- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Shqipëria tronditet nga tërmeti i fuqishëm, 21 të vdekur e qindra të plagosur

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Shqipëria, Aksioni humanitar, Katastrofa, Lajm i fundit, Media e qytetarëve
[1]

Dëmet nga tërmeti në Durrës, 26 nëntor 2019. Foto nga Redi Muçi, e përdorur me leje.

Të paktën 21 persona [2] humbën jetën dhe më shumë se 600 u plagosën pas një tërmeti me magnitudë 6.4 ballë [3] që goditi Shqipërinë [4] në orët e para të së martës, 26 nëntor 2019. Epiqendra ishte në qytetin-port të Durrësit, rreth 32 km larg kryeqytetit.

Autoriteti Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) informoi se tërmeti goditi vendin nga një thellësi e rreth 20 kilometrash. Lëkundjet e tokës u ndjenë në qytetet afër, përfshirë Tiranën.

Ndërsa njerëzit u përfshinë nga paniku, shumë u bllokuan nën rrënojat e ndërtesave të shembura.

Operacionet e shpëtimit [5] vazhdojnë. Ndërkohë, njerëzit po postojnë fotografi e video.

Ndërtesa tundet në Shëngjin si pasojë e tërmetit 6.4 ballë që goditi Shqipërinë. Deri tani, 13 banorë kanë humbur jetën e 600 janë plagosur

Dëmet e para të raportuara

Global Voices bisedoi me Redi Muçin, inxhinier ndërtimi dhe profesor në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave në Tiranë. Ai ishte dëshmitar i pasojave të tërmetit:

Ardi Pulaj (AP): Si është situata në zonat që ke vizituar?

Redi Muçi (RM): Vizitova Durrëssin, por nuk isha neë Thumanë (Fushë Krujë). Këto janë zonat më të prekura. Ka frikë se do të ketë më shumë viktima pasi ka lajme se shumë njerëz ende janë bllokuar nën gërmadha.

AP: Si po i përgjigjen autoritetet situatës emergjente?

RM: Duket se për gjendjen e emergjencës është mobilizuar ushtria, zjarrfikësit dhe policia, të cilët janë në terren dhe duket se janë duke bërë maksimumin. Megjithatë, mënyra e menaxhimit të situatës më duket problematike. Në gërmimet që kryhen shpesh herë marrin pjesë njerëz që jane pa asnjë masë mbrojtëse (kaska, doreza, etj.) që të krijojnë përshtypjen se nuk dinë çfarë janë duke bërë. Besoj se mungojne njësitë speciale të stërvitura posaçërisht për situata të tilla.

[15]

Dëmet nga tërmeti në Durrës, 26 nëntor 2019. Foto nga Redi Muçi, e përdorur me leje.

AP: Ajo çfarë kemi parë nga zonat e prekura janë shtëpitë e shkatërruara. Ç'mund të na thuash rreth kësaj situate?

RM: Në terren takova edhe inxhinierë që ishin aty për vlerësimin e dëmit, por jam në dyshim nëse numri i tyre është i mjaftueshëm. Jam i sigurt se mungon një plan i emergjencës civile, i cili merr në konsideratë mikrozonimin sizmik, llojin dhe cilësinë e ndërtesave, si dhe nje plan i detajuar shpëtimi në rast të katastrofës. Një numër i madh banesash ndodhet në rrezik shembjeje nga një vale goditëse më e bute, pra jane të rrezikshme për banorët por nuk e di si do dilet nga kjo situatë. Ndër vite është ndërtuar pa kritere të forta sa i përket strukturave dhe në mungesë të një studimi gjeologjik.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha [16] se të gjitha strukturat e shtetit janë përfshirë në operacionet e shpëtimit dhe u bëri thirrje njerëzve të ruajnë qetësinë. Kreu i opozitës Lulzim Basha apeloi [17] që të ndihmohen ata që u prekën nga tërmeti. Presidenti Ilir Meta vendosi flamujt në gjysmë-shtizë në Presidencë për nder [18] të atyre që humbën jetët nga kjo tragjedi.

Ministria e Arsimit urdhëroi që të gjitha shkollat të mbyllen të martën dhe të mërkurën. Ndërsa vijonin operacionet e shpëtimit, paslëkundjet e tokës [19] vazhduan. Mesazhe solidariteti dhe ndihme konkrete erdhën nga vendet fqinje, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.