Protesta të rralla në rrugë në të gjithë Kinën: Politika zero-Covid e Xi Jinping po i kthen njerëzit kundër qeverisë?

Foto nga kanali në YouTube i The Guardian duke treguar demonstrata në Shangai në rrugën Urumçi.

Kina është duke përjetuar protesta të rralla në rrugë që tani bashkojnë punëtorët, pakicat etnike, studentët dhe banorët urbanë që bëjnë thirrje për t'i dhënë fund politikës ‘zero-Covid’ që e ka kthyer vendin në një burg. Një trazirë e tillë është e paprecedentë në historinë kineze dhe ka ngjashmëri me demonstratat e vitit 1989 që u shtypën më 4 qershor në sheshin Tiananmen në Pekin.

Pasi më 25 nëntor zjarri përfshiu një ndërtesë të lartë në Urumqi, kryeqyteti i Xinjiang-ut në Kinën perëndimore, duke shkaktuar disa viktima, ndoshta edhe për shkak të bllokimit drastik të ndërtesave dhe rrugëve në të gjithë Kinën si rezultat i strategjisë “Zero-Covid” të Xi Jinping-ut, banorët e qytetit – si ujgurët ashtu edhe kinezët Han, dolën në rrugë për të kërkuar lehtësimin e masave shtrënguese. 

‘Zero-COVID’ synon të parandalojë çdo përhapje të virusit në komunitet dhe zbatohet shumë rreptë në Kinë. Kjo do të thotë se jeta sociale, por edhe ajo ekonomike është shpesh e paralizuar, udhëtimi është shumë i kufizuar. Strategjia ka sjellë edhe probleme me furnizimin me ushqime, pasi njerëzit nuk janë në gjendje të blejnë ushqimet bazë dhe zhgënjim në rritje për qindra miliona njerëz.

Fakti që demonstratat u zhvilluan në Urumçi është alarmues për Pekinin që vazhdon një politikë gjenocidi ndaj popullsisë ujgure. Qyteti kishte përleshje etnike në vitin 2009 që lanë gati 200 njerëz të vdekur.

Duke u përhapur si zjarri

Ajo që është veçanërisht e pazakontë dhe sigurisht jashtëzakonisht shqetësuese për autoritetet kineze është se pavarësisht censurës së ashpër të rrjeteve sociale dhe mediave tradicionale, lajmet për viktimat dhe protestat në Urumçi, kanë qarkulluar shpejt në të gjithë vendin, duke bërë që njerëzit në qytete të tjera të reagojnë njëlloj.

Është e qartë se tensioni mes popullit dhe qeverisë ka pak kohë që po zjen. Më 13 tetor, ditë përpara Kongresit të Partisë Komuniste Kineze që konfirmoi mandatin e Xi Jinping në krye të vendit, një protestues vendosi një pankartë në një urë qendrore në Pekin duke kërkuar fundin e masave ‘zero-COVID’. Shfaqje të tilla publike të pakënaqësisë janë jashtëzakonisht të rralla dhe hiqen brenda pak minutash duke pasur parasysh sistemin ultra të sofistikuar të mbikëqyrjes dhe identifikimit të fytyrës në Kinë, veçanërisht në qytetet e mëdha.

Më vonë, më 23 nëntor, punëtorët nga një fabrikë që prodhonte iPhone të Apple në provincën Henan, Foxconn, protestuan kundër të njëjtave masa dhe u përleshën me forcat e sigurisë.

Dhe më pas ndodhi diçka vërtet e papritur: duke filluar nga 26 nëntori, studentët dhe banorët në mbarë vendin vendosën të nderojnë të vdekurit e Urumçit duke organizuar përkujtimore publike. Këto veprime u shndërruan shumë shpejt në disidencë në kampuse dhe demonstrata në rrugë në qytete si Chengdu, Shangai e Pekin.

Global Voices foli me Vivian Wu, një qytetare nga Pekini, e cila aktualisht ndodhet në Nju Jork dhe që po mbulon trazirat në mënyrë aktive nga llogaria e saj në Twitter. Wu është një gazetare me përvojë dhe sipërmarrëse mediatike, e cila shërbeu si drejtuese e BBC-së në Hong Kong dhe si gazetare dhe redaktore në South China Morning Post dhe Initium Media.

Siç shpjegon ajo, ndjenja e solidaritetit vjen nga të kuptuarit se jeta e të gjithëve tani është në rrezik, për shkak të politikës ‘Zero-COVID':

Tragjedia në Urumçi – kur je i bllokuar ose je i penguar të arratisesh dhe si rezultat vdes – mund t'i ndodhë kujtdo në Kinë. Kjo është arsyeja pse njerëzit janë të indinjuar në të gjithë shtetin. Në të gjitha qytetet e mëdha, kinezet janë akoma të mbyllur, në një kohë kur bota po hapet dhe njerëzit po i kthehen jetës normale. Në Kinë ka një shtrëngim të këtyre strategjive. Xi Jinping zbaton politikën “Zero-COVID” për të treguar se është fituesi i pandemisë. Njerëzit shpresonin se masat do të liroheshin, por qeveritë lokale duan të tregojnë besnikërinë e tyre ndaj Xi Jinping, kështu që shumë shpesh, ata në fakt i shtrëngojnë masat në kuadër të strategjisë Zero-COVID.

