhe gjendja e keqe e strehimoreve dhe trajtimi i kafshëve [3] në vend është bërë sërish një temë e nxehtë diskutimi. Shteti deri më tani ka refuzuar të marrë ndonjë përgjegjësi. Në një deklaratë [4] të lëshuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë më 27 nëntor, thuhet se streha është vlerësuar dhe inspektuar së fundmi më 15 nëntor, por se nuk janë dokumentuar shkelje apo mangësi.

Por jo të gjithë pajtohen se shteti bën punën e duhur në monitorimin dhe dokumentimin. Në një intervistë [5] me një platformë online të lajmeve Evrensel, Tuğba Gürsoy, Kryetarja e Qendrës për të Drejtat e Kafshëve të Dhomës së Avokatëve të Ankarasë, tha se Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë nuk po përmbush detyrimet e saj të inspektimit.

Megjithatë, ministria nuk është e vetmja fajtore për atë që ka ndodhur në Konya. Gürsoy tha se bashkitë ishin gjithashtu fajtore për mospërmbushjen e përgjegjësive të tyre. Më e rëndësishmja, tha Gürsoy, qendra kishte alarmuar më parë për kushtet e këqija në strehën në Konya, megjithatë, vullnetarët e saj u penguan të udhëtonin atje, të ndaluar nga guvernatori lokal.

Kemi dëgjuar shpesh raporte [nga streha në Konia] se kishte shumë qen brenda, se kafshët po ngordhnin nga uria, ishin në gjendje të mjerueshme dhe se për shkak se streha nuk lejoi kurrë vullnetarë, ne nuk e dinim saktësisht se sa të këqija ishin kushtet.

Gürsoy, tha se situata në strehimore u përkeqësua kur presidenti Rexhep Tajip Erdogan urdhëroi të gjitha bashkitë e qytetit në të gjithë vendin të grumbullonin qentë endacakë dhe t'i dërgonin në strehimore në dhjetor 2021. Reagimi i presidentit ndaj qenve endacakëve erdhi disa ditë pasi një vajzë katërvjeçare u sulmua [6] nga dy pitbullë pa zinxhirë [7] në provincën Gaziantep të Turqisë. Në atë kohë, pati një protestë të madhe publike për çështjen e qenve endacakë.

Vetëm një pjesë e vogël e strehimoreve në Turqi ofrojnë shërbime adekuate për qentë endacakë.

“Edhe pse Erdogan i konsideroi mjediset e pastra dhe të sigurta të strehimoreve, kjo nuk ndodh pothuajse kurrë. Fotot dhe videot e shpërndara shpesh nga aktivistët e të drejtave të kafshëve tregojnë kushtet e neveritshme ku kafshët janë të detyruara të jetojnë. Në shumë raste, kafshët ngordhin nga uria dhe sëmundjet në kafaze të vegjël dhe të pistë, ndërsa në raste të tjera punonjësit e bashkisë i vrasin ato sapo i mbledhin nga rrugët,” raportoi [8] Gazeta Duvar dhjetorin e kaluar.

Të tjerë si Mine Vural [9], një aktiviste për të drejtat e kafshëve dhe veterinerenë Stamboll, tha në një intervistë [10] me The Independent: “Në përgjithësi në Turqi, strehimoret janë kampe traumash dhe vdekjeje për kafshët.”

Avokatja Hacer Gizem Karataş nga Komiteti i Mbikëqyrjes së të Drejtave të Kafshëve (HAKİM), thotë [8] se dërgimi i qenve endacakëve në strehimore do të thotë në mënyrë efektive vrasje.

Dy nga punonjësit që shihen në video u arrestuan [11], por sipas [5] Gürsoy, nga Qendra e të Drejtave të Kafshëve pranë Dhomës së Avokatëve të Ankarasë, përgjegjësia e aktit të kryer nuk ishte vetëm mbi ta. “Vëzhgimi im është se kjo është një situatë që është bërë normë. Dhe megjithëse kryetari i komunës ka njoftuar se punonjësit janë arrestuar, përgjegjësia është edhe e kryetarit të komunës, menaxherit të çështjeve veterinare të komunës, menaxherit të punonjësve të strehimoreve; të gjithë kanë përgjegjësi për atë që ndodhi”.

