- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Turqia shënon Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave me shifra shqetësuese

Kategoritë: Lindja e Mesme e Afrika Veriore, Turqia, Arsimi, Gratë e çështjet gjinore, Ligji, Media e qytetarëve, Politika, Protesta, Qeverisja, Të drejtat e njeriut

Foto nga Sydney Sims [1]. Lejohet shpërndarja me Unsplash License [2].

Dhjetëra gra vriten në Turqi rregullisht, sipas [3] organizatave lokale të grave. Numri i femicideve (vrasja e femrave) mbetet i lartë [4], ndërsa masat ekzistuese mbrojtëse nuk janë efektive [5]. Një platformë lokale, We Will Stop Femicides [6], e cila gjurmon femicidet dhe vdekjet e dyshimta të grave, raportoi të paktën 282 femicide nga janari deri në tetor 2022. Një platformë tjetër, e quajtur Anit Sayac [gjurmuesi i monumenteve], shfaq numrin “349” në faqen e saj kryesore [7] që përfaqëson gratë që janë vrarë deri më tani në vitin 2022. Shifrat e zymta janë tregues se sa pak masa janë marrë nga institucionet shtetërore për mbrojtjen e grave nga dhuna. Për të shënuar 25 Nëntorin, Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave nga OKB-ja, gratë në të gjithë Turqinë planifikojnë [8] të dalin në rrugë dhe të mbajnë ngjarje të ndryshme për të rritur ndërgjegjësimin.

Ndërsa grupet e grave në të gjithë Turqinë planifikojnë të shënojnë këtë ditë [8], rritet frika se policia mund të godasë me dhunë demonstrueset. Vitin e kaluar [9], gratë u përballën me plumba gome, gaz lotsjellës dhe dhunë nga policia teksa marshuan për t'i dhënë fund dhunës me bazë gjinore.

Të paktën tetë anëtare të një platforme lokale të grave, Avcilar Kadin Platformu, u arrestuan [10] të martën, më 22 nëntor. Platforma e grave vendosi t'i bashkohet thirrjes së mëparshme të OKB-së për organizatat e grave në mbarë botën për t'iu bashkuar 16 ditëve të aktivizmit [11] — fushatës UNiTE — të udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe UN Women.

Disa gra iu bashkuan hashtag-ut #25KasımKasımKadınaYönelikŞiddetleMücadeleGünü [#25NëntorDita për Eliminimin e Dhunës KundërGrave] në internet, si gazetarja e shquar Sedef Kabas, e cila postoi në Twitter një foto të saj duke mbajtur një shenjë në të cilën lexohet “Konventa e Stambollit do të jetojë”.

Është krim kundër njerëzimit anulimi i Konventës së Stambollit në një kohë kur dhuna ndaj grave arriti një rekord të lartë. Gratë duhet të kërkojnë llogari në kutinë e votimit dhe nuk duhet ta lënë pa u ndëshkuar këtë “krim”.

Kabas u arrestua [16] në janar 2022 për një fjalë të urtë që gazetarja përdori në një program televiziv dhe më vonë në Twitter.

Turqia u tërhoq [17] nga Konventa e Stambollit në mars 2021 për atë që qeveria në pushtet e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e quajti “normalizimin e homoseksualitetit” nga traktati. Që atëherë, megjithë kërkesat mbarëkombëtare [18] për t'u ribashkuar, partia në pushtet AK nuk ka hequr dorë nga vendimi i saj.

Në kohën e tërheqjes nga konventa, një traktat i nënshkruar nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës për të parandaluar dhunën dhe abuzimin në familje ndaj grave, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan siguroi gratë se shteti do të mbështetet në ligjet kombëtare për të parandaluar dhunën për shkak të gjinisë. Por numrat e raportuar dhe të dokumentuar nga organizatat lokale të grave tregojnë një histori tjetër.