Kjo vjen pas viteve të zhgënjimit të akumuluar, siç detajon Wu:

Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve tani janë të vetëdijshëm se kjo politikë është çnjerëzore dhe e dëmshme ekonomikisht: kaq shumë biznese, restorante, shkolla janë mbyllur. Njerëzit vuajnë financiarisht – një situatë e paprecedentë pas 30 vitesh reforma ekonomike dhe rritje të shpejtë të PBB-së. Njerëzit panë gjithashtu se gjatë Kupës së Botës askush nuk mban maskë, ndërsa në Kinë njerëzit ndonjëherë janë të mbyllur për 100 ditë.

Por ndoshta ajo që frymëzoi shumë është ajo që ndodhi më 13 tetor në atë urë në Pekin, argumenton ajo:

Incidenti i urës Sitong ndezi zjarrin: njeriu pas saj, Peng Zaizhou lëshoi gjithashtu një deklaratë për t'i kërkuar Xi Jinping të jepte dorëheqjen. Kërkesat e tij tani po këndohen në të gjitha rrugët e qyteteve më të mëdha të Kinës. Peng u bë një model – një zë i vetëm që shpreh zemërimin publikisht. Kjo është e paprecedentë në një vend pa liri të fjalës, pa të drejtë për të demonstruar, qoftë edhe në grupe të vogla. Njerëzit janë të dëshpëruar dhe mendojnë se nuk kanë asgjë për të humbur pas gati tre vjetësh politika drastike. Studentët kanë përdorur gjithashtu mjete shumë të zgjuara për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj politikave “Zero-COVID”, mungesës së lirisë në kampuse, siç mund të shihet edhe nga imazhet që qarkullojnë tani në rrjetet sociale.

Pamje tronditëse të protestës në një shtet të kontrolluar nga policia

Wu po mbulon demonstratat drejtpërdrejt ndërsa fotot, videot dhe komentet shfaqen në Kinë dhe kopjohen me shpejtësi përpara se të fshihen në mediat sociale të censuruara. Disa njerëz gjithashtu u dërgojnë video miqve jashtë vendit dhe u kërkojnë atyre t'i postojnë jashtë internetit kinez.

Në mediat sociale jashtë Kinës, Wu ndan skenat nga kryeqyteti i Sichuan-it, Chengdu, të cilat, për këdo që e njeh Kinën, janë një dukuri shumë e rrallë: njerëz që marshojnë dhe protestojnë, ndërsa asnjë polic nuk shihet për të ndaluar njerëzit:

Pikërisht në #Chengdu njerëzit po ecnin të qetë në rrugë, duke brohoritur “Nuk duam teste Covidi. Ne duam lirinë”. Turmat u mblodhën që rreth orës 20:00 dhe vazhduan deri në orën 2 të mëngjesit, sipas kohës lokale

Kjo skenë tregon një protestë paqësore, duke shpjeguar se ideja është të kujtohen viktimat në Urumçi, ndërsa folësi kryesor nuk ka frikë nga policia – përsëri diçka shumë e pazakontë në Kinën e sotme:

Një i ri nga #Pekini: “Ne kemi 10 bashkëqytetarë të vdekur në zjarrin të #Urumqi, 10 persona vdiqën nga një kontroll kaq i paarsyeshëm i Covid-it. Ne i vajtojmë ata dhe i themi ‘jo’ një politike të tillë”. Duartrokitje. “Nëse duhet të largoni njerëz, më merrni mua”, i tha ai policisë që i rrethoi.

Një skenë e ngjashme në qendër të Pekinit, ku të shohësh njerëz që mbajnë parrulla të thjeshta proteste është e vështirë të imagjinohet në çdo rrethanë tjetër, duke pasur parasysh praninë e ambasadave në atë zonë dhe dëshirën e qeverisë kineze për ta treguar gjithmonë shoqërinë e saj si ‘harmonike’ dhe pa probleme sociale:

Një tjetër video. Në #Pekin njerëzit marshojnë paqësisht në zonën e unazës së tretë lindore. Nga Ura Liang Ma Qiao drejt 新源路 (Xin Yuan Lu, rruga Xin Yuan). Aty ka një bllok ambasadash në zonë, kështu që është gjithashtu një nga zonat më moderne/ndërkombëtare.

Në këtë video, çështja e së ardhmes për të rinjtë kinezë i drejtohet policisë:

Një nga afër. Na vjen keq për cilësinë e videos gjatë natës. Djali i trishtuar duke qarë, duke debatuar para një polici. Ai tha “a kemi të ardhme? Edhe ne jemi të diplomuar. Ne kemi Master. Ne nuk kemi të ardhme, të pasigurt ku dhe konteksti. Dëgjoni zërin e vërtetë kinez

Në Shangai, ku njerëzit mblidhen në rrugën Urumçi për të përkujtuar viktimat, në një përpjekje për të menaxhuar demonstratat e paprecedenta në një qytet të njohur për represionin politik, policia heq shenjën me emrin e rrugës.

Një përditësim qesharak nga Shangai. Kontrolloni Tweetet e mia të mëparshme në Shangai për aktivitetin e mbrëmshëm dhe protestën historike në rrugën Urumçi. Pushteti vendor kështu ka vendosur te trajtone çështjen: ata hoqën tabelën e rrugës. Fjalë për fjalë, ata sapo hoqën shenjën e Rrugës Urumqi në mënyrë që njerëzit të mos gjejnë një pikë referimi

Më shumë video mund të shihen gjithashtu në llogarinë në Twitter të Protestës së Kinës 2022.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.