Sipas nenit 28/a të ligjit nr.5199, trajtimi mizor i kafshëve dhe vrasja me dashje e kafshëve konsiderohen krim.

Videoja, e cila më vonë u bllokua [12] për t'u aksesuar bazuar në vendimin e Gjykatës së 3-të Penale të Paqes të Ankarasë, solli [13] gjithashtu ankesa të tjera në mbarë vendin, konkretisht se si trajtohen gratë [14], komuniteti LGBTQ+ [15] dhe grupet e tjera minoritare [16] dhe sa e polarizuar [17] është bërë shoqëria.

Shumë vërshuan në Twitter dhe Instagram me postime rreth përballjes me realitetin e të ndjerit më pak të sigurt, rritjen e fëmijëve në një mjedis frike dhe të kuptuarit përsëri se të drejtat si qytetar varen në një fije, pa asnjë garanci mbrojtjeje.

Më 25 nëntor, ndërsa bota shënoi Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, imazhet e dhunës policore [18] ndaj grave që dolën në rrugë në të gjithë Turqinë bënë xhiron e tyre edhe një herë, duke nxjerrë në pah një nga çështjet më të anashkaluara dhe megjithatë më të rëndësishme në Turqi.

Në një studim të fundit hulumtues të publikuar [19] nga SOMDER, një organizatë joqeveritare e themeluar nga një grup të diplomuarsh në sociologji, mbi perceptimet e të rinjve nga segmente të ndryshme shoqërore për qytetarinë aktive dhe mekanizmat e pjesëmarrjes në politikë, rezultatet flasin vetë. 96.3 për qind e pjesëmarrësve thanë se njerëzit në Turqi ishin të pakënaqur dhe 27.8 për qind thanë se do të ndryshonin vendin e tyre në pyetjen: “Çfarë do të dëshironit të ndryshonit së pari në jetën tuaj nëse do të kishit mundësinë ta ndryshonit?”

Sipas [20] një sondazhi të vitit 2020, gjysma e të rinjve turq janë të pakënaqur, duke përmendur vështirësitë financiare si shkakun kryesor. Mbi 70 për qind e të anketuarve thanë se “do të lëviznin patjetër jashtë vendit përkohësisht”, ndërsa mbi 60 për qind thanë se do të lëviznin përgjithmonë. Një studim i fundit i publikuar [21] në shkurt 2022 nga fondacioni politik gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS) pati përgjije të ngjashme, pasi rreth 70 përqind e të rinjve të anketuar treguan [22] një interes për të lëvizur dhe jetuar jashtë vendit.

Turqia tashmë po vuan nga ikja e trurit [23] për shkak të rrethanave sociale, politike dhe ekonomike.

A mund të ndryshojë Turqia?

Në një shkrim [13] për Politikyol, një platformë lajmesh në internet, studiuesi Tunay Şendal ndau një pikëpamje për nxitjen e ndryshimeve të mundshme në Turqi – duke i dhënë fund polarizimit politik që vazhdon të shfaqet në të gjitha fushat e shoqërisë turke, shpesh duke çuar në përçarje sociale dhe rivendosjen e paqes sociale. Şendal shkruan:

Për t'i dhënë fund të gjitha formave të dhunës, pavarësisht ndaj grave, kafshëve apo krijesave, është e domosdoshme që rendi publik të rindërtohet në mënyrë korrekte. Faktori i domosdoshëm për rivendosjen e rendit publik është paqja shoqërore. Turqia ka nevojë urgjente për të rivendosur paqen sociale që ka humbur në politikë, art, sport dhe çdo fushë tjetër. Përndryshe, jo vetëm kafshët, por edhe të gjitha gjallesat janë në rrezik.