Në korrik 2022, Reem Alsalem, Raportuesi Special i OKB-së për dhunën ndaj grave dhe vajzave, i kërkoi [19] qeverisë së Turqisë të rishqyrtojë vendimin e saj për t'u tërhequr nga konventa dhe tha se mbështetja vetëm në legjislacionin vendas nuk mjaftonte duke marrë parasysh masat parandaluese dhe mbrojtëse nuk janë të forta në Turqi.

Në një raport [5] të publikuar nga Human Rights Watch në maj 2022, mbikëqyrësi ndërkombëtar shqyrtoi dështimin e shtetit “për të mbrojtur në mënyrë adekuate gratë nga dhuna, për të parandaluar përsëritjen e dhunës dhe për t'i dënuar autorët”.

Një gazetare e shquar turke, Burcu Karakas, në një investigim [20] të kohëve të fundit, shqyrtoi efektivitetin e mekanizmave të mbrojtjes në fuqi – domethënë, strehimoret për viktimat e abuzimit në familje dhe trajtimin e tyre ndaj grave që i kanë shpëtuar dhunës.

Këto strehimore nuk arrijnë të ofrojnë asistencë të mjaftueshme psikologjike apo ndonjë mbështetje për viktimat për të filluar një jetë të re pas qëndrimit të tyre aty.

Nuk ka gjithashtu strehimore të mjaftueshme në vend për të akomoduar numrin në rritje të të prekurave, sipas hetimit të Karakas. Që nga tetori 2022, ka gjithsej 149 strehimore me kapacitet për të strehuar 3,624 njerëz në të gjitha 81 provincat. Këto nuk mjaftojnë – sipas [21] rekomandimit të Komitetit për të Drejtat e Grave dhe Mundësitë e Barabarta të Parlamentit Evropian, strehimoret duhet të ofrojnë të paktën një kapacitet shtrati për çdo 10,000 banorë.

Ekziston edhe një mospërputhje në të dhëna. Në një postim nga We Will Stop Femicides [6], platforma qortoi Ministren e Familjes dhe Shërbimeve Sociale, Derya Yanik, për keqorientimin e publikut në lidhje me uljen e numrit të femicideve dhe mungesën e transparencës së tyre në procesin e dokumentimit.

Çfarë tha Ministrja e Familjes dhe Shërbimeve Sociale Derya Yanik:
– Në dhjetë muajt e parë të vitit 2021 ka pasur 242 femicide;
– Në dhjetë muajt e parë të vitit 2022 ka pasur 225 femicide.
Të dhënat tona tregojnë:
– Në dhjetë muajt e parë të vitit 2021 ka pasur 225 femicide dhe 175 vdekje të dyshimta;
– Në dhjetë muajt e parë të vitit 2022 ka pasur 282 femicide dhe 208 vdekje të dyshimta.
Ndryshe nga sa thonë ministritë, numri i femicideve nuk po zvogëlohet. Ministritë janë përgjegjëse për të siguruar të dhënat e femicideve në mënyrë transparente. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë të dhëna reale. Ne do të ndalojmë femicidin.

Disa gra që vendosën t'i bashkohen demonstratave raportuan se u ndaluan nga policia.

Ne nuk mund të marshojmë. Jemi të rrethuar nga policia.

Si një veprim parandalues, policia vuri barrikada në disa nga pikat kryesore të takimit.

Parku Gezi është bllokuar nga policia. Pse? Sepse gratë do të demonstrojnë këtë mbrëmje kundër dhunës. Poshtë ky lloj lidershipi. Unë u përpoqa të shkoj në park (ku ka shumë pak njerëz gjithsesi) këtë mëngjes ndërsa dëgjoja çdo transmetim qesharak që mund të gjeja dhe kjo është ajo që shoh. Sa të frikësuar jeni?

Por gratë në Turqi janë mësuar me të gjitha llojet e dhunës, përfshirë edhe nga policia. Kështu, pavarësisht se sa barrikada do të vendosen dhe sado forcë do të përdorë policia kundër grave demonstruese, për aktivistet, lufta kundër dhunës me bazë gjinore, barazisë dhe lirive do të vazhdojë sot dhe çdo ditë.